SHBA drejt përballjes finale me Republikën Islamike
Ish-shefi i CIA-as dhe ish-Sekretari i Shtetit gjatë mandatit të tij të parë, i bën publikisht thirrje presidentit Trump që të lëvizë të gjithë gurët për t’i dhënë grushtin e fundit teokracisë iraniane të Ajatollahëve. Apeli vjen në një kohë kur Uashingtoni nuk ka arritur ende një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ka acaruar shumë raportet me aleatët evropiane dhe ndodhet në prag të luftës me Venezuelën…
Regjimi iranian ndodhet sot në një gjendje shumë të vështirë. Falë veprimeve vendimtare të presidentit Donald Trump dhe Izraelit, Republika Islamike nuk është më fuqia rajonale që ishte dikur dhe tani po përballet me kriza serioze në çdo front.
Infrastruktura ushtarake e Iranit, ka pësuar një degradim serioz dhe programi i tij i paligjshëm bërthamor është dëmtuar rëndë. Rrjeti i tij i përfaqësuesve në të gjithë Lindjen e Mesme po shpërbëhet: Hezbollahu është dobësuar ndjeshëm; dinastia e Asadit është shembur; milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, përballen me reagime politike dhe publike në rritje; dhe Hamasi në Gaza është kthyer në një hije të vetvetes.
Situata e brendshme është gjithashtu shumë e zymtë. Për shkak të keqmenaxhimit kronik ekonomik, korrupsionit dhe izolimit ndërkombëtar, ekonomia është në kaos dhe vendi po thahet për ujë. Duke mos pasur legjitimitet popullor dhe duke qenë i paaftë për të ofruar rezultate për popullin e tij, i vetmi instrument kontrolli që i ka mbetur regjimit është sundimi përmes frikës.
Pavarësisht dobësive të shumta, ka ende shumë njerëz në Perëndim që vazhdojnë të veprojnë nën keqkuptimin apo iluzionin se nuk ka asnjë alternativë ndaj qeverisë aktuale. Por ky mendim është i gabuar në çdo nivel.
Ai shpërfill aspiratat e miliona iranianëve që kanë rrezikuar jetën e tyre për të kërkuar ndryshim; injoron ekzistencën e një opozite të organizuar mirë dhe demokratike, e cila ka shpenzuar më shumë se 4 dekada duke luftuar kundër mullahëve dhe duke u përgatitur për ditën pas rënies së teokracisë; dhe e përjetëson propagandën e regjimit, sipas së cilës Perëndimi duhet të tolerojë brutalitetin e tij, vetëm sepse alternativa është kaosi.
Populli iranian e ka bërë të qartë preferencën e tij përmes rebelimeve të përsëritura. Ai nuk
do as teokraci dhe as monarki, por një republikë të lirë, demokratike dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve. Lëvizja e organizuar pro-demokracisë në Iran ka kapacitetin, mbështetjen popullore dhe planin sistematik të nevojshëm për të zëvendësuar “mullahokracinë” e dështuar me një qeveri që pasqyron vullnetin e popullit.
Kjo forcë ka një plan të besueshëm për një Iran demokratik që përfshin zgjedhje të lira, sundimin e ligjit, ndarjen e fesë nga shteti dhe angazhimin për të mos prodhuar armë bërthamore. Kjo lëvizje, nuk kërkon trupa amerikane në terren apo ndonjë lloj ndryshimi regjimi nga jashtë.
Ajo kërkon vetëm që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të mbështesin kërkesën e popullit iranian për vetëvendosje, dhe t’i mohojnë regjimit qasjen tek burimet, mbi të cilat ai mbështetet për të mbijetuar.
Nga historia e dimë se rrezmi i regjimeve autoritare, duket shpesh i pamundur derisa ndodh papritur. Kur shërbeja në Gjermaninë Perëndimore si oficer në fund të viteve 1980, ideja se Muri i Berlinit do të rrëzohej vetëm pak muaj pas përfundimit të misionit tim dukej si fanta-shkencë.
Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Edhe pas gati 14 vitesh luftë civile, askush nuk e parashikoi rënien e shpejtë të Asadit në Siri. Sot, diktatura e Iranit tregon shenjat klasike të rraskapitjes që paralajmërojnë fazat e fundit të një regjimi: kolaps ekonomik, përçarje të brendshme dhe një popullsi që nuk pranon më të jetojë nën sundimin klerikal.
Detyra e politikëbërësve amerikanë, nuk është të parashikojnë momentin e saktë të rënies së regjimit, por të krijojnë mjedisin e duhur, që rezultati të jetë stabiliteti dhe jo kaosi. Kjo kërkon një qasje të rrënjosur tek realizmi dhe gatishmërinë për të hequr dorë nga formulat diplomatike të dështuara të së kaluarës.
Kjo e fundit ka karakterizuar politikat e Presidentit Trump ndaj Iranit si në administratën e tij të parë ashtu edhe në atë të dytë. Tani ai ka mundësinë të përmbyllë arritjet e tij historike në Lindjen e Mesme me një arritje vërtet transformuese dhe të ndihmojë në përshpejtimin e rënies së regjimit iranian.
Përfitimet e një ndryshimi të tillë, do të ishin të pallogaritshme: terroristët do të humbnin sponsorin e tyre kryesor, kundërshtarët e Amerikës do të humbnin një pikë kyçe në rajon dhe do të krijoheshin mundësi të mëdha ekonomike në sektorët detarë dhe të energjisë; dhe një popullsi iraniane shumë e arsimuar dhe e ndërlidhur globalisht, mund të dilte si një partner i natyrshëm ekonomik dhe politik për Shtetet e Bashkuara.
Asnjë forcë e jashtme nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë ndryshimin e regjimit brenda Iranit. Kjo është një punë e popullit iranian. Por ne mund t’i ndihmojmë ata duke rritur presionin e jashtëm dhe duke mbështetur dëshirën e tyre për një të ardhme paqësore dhe demokratike.
Detyra jonë është e thjeshtë: të qëndrojmë krah popullit iranian, të njohim vizionin e tyre demokratik dhe t’u mohojmë klerikëve në pushtet paratë, legjitimitetin dhe pandëshkueshmërinë. Kur të vijë dita e ndryshimit – dhe kjo do të ndodhë – Shtetet e Bashkuara duhet të jetë në pozicionin më të mirë për të çelur një epokë të re miqësie me popullin iranian./ Përshtatur nga “Fox News”
*Mike Pompeo, analist në FOX News., ish shefi i CIA-s në mandatin e parë të Trump dhe më pas Sekretar i Shtetit.