Veliaj kërkoi të jetë i pranishëm në mbledhjen për shkarkimin e tij, Këshilli Bashkiak i kthen përgjigje! Çfarë shkruhet në letër

0
image

Këshilli Bashkiak i ka kthyer përgjigje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi të jetë i pranishëm në mbledhjen për shkarkimin e tij.

“Nëse nuk mundeni të merrni pjesë, dërgoni një letër. Vërejtjet tuaja na i përcillini me shkrim”, thuhet në përgjigjen për kryebashkiakun Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 10 Shkurt.

Deri më tani në Prokurori nuk ka pasur një kërkesë nga ana e Erion Veliajt për të marrë pjesë në mbledhje që zhvillohet ditën e nesërme (23 Shtator).

Shkresa e Erion Veliajt:

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë kërkesë, më 19 Shtator, për të qenë i pranishëm në Këshillin Bashkiak, që do të mblidhet për shkarkimin e tij nga posti.

Erion Veliaj ka kërkuar të jetë i pranishëm për një proces të rregullt ligjor. Në një letër drejtuar kryetares dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Veliaj shprehet se mungesa e tij në detyrë nuk është vullnetare, por pasojë e një “masë sigurie disproporcionale”, e cila, sipas tij, ka krijuar një krizë institucionale dhe kushtetuese në kryeqytet.

“Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës”, shkruan Veliaj në letrën e tij.

Ai thekson se masa e sigurimit personal nuk përbën një vendim përfundimtar fajësie dhe se shkarkimi i tij në këtë fazë do të përbënte një tjetër shkelje të Kushtetutës nga pushteti vendor.

“Mungesa e imponuar nga një masë paraprake nuk është mungesë e vullnetshme, por një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore”, shton ai.

“Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar. Por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre”, shkruan Veliaj ndër të tjera.

Në fund të letrës, Veliaj kërkon që t’i garantohet e drejta për të qenë i pranishëm dhe për t’u dëgjuar në mbledhjen e 23 shtatorit, duke e konsideruar këtë një të drejtë kushtetuese në kuadër të procesit të rregullt ligjor.

Kërkesa e Veliajt drejtuar Anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës:

E nderuar kryetare dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak,

Jam informuar nga media se, më datë 23 shtator 2025, do të mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, me objekt miratimin e propozimit drejtuar Këshillit të Ministrave për shkarkimin tim nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë, me arsyetimin e mungesës mbi tre muaj në detyrë.

Dua të theksoj qartë se kjo mungesë nuk është pasojë e vullnetit tim, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale dhe që do të kundërshtohet në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës. Sistemi gjyqësor, në mungesë të një përgjegjësie të plotë për fuqinë dhe pasojat e vendimeve të tij, nuk mori parasysh se masa e sigurimit duhej të balanconte interesin publik të hetimit penal me interesin po aq madhor të garantimit të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja reale që ka prodhuar krizën e sotme politike, institucionale dhe kushtetuese. Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues. Çdo përpjekje për ta fshehur këtë të vërtetë nuk i shërben zgjidhjes, por e devijon atë.

Mungesa e imponuar nga një masë paraprake, jo nga një vendim përfundimtar fajësie, nuk është as mungesë e vullnetshme, as shkelje e rëndë kushtetuese, por cenim i hapur i parimit të përfaqësimit demokratik dhe një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore.

E mirëkuptoj shqetësimin tuaj për të kërkuar një zgjidhje politike. Por nuk mund të mirëkuptoj që kjo krizë, e shkaktuar nga gjykata dhe ku “viktimë” është vetëqeverisja vendore, të “zgjidhet” me një tjetër shkelje të Kushtetutës po nga vetë pushteti vendor. Një vendim i tillë do të zëvendësonte vullnetin e 160 mijë zgjedhësve, të cilët kanë folur politikisht, me një akt të pajustifikuar juridikisht, duke krijuar precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.

E kam thënë dhe e përsëris, dhe dua të më besoni siç keni bërë gjithë këto vite: nuk bëhet fjalë për interesin tim personal. Mandati nuk është i imi, por i qytetarëve të Tiranës, të cilët për herë të tretë më kanë dhënë nderin e jetës sime duke më besuar drejtimin e qytetit. Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar, por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre. Kam detyrimin të mbroj çdo pikë djerse që kemi derdhur së bashku për ta fituar atë besim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës është organ kushtetues që ka të drejtën dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës ka detyrimin të respektojë procesin e rregullt ligjor në çdo vendimmarrje që bën. Për këto arsye dhe në respekt të parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor dhe të së drejtës për t’u dëgjuar, kërkoj të jem i pranishëm dhe të dëgjohem në mbledhjen e këshillit bashkiak, për të dhënë sqarimet e nevojshme para se të merret vendimi për propozimin e shkarkimit tim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës,

Erion Veliaj

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading