Qeveria izraelite mohon se po kryen gjenocid në Gaza
Izraeli të premten mbrojti domosdoshmërinë ushtarake të ofensivës së tij në Gaza, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), pasi Afrika e Jugut u kërkoi gjykatësve që ta urdhëronin atë të ndalonte operacionet në Rafah dhe të tërhiqej plotësisht nga territori palestinez.
Reuters raporton se zyrtari i ministrisë izraelite të Drejtësisë, Gilad Noam e quajti rastin e Afrikës së Jugut, i cili akuzon Izraelin për shkelje të konventës së gjenocidit, “plotësisht të shkëputur nga faktet dhe rrethanat”.
Sipas Reuters, përpara prezantimit të Izraelit në GJND, disa dhjetëra protestues pro-izraelitë u mblodhën jashtë, duke shfaqur fotografi të pengjeve të marra nga Hamasi më 7 tetor dhe duke kërkuar lirimin e tyre.
Të enjten, ambasadori i Afrikës së Jugut në Holandë, Vusimuzi Madonsela, kërkoi nga gjykata që të urdhërojë Izraelin që “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte, ushtrinë izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës”.
Ekipi ligjor i Afrikës së Jugut e përcaktoi operacionin ushtarak izraelit si pjesë e një plani gjenocidal që synon të sjellë shkatërrimin e popullit palestinez.
Në vendimet e kaluara, gjykata ka hedhur poshtë kërkesat e Izraelit për të pushuar çështjen dhe e ka urdhëruar atë të parandalojë aktet e gjenocidit kundër palestinezëve, ndërkohë që nuk e ka urdhëruar atë të ndalojë sulmin.
Ndërkaq, të premten Noam i tha GJND-së se po ndodh një “luftë tragjike, por jo gjenocid”.
“Kjo luftë, si të gjitha luftërat, është tragjike. Për izraelitët dhe palestinezët, dhe ka shkaktuar një çmim të tmerrshëm njerëzor, por nuk është gjenocid”, ka deklaruar ai.