Kavajë.Restaurohet godina e Muzeut Etnografik.
Muzeu Etnografik i Kavajës iu nënshtrua restaurimit dhe rijetësimit përmes programit “EU4Culture”. Specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore morën pjesë në vizitën në Muzeun Etnografik të Kavajës, e organizuar nga UNOPS, “EU4Culture Albania”. IKT shprehet se vizita u zhvillua gjatë fushatës së konservimit, e cila u ndërmor në bashkëpunim me Institutin e Konservimit të Universitetit të Arteve të Aplikuara në Vjenë. “Gjatë këtij takimi u njohëm nga afër me proceset e ruajtjes së artefakteve, muzealizimit, dhe me rezultatet e suksesshme të restaurimit të godinës”, thuhet nga IKTK.
Muzeu Etnografik i Kavajës ndodhet në një banesë ndërtuar në vitin 1800 nga familja Arkaxhi dhe e shndërruar në muze në 1971. Më herët u bë me dije se muzeu mban rreth 810 objekte të tipologjive të ndryshme, që përfaqësojnë stilin e jetesës së Kavajës dhe krahinave përreth.
Ndërhyrjet e propozuara në lidhje me projektin “EU4Culture” përfshinin stabilizimi strukturor i muraturës prej qerpiçi të dëmtuar rëndë; ruajtje e plotë e sipërfaqeve të jashtme, të brendshme dhe çatisë; dokumentimi dhe projektimi i bazës së ruajtjes për të gjitha mobiliet, instrumentet dhe pëlhurat; projektimi i kutive dhe platformave të ekspozitës sipas dizajnit bashkëkohor të muzeut; menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë; programi dhe planet e mirëmbajtjes dhe të tjera që kanë lidhje me muzeun, etj. Muzeu Etnografik në Kavajë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë.