Artan Fuga: A e dinë në Presidencë se Gjykata Kushtetuese nuk varet nga presidenti që nga koha e të ndjerit Haxhi Lleshi?

0
image

Nga Artan Fuga

Presidenca godet me shkresë Gjykatën Kushtetuese!

Të shpëtojë kush të mundet!

Lexova në media se institucioni i Presidencës që drejtohet nga z. Bajram Begaj i paska shkruar një letër gjykatës kushtetuese ku i kërkon të shpallin moskompetencën e gjykimit të çështjes Veliaj dhe të caktohet data e zgjedhjeve për Tiranën.

Pickova kokën se mos isha në ëndërr!

A e dinë në Presidencë se Gjykata Kushtetuese është pushtet më vete që nuk varet nga presidenti që nga koha e të ndjerit Haxhi Lleshi!

Seç mu kujtua edhe Haxhi Qamili!

Si mund t’i drejtohet presidenca me letër urdhëruese gjykatës kushtetuese.

Unë e di që gjykata kushtetuese gjykon edhe presidentin, jo presidenti t’i japë rekomandime gjykatës kushtetuese!

Apo jo o qytetarë të nderuar!

Nuk parashikohet besoj që presidenti të hedhë në gjyq gjykatën kushtetuese për vendimin e gjykatës kushtetuese dhe pastaj gjykata kushtetuese të gjykojë gjykatën kushtetuese!

Më falni po kjo letër a nuk është një presion ndaj drejtësisë nga ana e presidencës? A nuk është një intimidim ndaj gjykatësve që ndëshkohet me ligj?

Dhe pastaj thuhet se do të mbrohen gjykatësit! Ata sulmohen në mes të ditës me shkresë!

A e kupton z. President që sekretarja e tij e përgjithshme duke vepruar ndoshta pa dijeninë e tij, ndoshta – them – ka hedhur në erë kushtetutën? A e kupton se pas krahëve të tij, ndoshta them, tani çdo vendim i gjykatës do të shihet me mosbesim? Sikur gjykata të vendosi ta shpallë veten jokompetente do të thuhet se zbatoi urdhërin e presidencës!

E kupton se ka hedhur në erë besimin te gjykata! Dhe vetë lirinë e gjykatës për ta gjykuar çështjen! 

Uroj që media që e ka botuar këtë lajm të mos jetë e mirëinformuar ose t’ja fusi kot!

Por, vërtet si qytetar jam krejt i habitur!

Sa të ligj këta të medias, gënjejnë ditën për diell, se nuk ka mundësi që presidenca ta ketë bërë një budallik të tillë! Nuk e besoj kurrë.

Atje ka juristë të zotë!

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading