Prokurorë e gjyqtarë amerikanë vizitë në Shqipëri,takime me përfaqësues të SPAK-ut.
Prokurorë e gjyqtarë amerikanë vizitë në Shqipëri, takime me përfaqësues të SPAK-ut dhe Gjykatave Speciale.
Prokurorë e gjyqtarë të SHBA mbërritën dje në Tiranë, për t’u takuar me zyrtarë të SPAK-ut dhe Gjykatave Speciale, por edhe institucionet e tjera të drejtësisë. Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA në Tiranë, bën me dije se në Shqipëri ka mbërritur Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah, Kryegjyqtari Robert Shelby, nga Gjykata e Qarkut të Utah dhe gjyqtarja Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah, të cilët do të qëndrojnë për pesë ditë. “Gjatë pesë ditëve në Shqipëri, ata do të takohen me prokurorë e gjyqtarë të SPAK-ut dhe Gjykatave Speciale, si dhe me zyrtarë të institucioneve të tjera të drejtësisë për t’u shkëmbyer mbi sundimin e ligjit dhe parimet e qeverisjes së mirë. Vizita e gjyqtarëve dhe prokurorëve përforcon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri”, thuhet më tej në njoftim.
Pra edhe njëherë amerikanët tregojnë qartë se SPAK nuk preket. SHBA duken të vendosur për të çmontuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Vitet e fundit Uashington ka investuar miliona dollar në vendin tonë, duke mbështetur fuqishëm institucionet ligjzbatuese, sidomos ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po ashtu, paralelisht përveç mbështetjes financiare, shumica e së cilës shkoi për reformën në drejtësi dhe organet e reja të dala prej saj, amerikanët kanë ndihmuar edhe autoritete shqiptare me asistencë në nivel ekspertësh, duke sjellë prokurorë nga radhët e FBI. E gjitha kjo përpjekje e fortë në rrafshin juridik është shoqëruar edhe me një mbështetje edhe në fushën ushtarake, ku Shqipëria është kryefjalë e NATO-s dhe është zgjedhur si vend për të investuar e atashuar forca special të aleancës, shumica e së cilës janë të SHBA. Të gjitha këto fakte dhe prova, tregojnë qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosur për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.