Egjiptianët e lashtë mund të jenë përpjekur të trajtojnë kancerin 4000 vjet më parë
Dy kafka që datojnë nga Egjipti i Lashtë dhe të ruajtura në Universitetin e Kembrixhit mund të mbajnë shenjat më të hershme të njohura të trajtimit të kancerit.
Prerjet e holla në një nga mbetjet që datojnë rreth 4,000 vjet mund të jenë ose shenja të një operacioni për të hequr kancerin ose një “eksplorim mjekësor pas vdekjes”, sipas një studimi të ri të botuar në revistën shkencore Frontiers in Medicine.
Kafka mendohet se i përkiste një burri 30 deri në 35 vjeç që jetonte midis viteve 2686 dhe 2345 pes, afërsisht në të njëjtën kohë kur u ndërtua Piramida e Madhe e Gizës.
Mbetjet e dyta datojnë midis viteve 664 dhe 343 pes dhe i përkisnin një gruaje mbi 50 vjeç, e cila i mbijetoi një frakture të kafkës dhe pësoi një tumor. Shkencëtarët e përfshinë kafkën në studimin e tyre pasi ajo dëshmonte për nivelin e kujdesit që egjiptianët ishin në gjendje të ofronin për të lënduarit ose të sëmurët.
Egjipti i lashtë ka një nga “bazat më të avancuara të njohurive mjekësore” në Antikitet, me mbetje njerëzore të ruajtura mirë dhe papirus që ofrojnë një vështrim në praktikat e kujdesit shëndetësor të kohës.
Studiuesit besojnë gjithashtu se mjekësia e lashtë egjiptiane ishte “mjaft e avancuar për të përshkruar, klasifikuar dhe trajtuar me sukses sëmundje specifike dhe lëndime traumatike, duke përfshirë traumën e kockave”.
Kanceri është gjetur më parë në mbetjet njerëzore, me rastin më të vjetër që daton 1.7 milionë vjet më parë, por kjo analizë hedh një dritë të re mbi gjendjen.
Sipas autorëve, këto gjetje përforcojnë idenë se “kanceri ishte shumë më i përhapur sesa supozohej më parë”.