Serbi. Zgjedhje në komunat shqiptare Preshevë dhe Bujanovc.
Kandidati për kryetar të Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi ka ftuar të gjithë shqiptarët në Komunën e Bujanocit që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të votojnë me mendje dhe me zemër.
Kandidatë për kryetarë të Komunës së Bujanocit, përveç Mustafit, janë edhe kryetari i PD-së, kryetari aktual i komunës, Nagip Arifi, Shqiprim Musliu i LPD-së, si dhe Arbër Pajaziti, nga Alternativa për Ndryshim.

Në Bujanoc deri në ora 10 votuan 6.3 për qind e votuesve
Në Bujanoc deri në ora 10 kanë votuar 6.3 për qind e votuesve ka njoftuar Komisioni Zgjedhor i Serbisë, raporton “RTS”.
Ndërkohë në Preshevë deri në ora 9 kanë votuar 3.5 për qind të votuesve.
Qendrat e votimit në këto dy komuna janë hapur nga ora 7.
Presheva ka rreth 43500 votues të cilët do të votojnë në 37 qendra të votimit për 39 mandate. Në Bujanoc kanë të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët do të votojnë në 59 vendvotime për 41 mandate.
Në të dy komunat vlen rregulli i njëjtë, i arritjes së shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve për të arritur zgjedhjen e kryetarit të komunës, i cili pra nuk zgjidhet me votën e drejtpërdrejt.
Në Preshevë në garë janë 6 subjekte shqiptare dhe një subjekt serb. Në Bujanoc ndërkaq po garojnë 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom. Tri nga 4 subjekte politike shqiptare: Partia për Veprim Demokratik që udhëhiqet nga Shaip Kamberi, Partia Demokratike që udhëhiqet nga Nagip Arifi dhe Lëvizja e Progresit Demokratik me kryetar Shqiprim Musliun, kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni parazgjedhor sipas të cilës, subjekti që merr më shumë mandate do të udhëheqë me komunën e Bujanocit dhe për këtë do të ketë garancë votat e këshilltarëve të subjekteve që marrin më pak mandate.