Meçollari “demaskon” me fakte Peleshin për ndërtimin e bazës detare të NATO në Porto Romano,si ministri po tenton të mashtrojë.
Artur Meçollari “demaskon” me fakte Niko Peleshin për ndërtimin e bazës detare të NATO në Porto Romano, ja si ministri po tenton të mashtrojë qytetarët me dokumentin e firmosur në Uashington.
Kapiteni i rangut të parë dhe ish-numri dy i Forcës Detare, Artur Meçollari ka demaskuar me fakte mashtrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila drejtohet nga Niko Peleshi. Sipas Meçollarit, pjesë e planit qeveritar të dezinformimit është porti detar në Porto Romano dhe baza detare e NATO-s dhe në këtë mes Ministria e Mbrojtjes po përdor për mashtrim një dokument të firmosur në Uashington. “Ministria e Mbrojtjes dezinformon opinionin publik dhe pjesë e planit qeveritar të dezinformimit është porti detar në Porto Romano dhe baza detare e NATO-s. Shqipëria, Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut lehtësojnë lëvizshmërinë Ushtarake në Korridorin e VIII! Dokumenti firmoset në Uashington. Kjo marrëveshje nuk ka lidhje me gjurmën e korridorit të 8-të, pra kush është pika hyrëse në Shqipëri.
Por, siç shprehet Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut thuhet “Qëllimi i kësaj nisme është të mundësojë një lëvizje më të shpejtë të forcave dhe pajisjeve ushtarake të Aleancës duke thjeshtuar procedurat e kalimit të kufirit kombëtar, veçanërisht në kohë krize”. Është e artë marrëveshja e firmosur nuk lidhet me infrastrukturën apo gjurmën e Korridorit të 8-të, por procedurat doganore, kufitare apo logjistike. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë duke shfrytëzuar këtë marrëveshje, dezinformon opinionin publik me përfshirjen e bazës detare të NATO-s në Porto Romano. Ajo synon të krijoj imazhin e rremë se ka dakordësinë e NATOS dhe tre vendeve të tjera të marrëveshjes për Porto Romanon si pikë hyrje në Ballkan e Korridorit të 8-të dhe si bazë detare e NATO-s”, shkruan Meçollari,
Faktet që rrëzojnë Peleshin
Meçollari thotë se deri më tani as NATO dhe as BE nuk e kanë mbështetur deri tani projektin e portit Porto Romanos. “Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë thuhet se “Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit vjen në mbështetje të vizionit që Shqipëria ka për Korridorin VIII si edhe të master-projektit për ndërtimin e Bazës Detare NATO në Porto Romano, që do të shërbejë si porta kryesore hyrëse në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Detin e Zi”. Porti në Porto Romano nuk është tenderuar ende. Që të bëhet, por që nuk plotëson kërkesat kombëtare dhe të NATO-s, si hyrje e Korridorit VII i duhen mbi 10 vjet. As NATO dhe as BE nuk e kanë mbështetur deri tani projektin e portit Porto Romanos. KM Rama përpara dy vitesh prezantoi këtë projekt në Bruksel (NATO). KM Rama dy herë e ka pyetur live Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, por ai nuk është përgjigjur. Po ashtu pyeti live ish Komandantin e SHAPE-it gjeneral Walters, por ai nuk u përgjigje.
Një vit më parë disa media pranë qeverise përhapën informacionin e rremë se tre dragamina të NATO-s, gjatë vizitës në Durrës kishin kryer kontroll për mina në Porto Romano. Në fillim të vitit 2024 Rama dërgoi Begajn në SHAPE, por u kthye me duar bosh. Përkundrazi, Komandanti aktual Suprem i NATO-s në Europë (SHAPE) gjeneral Cavoli në vitin 2021 është shprehur se “Porti historik i Durrësit ka qasje strategjike për Aleancën””, përfundon shkrimin Meçollari. Kujtojmë se edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të fundit në Tiranë nuk e konfirmoi ndërtimin e kësaj baze detare. Ai tha se vazhdojnë diskutime, por hodhi poshtë çdo lajm nga qeveria.