Falsifikime, presione e dhunë.Grabitja e pronave në Dhërmi nga Julian Morina me bekimin e Edi Ramës e firmën e Gonxhes
Gjyshi yt, Petro Koleka, që ishte edhe kushëriri i parë i gjyshes sime, ka lënë një thënie pas nga koha e diktaturës, një thënie që duhej të kishe bole ta thoshe në atë kohë: “nuk ka laps që t’i shkruajë poshtërsitë e këtyre!” – duke iu referuar bëmave të shtetit komunist. Jam i sigurt se po të ishte gjallë, nuk do t’ju kursente as ju dhe do t’ju thoshte: “nuk ka kompjuter që të mund t’i shkruajë poshtërsitë e pushtetit tënd! Sepse, maja e lapsit, nuk mjafton”…
Artur Shkurti, një qytetar i Vlorës, pronar në Dhërmi, atje ku paraardhësit e tij prej jetonin prej dekadash, i është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama.
Shkurti rrëfen se si pronat e tij po grabiten nga njerëz të Edi Ramës, biznesmenë që favorizohen nga pushteti, pavarësisht vendimeve të Gjykatave.
Ai akuzon drejtpërsëdrejti Edi Ramën për të gjithë procesin e grabitjes së pronave përmes falsifikimeve, presionit, mosfunksionimit të institucioneve dhe vënies së Policisë në shërbim të biznesmenit që ka dalë në skenë.
“Përpara një muaji, në kohën që ishit me pushime në Dhërmi, keni vajtur personalisht në vendin ku ndodhet prona, së bashku me Julian Morinën dhe drejtoreshën e përgjithshme të Kadastrës, dhe pas tre ditësh, një ndërtese pa leje e ndërtuar në kufijtë e pronës, është blerë dhe hipotekuar brenda natës, nga zotëria në fjalë!
Me krahëmarrje, d.m.th. për të na krijuar problem sepse shtëpia pa leje ka pushtuar edhe një sipërfaqe të vogël nga prona jonë.
Mbase do t’ju kujtohet, ishte dita kur Julian Morina hodhi në det skafin e blerë në Turqi!
Por veprimet u bashkërenduan dhe nuk ndaluan këtu, sepse pas një jave, na erdhën zotërinjtë e Monumenteve të Kulturës, me një vendim të firmosur nga Blendi Gonxhe, për rrethimin e kishës së “Shën Stefanit”, kishë që është e shpallur monument kulture!”, shkruan Shkurti në letrën e hapur drejtuar Edi Ramës.
Në vijim, qytetari i kujton Edi Ramës edhe një tjetër detaj, duke e implikuar edhe më tej në atë që mund të quhet si ‘grabitje’ e pronës në mes të ditës.
“Më lejoni t’ju kujtoj se disa ditë më pas vizitës në pronën tonë, në Dhërmi, bëtë edhe një “shëtitje” në Qeparo, i shoqëruar nga dy vetë, të cilëve nuk është e nevojshme që t’ua përmend emrin. Sepse njerëzit, këto qenie që ju i konsideroni si krijesa të një Zoti të një shkalle më të ulët, shikojnë dhe e kuptojnë më së miri se çfarë po ndodh!!
Dolët në majë të fshatit dhe fotografuat personalisht, të gjitha shtëpitë e vjetra pa çati!!!
Deri këtu kemi arritur që Kryeministri i vendit të merret me shtëpitë e çdo fshati!
Kaq të pangopur jeni?! Do lini ndonjë kasolle, apo ndonjë metër tokë për frymorët e tjerë?!”, shkruan Shkurti.
*****
Letër e hapur për Kryeministrin Edi Rama
Nga: Artur Shkurti
Pak javë më parë, ndërroi jetë, një nga figurat më të shquara të drejtësisë botërore, gjyqtari Frank Caprio, një njeri i ligjit, por mbi të gjitha, një personalitet i madh që kishte arritur të martojë më së miri, ligjin me humanizmin, një simbiozë, shumë e vështirë për t’u realizuar praktikisht. Dhe i la brezave, një thënie tepër kuptimplote:
– një gjyqtar, nuk i lë pasuri pasardhësve të vet, por vetëm emrin!!
Në po të njëjtën kohë, ju, bëtë atë që nuk do ta bënte asnjë kryeministër i kujtdo vendi të qytetëruar: anatemuat një gjyqtar sepse bëri “gabimin fatal” dhe mori një vendim që nuk i shkonte për shtat interesave tuaja, duke ndërhyrë në mënyrë të hapur dhe flagrante në pavarësinë e pushtetit gjyqësor! Jo se në vendet e qytetëruara nuk ka ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, por jo në një mënyrë kaq të hapur dhe brutale.
Natyrisht që letra ime, nuk ka për qëllim t’i dalë në mbrojtje Hazbi Balliut, sepse ky gjyqtar, duhej të kishte ikur prej kohësh nga sistemi gjyqësor për bëmat e tij. Sepse midis shumë të tjerëve, unë personalisht, e kam çuar në ILD këtë gjyqtar, me 12 shkelje të rënda proceduriale. Dhe pas sorollatjeve të institucionit në fjalë, ku nëpërmjet tre shkresave më është komunikuar se do ta trajtojmë çështjen dhe do të marrim masë ndaj tij dhe pas haracit të marrë, çështja u arkivua! Me arsyetimin logjik juridik, alla shqiptarçe të ILD-së: se ankesa mund të ketë shumë, por jemi ne ata që vendosim se cila çështje trajtohet!!!
Por ajo që më bën përshtypje, është fakti se juve, zoti Kryeministër, nuk e anatemuat këtë gjyqtar edhe përpara dy vjetësh, kur rrëzoi masën e sigurisë për pronat tona në Dhërmi, të cilat po na grabiten në mënyrë të pistë, në mes të ditës me diell, duke mbrojtur interesat e njerëzve tuaj. Dhe për këtë, keni dijeni sepse jeni informuar. Është pikërisht ky gjyqtar që në momente çiltërsie, u shpreh se lejen ia ka dhënë Kryeministri dhe unë, nuk mund të dal kundra tij!!!
Konkretisht, ju aprovuat një leje zhvillimi, në kampin e vjetër të Dhërmiut, në të cilën kishte edhe një klauzolë, ku midis të tjerave thuhej se plani i zhvillimit duhet të aplikohet në bashkëpunim me pronarët e ligjshëm të pronave! Pastaj, ciraku juaj Jorgo Goro, i dha lejen e ndërtimit Ilirjan Brokës, për një ndërtim prej 6000 m², sepse me sa duket, kështu i bëni “punët”, me firmat e të tjerëve. Ndërkohë që leja e ndërtimit ishte absolutisht e pavlefshme, sepse cënon ligjin, sipas të cilit, nuk mund të jepet leje ndërtimi për sa kohë që çështjet janë në proces gjyqësor! Dhe një pjesë e këtyre pronave janë ende në gjykatë, ku si zakonisht, zvarriten pambarimisht.
Dhe kështu, u pushtuan pronat shumë shekullore të të paktën pesë familjeve autoktone sipas një projekti të bërë nga vajza e gruas tuaj.
Në kohë rekord, Ilirjan Broka, u pajis edhe me certifikatë pronësie, në bazë të një shitblerjeje fiktive, midis Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë dhe zotërisë së tij, duke injoruar pronarët e ligjshëm. Ndërkohë që Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë nuk ka pronë, dhe për më tepër, pronë toke bujqësore, në bazë të tre Vendimeve Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe dy Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe për rrjedhojë, nuk ka se çfarë të shesë!!
