Dosja me abuzimet e fondeve IPARD drejt përmbylljes, të rrezikuar nga prangat, politikanë, biznesmenë dhe…
Dosja me abuzimet e fondeve IPARD drejt përmbylljes, të rrezikuar nga prangat, politikanë, biznesmenë dhe oligarkë, ja si korrupsioni me skemat e AZHBR do çojnë në burg Frida Krifcën.
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po përgatit mbylljen e hetimeve në lidhje me disa dosje shumë të rëndësishme që pritet të çojë pas hekurave “Peshq të Mëdhenj”. Mësohet se SPAK është drejt përmbylljes së dosjes së abuzimeve me fondet e bujqësisë që mban emrin e Frida Krifcës. I pyetur për hetimin për fondet IPARD, Altin Dumani tha dje se është çështje në hetim paraprak. “Po hetohet çdo dite, ka një dinamikë hetimi të përditshme”, u shpreh Dumani. Kreu i SPAK la të nënkuptonte se çështja është shumë komplekse pasi hetimet e nisura nga ndërkombëtarët që në vitin 2021 dhe tashmë provat që janë zbuluar nga SPAK me ndihmën e institucioneve të BE kanë treguar se në këtë aferë janë të përfshirë politikanë, biznesmenë dhe oligarkë.
Si i nisi hetimet e OLAF?
Më 4 maj 2021, një dëshmitar nga Tirana u lidh përmes aplikacionit Skype me Brukselin për të denoncuar një histori abuzimi me fondet e programit të ndihmës për bujqësinë, IPARD II dhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR. Në njërën anë të kompjuterit gjendej Romeo Nazarko, 43 vjeç, inxhinier gjeodet në profesion dhe ekspert pronash në Tiranë, ndërsa në anën tjetër dy hetues të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF – institucion i vetëm i mandatuar për të hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian. Nazarko kishte aplikuar në vitin 2019 në AZHBR për të siguruar mbështetje për zhvillimin e një sipërfaqeje prej 23 hektarësh tokë në vendlindjen e tij në Ersekë – ku planifikonte të mbillte gështenja, lajthi, arra dhe bajame në një sistem zinxhir zhvillimi me banorët e zonës. Por aplikimi i tij u refuzua nga AZHBR. Me një dosje voluminoze mbi tavolinën e zyrës, Nazarko i tha BIRN dy vjet më vonë se besonte që u skualifikua, pasi nuk ndoqi ‘rrugën e korrupsionit’.
“Unë ndoqa udhëzuesit e BE-së për aplikantët dhe bëra një dosje super të kompletuar. Por e kisha ndarë mendjen; zero bakshish,” tha ai. Hetimet trevjeçare të OLAF nxitën Komisionin Evropian që të pezullonte në mesin e korrikut të vitit të kaluar programin më të rëndësishëm të ndihmës për bujqësinë në Shqipëri, për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Të përfshirë biznesmenë, oligarkë e pronarë mediash
Abuzimi me fondet e BE rezulton dyshohet të jetë i ‘frikshëm’ pasi janë gjetur shkelje në 98 subjekte dhe madje AZHBR u ka kërkuar kthimin e shumave totale ose pjesore. Disa prej tyre i kanë kthyer, por kompania Coast to Coast, në pronësi të familjes Gjikuria, e cila ka marrë grant nga fondet e BE-së për shkak se nuk ka respektuar kushtet e kontratës ka refuzuar t’i kthejë paratë mbrapsht dhe tashmë AZHBR e ka dërguar çështjen në gjykatë.
Thuhet se Xheni Gjikuria, bashkëshortja e, Florenc Gjikuria, ka marrë me një dorë 190 mijë euro nga fondet e BE-së për bujqësinë, duke ndërtuar një vilë në Dhërmi. Në kontratë rezulton fermë, por në fund përfundoi resort. Në këto afera korruptive të familjes Gjikuria të cilat po hetohen nga SPAK dhe OLAF, dyshohet se bëjnë pjesë gazetarë, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe një oligark mediatik. Pra dosja e hetimeve të SPAK përmban emra peshash të rënda.
Presioni nga BE
Nga ana tjetër dhe BE po ushtron presion të fortë në SPAK. Brukseli pak ditë më parë deklaroi për mediat se nëse institucionet shqiptare nuk e mbyllin hetimin e fondeve bujqësore, dosja do të trajtohet si “krim financiar ndërkombëtar”. Që do të thotë, se Brukseli, do ta hetojnë vetë të kallëzuarën Frida Krifca duke i thirrur në Bruksel, e nëse do refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, do përdoren format e mjetet e detyrueshme ligjore për t’i hetuar e gjykuar në izolim atje.
Presioni i opozitës
Nga ana tjetër, presioni për mbylljen e kësaj dosjeje është përforcuar edhe nga opozita. Dje kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij ka kërkuar një mocion me debat sa i takon gjetjeve të zyrës së OLAF për fondet e bujqësisë. Bardhi tha se duhet të zhbllokohen fondet e IPARD për bujqësinë dhe se drejtësia duhet të hetojë këtë skandal. “Anashkaluat një kërkesë të grupit të PD për të zhvilluar mocion me debat sa i takon gjetjeve të zyrës së OLAF për fondet në bujqësi dhe nevojën që grupi jonë parlamentar ka çmuar sa i takon ngritjes së një komisioni të posaçëm dhe për të bërë të mundur adresimin e masave të nevojshme që të zhbllokohen fondet e IPARD 3. Ne nuk kemi dashur që ta trajtojmë këtë çështje si politike.
Por i bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë këtë skandal të paimagjinueshëm për një vend kandidat për në BE. Këto hetime nuk mund të presin, sepse BE kërkon rezultatet për këto hetime. Duhet të kemi mundësi që fondin prej 112 mln euro për sektorin e bujqësisë ta bëjmë efektiv për qytetarët”, tha Bardhi. Nga ana tjetër, socialistët u përgjigjën se kërkesa ka kohë për tu trajtuar. “Kërkesa për zhvillimin e një mocion trajtohet brenda tre ditëve në konferencën e kryetarëve. Kërkesa është paraqitur të premten dhe kemi kohë për ta trajtuar”, tha Felaj.