Lulzim Basha  mbështet SPAK :Rama, Berisha dhe Meta nuk kanë më çfarë të japin, vendit i duhet ndryshim dhe jo rotacion, në 2025-ën shqiptarët do të kenë një qeveri me një plan ekonomik të qartë për të luftuar korrupsionin dhe për të mirëqeverisur

0
image-181

Kryetari i Partisë Demorkatike zyrtare, Lulzim Basha ka komentuar situatën politike në vend. Fillimisht kryetari i PD, Lulzim Basha, është shprehur se me ish-kryeministrin Sali Berisha nuk ka asnjë komunikim që prej shtatorit të vitit 2021, përveçse ndonjë mesazhe në raste të fatkeqësive familjare. Komentet Basha i bëri në emisionin “Interview” në “Euronews Albania”, ku tha se koha ka treguar se nëse Berisha do të ndiqte këshillat e tij, do të ishte më mirë për vendin dhe për vetë ish-kryeministrin. Basha gjithashtu theksoi se Berisha në këtë stad ku është nuk ka çfarë jep më për Shqipërinë dhe shtoi se e sheh me keqardhje kur e sheh që flet nga ballkoni i shtëpisë së tij. “Në këtë pikë jemi shumica dërrmuese në një mendje. Sa më shumë merremi me këtë çështje, aq më pak merremi me detyrën tonë para qytetarëve, që është edhe denoncimi i keqqeverisjes, edhe shpalosja e alternativës. Ndaj kemi vendosur t’i japim fund kësaj telenovele. Shqiptarët e dinë sa e korruptuar është kjo qeveri. E dinë që kanë futur edhe kriminelë në radhët e saj për të marrë e mbajtur pushtetin. T’u japim shqiptarëve rrugët e daljes nga kjo gjendje. PD-së i lind detyra që të japë ofertën për ndryshim. Një ofertë sa thelbësore, por edhe një rrugë të besueshme për ta zbatuar këtë aferë. Nuk më vjen mirë që ta shoh Berishën në këtë pozitë. Më vjen keq. Në fund të fundit është një njeri që në 34 vite të tranzicionit shqiptar ka bërë jo pak për vendin. Sigurisht ka dritëhijet e tij, por nuk mund t’i mohohen as gjërat pozitive që ka bërë. Më vjen edhe më keq kur tashmë është e qartë, që po të kishte ndjekur këshillat e mia do të ishte më mirë për Shqipërinë, për Partinë Demokratike, por dhe për atë vet dhe familjen e tij. Është këshilluar keq dhe e vetmja gjë që mund të them sot është që në këtë pozitë ku është nuk ka çfarë të jap më as për Partinë Demokratike, as për vendin. Në 9 shtator të 2021 kam komunikuar për herë të fundit me të”, deklaroi ai.

PD mbështet SPAK

Më tej kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se Partia Demokratike në 2025-ën kërkon të sjellë një ndryshim real, jo thjesht rotacion. Duke komentuar punën e SPAK, kreu i PD tha se ky institucion ndodhet në syrin e ciklonit dhe meriton mbështetje, duke iu referuar nismave të PD për t’i ardhur në ndihmë prokurorisë speciale përmes amendamenteve të prezantuara në parlament. “Në 2025-ën synimi jonë është jo thjesht rotacioni, por ndryshimi politik për vendin. Një qeveri e re, me një plan të qartë, ekonomik në radhë të parë dhe për të trajtuar problemet që shqiptarët sot i shqetësojnë më shumë. Siç e thash familjet shqiptare, e ardhmja e rinisë shqiptare, shkollimi me qëllim punësimin e rinisë shqiptare me rroga dinjitoze në vendin e tyre, si kura e vetme për t’i dhënë fund shpopullimit dhe largimit të të rinjve. Pra, një program esencialisht i bazuar në nevojat e shqiptarëve”, u shpreh Basha mbi ofertën e PD. Komentet Basha i bëri në emisionin “Interview” me Mirela Milorin” në “Euronews Albania”, ku tha se partitë politike duhet të qëndrojnë larg drejtësisë dhe të japin mbështetje të plotë për sistemin gjyqësor. Basha tha gjithashtu se amendamentet e PD për SPAK nuk janë marrë parasysh në Kuvend, pasi sipas tij, ka një vullnet të mbrapsht për të frenuar punën e këtij institucioni. “SPAK është në syrin e ciklonit edhe për faktin se ka filluar të punojë dhe të japë rezultat dhe për këtë meriton mbështetje. Sigurisht nuk ka kartabianka për askënd, pritshmëritë janë të larta dhe kjo ndonjëherë kthehet në një kurth. Sepse arritje të mira por jo në lartësinë e pritshmërive mund të jenë të pamjaftueshme për të frenuar zhgënjimin popullor. SPAK është akoma në gjykimin e qytetarëve. Gëzon mbështetjen e tyre dhe duhet të gëzojë mbështetjen e tyre. Për ne si PD e rëndësishme është që SPAK t’i jepet mbështetje totale politike. Politika duhet të qëndrojë larg drejtësisë. Legjislativi ka për detyrë që ta mbështesë SPAK, GJKKO dhe BKH me gjithçka që kërkohet. Kjo është arsyeja që kemi çuan në Parlament propozimet tona. Por duket se nuk ka vullnet për të ndihmuar SPAK, por ka një vullnet të mbrapsht për ta frenuar SPAK. Kjo do të ishte me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha Basha.

Qeverisja Rama

Ndërkohë kreu i PD, Lulzim Basha, foli edhe për qeverisjen 13 vjeçare të Ramës ku tha se një nga sukseset që ka është eksporti masiv i shqiptarëve jashtë vendit. Basha tha se nuk mund të jetë një kryeministër i pastër kur një pjesë të qeverisë e ka në burg dhe një pjesë e ka në arrati. Sipas tij, vendi është në një gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike. “Në fakt dikush që merr përgjegjësi qeverisëse, nuk gjykohet nëse është i zoti të marrë pushtetin, ta mbaj pushtetin, me hile me dredhira, me patronazhistë, me blerje vote, me makinacione, me korrupsion. Ka arritur të korruptojë shefin e Kundër inteligjencës të Zyrës së FBI-së së New Yorkut. Por çfarë ka bërë për vendin. Dhe nëse shohim se çfarë ka bërë për vendin, suksesi më i madh i Edi Ramës, eksporti më i madh i Edi Ramës, janë shqiptarët. Zbrazja e vendit, largimi i shqiptarëve, mbjellja e pesimizmit, status quo gjithmonë dhe më e rrënuar për familjet shqiptare, për prindërit shqiptarë, për sipërmarrjen shqiptare, këto janë të gjitha prodhime të tij. Se është e lehtë të thuash sot që gjysmën e kabinetit e ke në burg, një pjesë e ke në kërkim ndërkombëtar dhe unë jam dorëjashtë. A ka njeri ta besojë që ajo që provohet falë SPAK si qeveria më e korruptuar e 34 viteve, është e tillë me një kryeministër të ndershëm në krye? Pra me një analizë nuk do thoja shumë të thellë, por duke vënë pak trurin në punë, e kupton që jetëgjatësia e tij në pushtet nuk shoqërohet me një rekord të suksesshëm që t’i jepte atij staturën e një shtetari që ka bërë mirë për Shqipërinë. Shqipëria sot është në një gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike, është e përgjysmuar numerikisht krahasuar me kur mori pushtetin, kjo është një arsye pse mbahet prej kaq muajsh censusi sekret. Dhe këto janë rekorde jashtëzakonisht të rënda edhe për një kryeministër prej 3 vitesh dhe jo më për një kryeministër prej 12 vitesh”, nënvizoi Basha.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading