Ja si përfituan 117 persona të dënuar për korrupsion, 40 persona dolën nga burgu, del për herë të parë zyrtarisht…
Ja si përfituan 117 persona të dënuar për korrupsion, 40 persona dolën nga burgu, del për herë të parë zyrtarisht shifra e të amnistuarve nga pazari Rama-Berisha.
Elmas Bogdani
Kreu i SPAK, Altin Dumani konfirmoi dje zyrtarisht se pazari i arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Sali Berisha sa i takon amnistisë penale ka nxjerrë nga burgu edhe zyrtarë të përfshirë në afera korruptive. Edhe pse PS-Foltorja u betuan dhe u stërbetuan se nuk do të përfitonte askush prej të dënuarve për korrupsion nga GJKKO-ja, shifrat e Dumanit tregojnë të kundërtën. PD e drejtuar nga Basha shprehu shumë herë shqetësimin për atë marrëveshje si një goditje që i bëhej drejtësisë së re, SPAK dhe GJKKO, por palët e përfshira në atë pazar e mohuan shumë herë një gjë të tillë. Kreu i institucionit të SPAK-ut, Altin Dumani, hodhi dritë përfundimisht mbi atë marrëveshje dhe sa përfituan nga pazari Rama-Berisha lidhur me amnistinë penale.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është në të drejtën e tij të miratojë amnistinë dhe kështu ka vepruar. Ajo që dua të them është që nga ky ligj kanë përfituar subjekte të cilët janë dënuar nga Gjykata e Posaçme. Për shembull, dyzet persona kanë përfituar përjashtimin nga dënimi, 65 persona kanë përfituar nga zbritja e dënimit, sipas nenit 5 të ligjit 33/04. ” Kjo deklaratë e Altin Dumanit i jep përfundimisht fund spekulimeve dhe nxjerr në pah të vërtetën e pazarit Manja-Bardhi, të cilët nëpërmjet votës për amnistinë penale synuan t’i çonin një mesazh kreut të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO-së lidhur me të korruptuarit e të dyja palëve, që nëse prokuroria dhe gjykata i dënon, politika nëpërmjet pazarit dhe marrëveshjes i liron”, tha Altin Dumani.
Faktet
Duke iu referuar kësaj deklarate, dje reagoi edhe Lulzim Basha, i cili tha se kushdo që kishte një dyshim për pazarin Rama-Berisha kundër drejtësisë, tanimë e ka me fakte. Në postimin e tij në “Facebook”, ai më tej shkruan se pazari po vazhdon me sabotimin e reformës zgjedhore, me vulën dhe me goditjen e SPAK, që sipas Bashës e gjitha bëhet që Rama të rri në pushtet dhe Berisha të vazhdojë teatrin. Kushdo që kishte ndonjë dyshim për pazarin Rama-Berisha kundër drejtësisë, tanimë, i ka me fakte. 117 persona të dënuar ose në ndjekje penale për korrupsion nga SPAK/ GJKKO përfituan nga amnistia Rama-Berisha. 40 persona të dënuar për korrupsion u liruan.
65 të dënuar për korrupsion përfituan zbritje dënimi. 12 persona u përjashtuan nga ndjekja penale për korrupsion. Pazari i nisur me amnistinë vazhdoi me sabotimin e Reformës Zgjedhore, me vulën dhe vijon me goditjen ndaj SPAK-ut. Thelbi i marrëveshjes është që Rama të mbaj pushtetin, ndërsa Berisha të vijojë teatrin, gjasme, opozitar”, shkruan Basha.
Zotimet e Manjës dhe Bardhit
Kujtojmë se projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme. Pas një dakordësie mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë me 4 prill ligjin “Për amnistinë penale” me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final.
Të vënë nën presion publik se përmes ligjit “Për Amnistinë” po falnin të dënuarit për korrupsion duke cenuar punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, premtuan disa herë se kjo nuk do të ndodhte. “…Hapini sytë dhe lexojeni ligjin, se jeni jurist! Asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, as nuk përfiton nga kjo amnisti dhe as nuk i zbritet dënimi,” tha në seancën parlamentare të 4 prillit ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Edhe Gazment Bardhi mbajti një qëndrim të ngjashëm, një ngjarje e rrallë për demokracinë e brishtë parlamentare shqiptare. “Me amendamentin tonë dhe analizën e plotë të kryer nga ekspertët, asnjë person, zyrtar i lartë, i dënuar për korrupsion, i dënuar për abuzim me tenderë, i dënuar për shpërdorime me koncesionet apo partneritetet publike-private, i përfshirë në akte korrupsioni aktiv apo pasiv, nuk përfiton nga amnistia”, premtoi Bardhi.