Zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës. Miratohen të gjitha vendimet e rendit të ditës dhe zgjidhet nënkryetarja e re.
Ditën e martë më 21 maj 2024 u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Durrës ku temë kryesore e rendit të ditës ishte raporti mbi parandalimin e dhunёs me bazё gjinore si dhe për auditimin e brendshëm të ndërmarrjeve në varësi të bashkisë për vitin 2023 por kishte edhe pika të tjera të rendit të ditës që u bënë objekt diskutimi nga këshilltarët. Ishte këshilltari demokrat Joni Myshketa i cili kërkoi nga kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako disa sqarime në lidhje me planin e mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu Myshketa kërkoi të dhëna se si paraqitet gjendja në lidhje me rëndesën në buxhetin e Institucionit nga menaxhimi i mbetjeve urbane.
“Ne kemi realizuar mbledhjen e të ardhurave në nivelin 87% në vitin 2023, e cila nuk ka qenë asnjëherë kaq e lartë. Shpenzimet janë arritur në nivelin 78%. Pra nëse do të bëjmë një mesatare të të gjithë shifrave që përmendët ju, por edhe të tjera që nuk i prekët në fjalën tuaj sinqerisht ka vend për të përmirësuar punën në terren- deklaroi Sako.

Kryebashkiakja Sako u ndal edhe në pagesat e Landfillit të Sharrës:
261 milionë lekë është pagesa që ne i detyrohemi landfillit të Sharrës për depozitimin e mbetjeve dhe këtu kemi politika për të bërë uljen e këtij volumi, që do të vijmë patjetër pas hartimit të masterplanit të mbetjeve ku do të përcaktohet dhe stacioni i transferimit. Ndërtimi i stacionit të transferimit do të sjellë fillimin e konceptit të diferencimit që në burim të mbetjeve dhe patjetër do të çojë në uljen e kësaj tarife.- ka përfunduar ajo.

U miratuan dhe disa vendime të rëndësishme në lidhje me familjet që në kuadër të programit të rindërtimit përfitojnë banesa edhe grante në të gjitha njësitë administrative.
Pika të tjera të rendit të ditës që u miratuan ishin:
familjet përfituese të ndihmës ekonomike,
raporti mbi monitorimin e zbatimit të buxhetit të bashkisë Durrës për vitin 2023,
miratimi i përdorimit të fondeve të trashëguara nga viti 2023,
miratimi i vlerës mesatare të qirasë së apartamenteve të banimit për efekt të subvencionimit të qirasë,
lista emërore e familjeve që përfitojnë grantin e menjëhershëm nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për familjet që përfitojnë ulje të vlerës së kontratës,
lista emërore e nxënësve të arsimit parauniversitar, që përfitojnë bursa,
plani i përmirësimit të shërbimit në arsimin parashkollor 2024-2026,
plani i masave për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje dhe kullota,
transferimi përfundimtar dhe përditësimi i të dhënave për një pronë në funksion të ndërtimit të shkollës së mesme Kuçok, Manëz,
shtesë në VKB-në për sistemin e adresave,
në VKB-në për miratimin e hartës së përgjithshme të plazheve si dhe vendime të tjera
në kuadër të programit të rindërtimit.
Jashtë rendit të ditës kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë Rolant Xhelilaj propozoi zj. Denisa Luarasi në postin e nënkryetares së Këshillit Bashkiak, post që deri pak kohë më parë mbahej nga Alneida Rroshi. Propozimi u miratua unanimisht.
Një pikë tjetër e rendit të ditës ishte propozimi që lulishtja në hyrje të Durrësit të marrë emrin e personalitetit të artit dhe të kulturës Moikom Zeqo, i cili është ndarë nga jeta në qershor 2020. Propozimi u miratua me votat e të gjithë pranishmëve,
Në fund të mbledhjes u lexuan dy raportime nga stafi i bashkisë, që lidheshin me “Parandalimin e dhunës me bazë gjinore” dhe “Auditimin e ndërmarrjeve në varësi të bashkisë”.