Belinda Balluku ndjek punimet e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe deklaron: Deri tani janë kryer 70% e volumit të punëve.
Kanë përfunduar afro 70% e punimeve fizike, si dhe 90% e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti Sot zëvendëskryeministrja, njëherësh edhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Hekurudhës, Ergys Verdho ndoqën nga afër ecurinë e punimeve. për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, dhe në degëzimin e aeroportit “Nënë Tereza. Sipas të dhënave deri tani kanë përfunduar afro 70% e punimeve fizike, si dhe 90% e veprave të artit që janë pjesë e projektit.
Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit dhe më pas ky projekt do të pasohet edhe me projekte të tjera në vijim si strategji e Qeverisë Shqiptare për rijetëzimin e këtij sektori.
“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme përsa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70% e volumit të punëve të kryera, në ndërkohë që 90% e volumit të veprave të artit të përfunduar. Çfarë është më e rëndësishme që duhet thënë, hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit dhe një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimit Europian incentivon dhe shtyn përpara për realizimet e tyre. Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë”, ka deklaruar Balluku.
