Vlerësimi i masave të sigurisë, Belinda Balluku vetëm 30 minuta në GJKKO; çfarë ndodhi në seancë?

Zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka qëndruar më pak se 30 minuta në GJKKO, atje ku ka nisur një seancë për rivlerësimin e masave të sigurisë ndaj saj dhe dy zyrtarëve të tjerë, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Nga raportimet mësohet se seanca për vlerësimin e masave të sigurisë është shtyrë për rreth dy orë.
Kjo për faktin se avokatët mbrojtës kanë kërkuar të njihen me aktet e SPAK, mbi të cilat janë vendosur masat e sigurisë, ndaj zv.Kryeministres Balluku dhe dy zyrtarëve të tjerë. GJKKO ka vendosur që t’i vërë në dispozion avokatëve fashikujt hetimor të SPAK, mbi të cilat është bërë caktimi i masave të sigurisë.
SPAK ka kërkuar dy masa sigurie për zv.Kryeministren Belinda Balluku, pezullim nga detyra dhe moslejim të daljes jashtë vendit.
Qeveria nga ana e saj e konsideron masën e SPAK për pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare si anti-Kushtetuese. Në këtë kuadër, Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e kërkesës së SPAK.
GJKKO thekson se zyrtarët janë pjesë e procedimit penal nr. 136/2025 të SPAK-ut, që lidhet me procedurat e tenderave për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës.
Gjykata e Posaçme vendosi dy ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.