Pastruan 1.25 mln euro drogë, GJKKO jep dënimet për 4 të pandehurit, ja çfarë vendimi u mor për ish-drejtoreshën e Kadastrës Durrës
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin përfundimtar për çështjen penale që përfshin katër të pandehur të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e pastrimit të parave.
Pas shqyrtimit me procedurë të shkurtuar, trupa gjykuese vendosi të shpallë fajtor Besjan Ramaj për “pastrim parash” në bashkëpunim dhe u dënua me 10 vite burg, i reduktuar përfundimisht në 6 vite e 8 muaj.
Leonard Ramaj u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, i reduktuar në 5 vite për të njëjtën vepër penale.
Ardjan Malasi mori një dënim prej 9 vitesh, i reduktuar përfundimisht në 6 vite burg.
Ndërsa ish drejtoresha e Kadastrës në Durrësm, Rajmonda Dashi u dënua me 7 vite, por pas uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është 4 vite e 8 muaj, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në provë për 3 vite.
Të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Gjykata vendosi gjithashtu sekuestrimin e disa pajisjeve elektronike, dokumenteve dhe shumave të parave, të cilat konsiderohen prova materiale në këtë çështje. Disa prej tyre do t’u kthehen të pandehurve dhe një pale të tretë, ndërsa pjesa tjetër do të qëndrojë në fashikullin gjyqësor si prova.
Dosja
Kujtojme qe nje vit me pare SPAK dergoi për gjykim dosjen për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, dy vëllezërit e dënuar për drogë Besjan e Leonard Ramaj dhe biznesmenin Ardjan Malasi, të akuzuar për pastrim parash.
Sipas dosjes hetimore, Dashi kishte arritur të ndihmonte në pastrimin e 1.2 mln euro pasuri të vëllezërve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin në fjalë përmes akteve të shitjeve fiktive për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.
Njoftimi i GJKKO sot (20 tetor):
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 18, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi”. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 65, datë 17.10.2025 vendosi: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 10 vite burgim.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal.
3. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besjan Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.
4. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 7 vite e 6 muaj burgim.
6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.
7. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonard Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite burgim.