Mbështetësit e Belerit në festë: Himara do të jetë europiane nga nesër
Himara ka filluar festën mbrëmjen e sotme, pasi kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri i cili po kandidon me partinë Demokracia e Re të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, po shkon drejt fitores së mandatit të eurodeputetit në Parlamentin Europian.
Aktivisti për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Marin Suli, i cili është njëherësh edhe një mbështetës i Belerit, tha se sot Himara është zyrtarisht në Europë.
Ai tha se himariotët do të luftojnë për të drejtat e gjithë shqiptarëve, të cilat sipas tij janë të shtypura nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Suli tha gjithashtu se Beleri nuk ndodhet në burg, por është rrëmbyer nga Rama dhe është i burgosur politik.
“Sot nuk është festë në Himarë, por festë në Shqipëri. Himara e lirë është Himara e gjithë shqiptarëve dhe grekëve që jetojnë në Himarë. Beleri nuk ndodhet në burg, është i rrëmbyer dhe burgosur politik nga Edi Rama. Nesër Himara gdhihet europiane. Është 30 vite para anëtarësimit të Shqipërisë në Europë. Himariotët janë më europianë se kurrë dhe do të luftojnë 30 herë më tepër për të drejtat e shqiptarëve që janë të shtypura. Nëse gjërat shkojnë si janë, Shqipërisë do i duhen edhe 30 vite për të qenë pjesë e BE, ndërsa Himara është që sot, sepse është në PE. Ramën nuk e llogarit më askush as në Shqipëri, e as në Greqi”, tha Suli.