Duke qenë se shkeljet e ligjit ishin tejet flagrante, Gjykata Administrative e Apelit dhe konkretisht dy gjyqtare me integritet, Blerina Hasa dhe Altina Nasufi, të cilat gjej rastin t’i falënderoj publikisht, vendosën masën e sigurisë për këto prona, duke shprehur edhe habi për këtë lloj lejeje, pa titull pronësie dhe mbi të gjitha, pa origjinë! i përmenda me një farë hezitimi gjyqtaret në fjalë, sepse nuk është aspak çudi që t’i hiqni nga puna. Pasi eksperienca ka treguar se gjyqtarët korrekt kanë vajtur në shtëpi, ndërsa të korruptuarit vazhdojnë të punojnë.
Dhe megjithëse u vendos masa e sigurisë, zaptuesit e pronave punonin natën, me bekimin e Policisë së Shtetit! Pasi e bëmë problem shumë herë këtë çështje, polici i zonës më thotë në telefon, pa pikë turpi, se ata nuk po punojnë, por vetëm dizarmime bëjnë.
Dhe kur i them se asnjë gozhdë nuk duhet të ngulin, përderisa është vendosur masa e sigurisë, me një cinizëm të pashoq, më thotë:
– Po ata kanë hedhur gjithë ato lekë!!!
– Po ti, për çfarë je atje, – i them, për të përcaktuar nivelin e punimeve të firmave, apo për të bërë bilancin e tyre financiar??!!
Ti zotëri, je polic i shtetit dhe je atje për të zbatuar ligjet e shtetit dhe vendimet gjyqësore!!
Dhe për këtë, i drejtohem Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në atë kohë ishte, z. Muhamet Rrumbullaku, duke e informuar se çfarë po ndodh me policinë e tij, të shoqëruar me pyetjen:
– Polici të shtetit i keni këta, apo avokatë të krimit, zotëri??!!
Të detyruar nga zhurma mediatike, punimet u ndërprenë, por për raprezalje, e shoqëruan me një kallëzim penal për ndërtim pa leje, në shtëpi, në fshat, në adresë të tim vëllai, ku realisht nuk ka ndërtim pa leje, por vetëm një skeleri për punimet ndihmëse restauruese, të cilat kryheshin me leje, nga im atë, pronari i shtëpisë. Dhe prokurorja e çështjes, e cila kishte marrë direktiva të qarta për të “garantuar” dënimin, e futi në nenin 199a/3, për ndërtim pa leje, në tokë shtet!
Që të mos e zinte as amnistia! Ndërkohë që skeleria është ngritur në oborrin e një shtëpie afro 400 vjeçare, e rrethuar me mur që në kohën e ndërtimit të saj. Pra, flasim për një shtëpi, e cila është ndërtuar shumë kohë përpara ekzistencës së këtij lloj shteti që ka 113 vjet jetë!!
Se ku e gjeti tokën shtet prokurorja, brenda oborrit të shtëpisë dhe çuditërisht 19.5 m², vetëm ajo e di?! Pra, shteti juaj merret me një skeleri të çmontueshme, që në bazë të ligjeve mbi urbanistikën nuk përbën ndërtim, dhe nuk shikon ndërtimet shumëkatëshe, pa leje, që ngrihen brenda natës si kërpudha dhe të nxjerrin sytë!!
Dhe gjyqi vazhdon pambarimisht edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se kallëzimi penal ka rënë, pas revokimit të masës administrative nga Komisioni i Bashkisë Himarë, prej gjashtë vetësh dhe për një sërë arsyesh të tjera. Vazhdon edhe pse është e vërtetuar shkrimërisht, nga vetë organet ligjzbatuese, se nuk ka ndërtim dhe për më tepër që im vëlla nuk ka kurrfarë lidhjeje me këtë çështje!! Bile, prokurorja e çështjes, në mënyrë të hapur, është bërë palë me gjyqtaren e çështjes, manipulon në mënyrë konsistente faktet dhe deformon realitetin! E vetmja gjë që nuk kanë bërë ende, është se nuk e kanë mënjanuar akoma avokatin e çështjes, si në diktaturë!
Po mirë, le të na dënojnë, tim vëlla, me gjyqe të tilla farse, burgu për burra është, në fund të fundit! Por për një gjë, të jenë të sigurt, se as nuk do të na trembin dhe as nuk do të na e mbyllin dot gojën për të drejtat tona!
Gjithsesi, le të vazhdojmë me çështjen e lejes së ndërtimit. Çështja e masës së sigurisë kaloi në Gjykatën e Lartë Administrative, ku zotëria i tij, Sokol Sadushi, e rrëzoi masën e sigurisë, duke shkelur mbi dy firmat e tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, vite më parë, në të cilën thuhet se Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë nuk ka pronë dhe se edhe godinat i ka në përdorim, deri në një vendim tjetër!!
Dhe jo vetëm kaq, por çështjen e pavlefshmërisë absolute të AMT-ve tona, që është në Gjykatën e Lartë Administrative që prej vitit 2017, e mban peng. Kjo çështje ishte për t’u gjykuar më 27.02.2024, datë në të cilën dha dorëheqjen për papajtueshmëri, zotëria në fjalë.
Por dorëheqjen për papajtueshmëri e dha pasi bëri poshtërsinë me masën e sigurisë. Që prej asaj dite, nuk ka asnjë zhvillim dhe asnjë informacion për këtë çështje. Vetëm terr!
I sfidoj, le të dalin me një vendim, le ta rrëzojnë, në fund të fundit, legjitimitetin e kësaj prone, nëse kanë këllqe, se do të takohemi në Gjykatën Kushtetuese, në Strasburg dhe kudo, ku do të jetë e nevojshme, ku do të qeshin me të tilla vendime! Mirëpo kuptohet se këto shkelje janë bërë me urdhrin e një force madhore!! Se nuk u çmend, Kryetari i Gjykatës së Lartë! Dhe mos më thoni se nuk e kuptoni kush e ka dhënë këtë urdhër, zoti Kryeministër!! Sepse nuk e besoj që Kryetari i Gjykatës së Lartë ta ketë marrë urdhrin nga ndonjë lulishtar, për të shkelur në mënyrë kaq të trashë ligjet, duke pështyrë mbi dy firmat e tij të mëparshme!!
E! Me sa duket, e vendosi drejtësinë si në fshatin e tij në Vajzë, në Labëri, ku nuk të jepnin grua, po të mos dije të vidhje! Por ajo që është për të vënë duart në kokë, është fakti se janë bërë edhe një mori shkeljesh të tjera flagrante. Dhe është më se e kuptueshme, sepse për të mbuluar shkeljen e parë, shkelësi bën një seri shkeljesh të tjera!!
– Së pari është shkelur neni 451/a që përcakton se kemi të bëjmë me gjë të gjykuar. Sepse deri në atë moment, ne i kishim fituar gjyqet, në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe kishte dalë edhe Urdhri i Ekzekutimit të Vendimit.
– Së dyti, se për të njëjtën çështje, absolutisht identike, me të njëjtin subjekt dhe me të njëjtën palë, janë marrë dy vendime diametralisht të kundërta!! Sepse në Gjykatën Administrative të Apelit, për pavlefshmëri absolute dokumentash, patrioti im, Aster Mehilli, që është edhe nënshtetas amerikan dhe kishte edhe mbështetjen e ambasadës amerikane, e fitoi çështjen që në dhomën e këshillimit, mori edhe dëmshpërblim bile, nga Konfederata dhe qiraxhiu i saj. Ndërsa neve që jemi nënshtetas të “jetimores” Shqipëri, na e rrëzuan vendimin me shumicë votash, 2 me 1!! Vetëm në këtë vend “të bekuar”, mund të ndodhin gjëra të tilla, zotëri!!
Kjo është drejtësia juaj e reformuar, zoti Kryeministër?! Ju ruajt!
Vlen të theksohet se këtë procedurë grabitjeje, nëpërmjet shitjeve fiktive, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e ka bërë të paktën tetë herë, vitin e fundit, sepse iu hap oreksi! Gjatë kësaj periudhe, Kadastra e Vlorës ka lëshuar në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të ligjit, qindra certifikata pronësie, të cilave nuk u vërtetohet kurrsesi origjina e pronës. Dhe është për të qarë dhe për të qeshur, sepse edhe pronën e nënshtetasit amerikan që përmenda më lart, përpara tre muajsh, ia regjistruan nënës së qiramarrësit të Konfederatës, paçka se ai i kishte marrë edhe dëmshpërblim prej këtij të fundit!!
Dhe së bashku me pronën e pronarëve përreth, i kanë dhënë certifikatë pronësie për 2400 m²!! Me po të njëjtën mënyrë shitblerjeje fiktive, u kanë hipotekuar personave të tretë edhe pronat e familjeve të Pavllo Vretos, Kli Neços, Kristo Shkurtit, Dhimitraq Dhimës, Kleanthi Shkurtit, Koço Jetos dhe të tjerë!! Pra, masakër! Dhe kallëzimet tona penale i ka mbuluar pluhuri në Prokurori! Shkeljet penale reale mbulohen me gjithfarë mënyrash, ndërsa neve na sajohen shkelje penale inekzistente, për të na terrorizuar, sepse guxojmë të ngremë zërin për grabitjen që na bëhet!! Dhe SPAK-u hesht, edhe pse i jemi drejtuar disa herë, ose lan duart si Pilati, duke i kthyer çështjet në Prokurorinë e Vlorës!!
Le të hedhë një sy se sa certifikata pronësie ka nxjerrë Kadastra e Vlorës vitin e fundit dhe si??!!
Ndërsa ju, zoti Kryeministër, bëni show televiziv duke ua faturuar këto veprime drejtorëve të larguar të Kadastrës së Vlorës, ndërkohë që nuk keni çuar përpara ligjit asnjërin prej tyre!!
Dhe lind një pyetje mëse e natyrshme:
Po ju, nuk mbani përgjegjësi për këtë??!!
Mirëpo e vërteta është se ju qëllimisht i ndërroni çdo muaj drejtorët e Kadastres, sepse firmosin ato që ju kërkoni dhe pastaj i largoni, pa iu hyrë gjemb në këmbë!!
Dhe pastaj, anatemoni edhe gjyqtarët, kur ata marrin edhe ndonjë vendim të rrallë që ju cenon, por heshtni, kur ata cenojnë të drejtat tona legjitime.
Përpara dy vjetësh, Jorgo Goro i kishte dhënë beniaminit tuaj Julian Morina, këtij “donatori humanist” – dhe se si mund të identifikohet Julian Morina me humanizmin, vetëm Zoti e di , një kontratë dhurimi, krejtësisht të jashtëligjshme, për një pronë në vendin e quajtur “Ajo Stefano”, në fshatin Dhërmi, gjoja për sistemimin e lumit dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese.
Dhe e gjitha kjo, për të mirën e komunitetit!! Ashtu shkruhej në atë kontratë krejtësisht private që karakterizohej nga një mori shkeljesh ligjore. Dhe kjo sepse:
1.Së pari Jorgo Goro, mund të falë kujtdo atë që i ka lënë i ati dhe jo pronën tonë!
2.Së dyti, edhe nëse do të ishte pronë e Bashkisë, kjo kontratë, do të duhej të kalonte nga këshilli bashkiak dhe në formën e kërkuar nga ligji!
3.Së treti, sistemimi i lumenjve dhe zgjerimi i rrugëve, nuk janë kompetencë e Bashkisë, por respektivisht kompetencë e Ministrisë së Mjedisit dhe ndërmarrjes së rrugëve!
4.Kontrata e dhurimit me Nr. 4893 Prot., e firmosur nga Jorgo Goro, mban datën 25.10.2023, kohë në të cilën ai, nuk ishte më kryetar bashkie sepse i kishte humbur zgjedhjet dhe vazhdonte të rrinte në zyrë, për problemin që ekzistonte. Pra, e kishte humbur të drejtën e firmës.
