Akuza se përfitoi tendera publikë, vajza e Linda Ramës padit Berishën, Rea Xhillari çon në gjyq kreun e PD.
Akuza se përfitoi tendera publikë, vajza e Linda Ramës padit Berishën, Rea Xhillari çon në gjyq kreun e PD dhe gjashtë deputetë të opozitës për shpifje.
“Thjeshtra e parë e vendit, vajza e familjes Rama, ka përfituar nëpërmjet kompanive një studio belge në të cilën është e punësuar, ka qenë, se ka histori tani e mbrapa, Rea Xhillari”, thotë Berisha. Sali Berishës kryetar i PD bashkë me deputetët e tij, Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Edmond Spaho janë paditur për cenimin të personalitetit dhe reputacionit nga përhapja e thënieve të pavërteta me natyrë shpifëse.
Kjo është aktpadia e cila disponohet nga “Top Channel” depozituar në Gjykatën e Tiranës nga Rea Xhillari vajza e bashkëshortes të kryeministrit Edi Rama. Ajo i është drejtuar gjykatës me këtë padi pas një mori me deklarata akuzuese te pa mbështetura në fakte nga Berisha bashkë deputetët e tij përfshi një kërkesë për interpelancë me Edi Rama me subjekt aktivitetin e Rea Xhillarit.
“Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua”, shkruan Rea Xhillari.
Në aktpadi ajo shpjegon se përse tani e ndërmerr këtë hap duke i adresuar shpifjet në gjykatë.“Në këto 8 vite, kam gjykuar që shpifjet publike ndaj meje, të konsumuara nga ana e përgojuesit tim në terrenin politik e publik, nuk meritojnë përfshirjen time. Kjo sepse së pari, nuk kam zgjedhur politikën si fushë të interesit tim dhe nuk jam jo vetëm faktor i drejtpërdrejtë, po as i tërthortë i debatit politik. Së dyti, sepse Sali Berisha është shpallur “shpifës” me vendim gjykate në shumë raste dhe më është dukur sikur durimi ishte më i arsyeshëm se sa denoncimi i një personazhi që shpifjen e ka natyrë të dytë. Së fundi, sepse ky personazh nuk ka pushuar së shënjestruari, godituri dhe përbalturi nënën time, Linda Ramën, nga momenti që ajo zgjodhi të ishte bashkëshorte e Edi Ramës. Linda, nëna ime, është shembulli im i qytetarisë dhe profesionalizmit, modeli i përkushtimit familjar dhe dinjitetit publik”, shkruan Rea Xhillari.
Shpifjet e 8 viteve ndaj meje thotë Rea Xhillari në datën 10 qershor 2024 avancuan, nëpërmjet një kërkese shkresore duke u transportuar nga hapësira e dalldisë politike, në institucionin ligjvënës të vendit tim. Në kërkesën për interpelancë deputetët e opozitës e akuzonin Rea Xhillarin se kishte marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, si bashkëpunëtore edhe nëpërmjet subjektit tregtar “I RI” sh.p.k., bashkëthemeluar nga shtetasi Gent Agolli dhe subjekti 51N4E”. “Ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë. Ka marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejtë, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre”, thuhet në akuzat e PD.