Bushi flet për Berishën. I premtova shiritin e kapitenit që të vinte nga Kosova te Shqipëria
Trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi, ka zbuluar detaje se si e ka bindur mesfushorin Medon Berisha të largohej nga Kosova për “Kuqezinjtë”.
Në një konferencë për media të mërkurën, Bushi ka treguar se Berishës ia ka ofruar shiritin e kapitenit te Shqipëria U21 për shkak të, siç ka thënë ai, personalitetit dhe lidershipit që ka në fushë.
“Kur e kontaktova Medon Berishën ka qenë pjesë e Kosovës dhe i premtova edhe shiritin e kapitenit për të qenë pjesë e Shqipërisë. I premtova sepse e shihja kishte shumë personalitet në fushën e lojës, ishte lider”, ka thënë Bushi, duke i uruar suksese në Evropian.
Medon Berisha, 20-vjeçar që luan te Lecce në Serie A, ishte befasia e listës së trajnerit Sylvinho për në Kampionatin Evropian. Berisha ishte në mesin e lojtarëve që ka zgjedhur trajneri brazilian për t’i marrë në Gjermani.
Berisha ka pasur dy paraqitje për Shqipërinë U19 e një për Shqipërinë U20. Më pas u paraqit dy herë te Kosova U21, përpara se të kalonte te Shqipëria U21.
Evropiani nis më 14 qershor.