Dhe megjithëse janë dhënë deklarimet përkatëse, me detyrim, pas ndërhyrjes së S.P.A.K-ut, çështja fle në prokurorinë e Vlorës!!
Ndërkohë që Jorgo Goro u dënua me dy vjet burg, kur edhe 200 vjet do të ishin pak, për këtë njeri sepse ka tjetërsuar dhe përvetësuar mbi 200 ha prona në Bashkinë Himarë! Dhe kjo, më kujtoi procesin gjyqësor ndaj Nexhmije Hoxhës që u dënua për kafe dhe sheqer! Ashtu sikundër do të dënoni edhe Erion Veliajn, për të brendshmet e gruas dhe jo për krimet që ka kryer, realisht!
Dhe ajo që është karakteristike, është fakti se përfituesit e veprës penale, jo vetëm që vazhdojnë ta gëzojnë pronën e grabitur, por akoma më keq, vazhdojnë të punojnë edhe në administratën shtetërore, në vend që të jenë në burg!!
Ndërsa neve, do të na duhej ta mbronim me trupat tona, pronën e dhuruar prej tij Julian Morinës, sepse Policia e Shtetit, në praninë tonë u thoshte të mos punonin, ndërsa sa largoheshim ne, u thoshte të vazhdonin punën!! Mirëpo vetëm momentalisht. Sepse Julian Morina dhe ata që qëndrojnë pas tij, dhe ju e dini mirë se kush qëndron pas tij, nuk u dekurajuan dhe kaluan në metoda të tjera grabitjeje.
Përpara një muaji, në kohën që ishit me pushime në Dhërmi, keni vajtur personalisht në vendin ku ndodhet prona, së bashku me Julian Morinën dhe drejtoreshën e përgjithshme të Kadastrës, dhe pas tre ditësh, një ndërtese pa leje e ndërtuar në kufijtë e pronës, është blerë dhe hipotekuar brenda natës, nga zotëria në fjalë! Me krahëmarrje, d.m.th. për të na krijuar problem sepse shtëpia pa leje ka pushtuar edhe një sipërfaqe të vogël nga prona jonë. Mbase do t’ju kujtohet, ishte dita kur Julian Morina hodhi në det skafin e blerë në Turqi!
Por veprimet u bashkërenduan dhe nuk ndaluan këtu, sepse pas një jave, na erdhën zotërinjtë e Monumenteve të Kulturës, me një vendim të firmosur nga Blendi Gonxhe, për rrethimin e kishës së “Shën Stefanit”, kishë që është e shpallur monument kulture!
Mirëpo, me sa di unë, Monumentet e Kulturës merren me restaurimin dhe mirëmbajtjen e objekteve dhe jo me rrethimin e pronave, bile me mur, sikur të ishte burg! Dhe objekte të tilla me vlerë, duhet të jenë të dukshme dhe të ekspozuara, jo të rrethuara me mur tre metra të lartë!
E keni bërë që e keni bërë burg në qiell të hapur këtë vend, vendosët të bëni edhe kishën burg tani??!!
Për informacion, më duhet t’ju them se ajo kishë, është kisha më e vjetër e gjithë zonës së jugut, e ndërtuar rreth shekullit të njëmbëdhjetë dhe është ndërtuar nga të parët tanë, në pronën e tyre, sepse praktika ishte e tillë që gjithsecili, e ndërtonte objektin e kultit, në pronën e vet!
Pra, ajo pronë është e jona prej më se 900 vjetësh dhe kisha e ndërtuar në të, është kishë familjare!
Referojuni për këtë edhe studimit të zotit Aleksandër Meksi, i cili thotë në studimin e vet edhe se kur dhe kush e ka ndërtuar atë kishë! Monument kulture, nëse nuk gaboj, janë edhe shtëpitë e Beratit dhe Gjirokastrës, por kjo nuk do të thotë se ju jepet e drejta t’u privoni pronësinë qytetarëve të tyre!
Pra, ajo pronë dhe të gjitha pronat që po na grabisni, janë prona qindravjeçare, të cilat nuk do të mund të na i merrni! Edhe sikur të arrini t’i merrni tani, me forcën e pushtetit, do të vijë dita që do të kthehen pas, tek të zotët! Sepse në një të ardhme, doni apo nuk doni, do të vendoset edhe në Shqipëri, shteti i së drejtës!
Më lejoni t’ju kujtoj se disa ditë më pas vizitës në pronën tonë, në Dhërmi, bëtë edhe një “shëtitje” në Qeparo, i shoqëruar nga dy vetë, të cilëve nuk është e nevojshme që t’ua përmend emrin. Sepse njerëzit, këto qenie që ju i konsideroni si krijesa të një Zoti të një shkalle më të ulët, shikojnë dhe e kuptojnë më së miri se çfarë po ndodh!!
Dolët në majë të fshatit dhe fotografuat personalisht, të gjitha shtëpitë e vjetra pa çati!!!
Deri këtu kemi arritur që Kryeministri i vendit të merret me shtëpitë e çdo fshati!
Kaq të pangopur jeni?! Do lini ndonjë kasolle, apo ndonjë metër tokë për frymorët e tjerë?!
Shfaqja juaj, e “padjallëzuar” nëpër këto vende, zoti Kryeministër, vetëm për mirë, nuk mund të perceptohet. Më sjell ndërmend një tip ambasadorësh që në diplomaci quhen edhe ambasadorë të misioneve të veçanta, ose ndryshe, ambasadorë destabilizues, sepse në rajonet ku ata shfaqen, gjithmonë priten trazira!!
Gjyshi yt, Petro Koleka, që ishte edhe kushëriri i parë i gjyshes sime, ka lënë një thënie pas nga koha e diktaturës, një thënie që duhej të kishe bole ta thoshe në atë kohë:
“Nuk ka laps që t’i shkruajë poshtërsitë e këtyre!” – duke iu referuar bëmave të shtetit komunist.
Jam i sigurt se po të ishte gjallë, nuk do t’ju kursente as ju dhe do t’ju thoshte:
– Nuk ka kompjuter që të mund t’i shkruajë poshtërsitë e pushtetit tënd! Sepse, maja e lapsit, nuk mjafton!
Kohët e fundit, filluan të na merren edhe shtëpitë e vjetra që na u kthyen me ceremoni, në bazë të V.K.M-së 827/2020, të cilat pas vendimeve, papritur e pakujtuar, i gjetëm të regjistruara në emra të tjerë duke krijuar mbivendosje dhe duke na futur në spiralen e pasosur të gjyqësorit!! Vetëm katër muaj pas vendimit për regjistrimin e shtëpisë, kur ende nuk na kishin dhënë dokumentin e pronësisë, ia regjistruan tjetrit, me të ashtuquajturën listë të trojeve, ndërkohë që ky ligj e ka humbur fuqinë e vet ligjore, që përpara 6–7 vjetësh!! Dhe ia dhanë dokumentin e shtëpisë menjëherë!
Nuk ju thotë gjë kjo?!
Zoti Kryeministër!
Vendosa që t’ju drejtohem me këtë letër të hapur, sepse në çdo zyrë që shkojmë na përplaset dera në fytyrë, në çdo gjykatë që drejtohemi, nuk dëgjohet asnjë arsye logjike që parashtrojmë, nuk merret për bazë as vetë ligji dhe, ca më keq, kur ju drejtohemi juve, na injoroni dhe heshtni!!!
Në këto kushte, logjika më thotë se duhet të jeni ju dhe vetëm ju, arkitekti i kësaj grabitjeje monstruoze që bëhet!!
Dhe do të përmend këtu, thënien e poetit pers, Saadi-ut, e cila është tejet aktuale edhe sot pas afro shtatë shekujsh, kur thoshte:
– Nuk djeg flaka kaq shumë, kur mbi barin bie zjarr, sa djeg ahu i njeriut që ia bënë jetën varr!!
Dhe ju, ia keni bërë jetën varr një populli të tërë! Mos e harroni këtë!