Nga Arbitrazhi, te dhënia e lejes për të transportuar mbetje toksike, zbardhen pazaret e pista nën tavolinë.

0
58786

Kompania “Kurum” dhe qeveria shqiptare “Rama” dyshohet se janë përfshirë në një pazar të pistë, i cili është gatuar nën tavolinë dhe jashtë syrit të transparencës. Ditët e fundit Shqipëria është shndërruar në një makth për të gjitha vendet e botës për shkak të përfshirjes së vendit në tregtinë ndërkombëtare të mbetjeve toksike, të cilat hyjnë e dalin në pikat kufitare pa asnjë problem. Konkretisht ka plasur një skandal që anë lidhje me transportimin me 2 anije të 816 ton të dyshuara me mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës.

Por faktet e reja të dala në dritë dëshmojnë se ai i Tajlandës nuk ishte një rast i izoluar, por me sa duket pjesë e një aktiviteti të vazhdueshëm kriminal, që dyshohet se bëhet më korruptimin e strukturave shtetërore. Kapitali publikoi dokumentet ekskluziv që tregojnë se në prill të këtij viti Shqipëria i dërgoi Kinës 115 kontenierë me mbetje toksike. Ngarkesa e cila ishte deklaruar se koncentrat dhe mineral zinku është bllokuar nga autoritetet kineze dhe aktualisht 115 kontenierët mbahen të bllokuar në Portin e Nanshas në Guangzhu të Kinë.

Vendimi për të bllokuar menjëherë ngarkesën ka ardhur pas analizave të kryera nga autoritetet kineze, të cilat kanë provuar se kontenierët ishin të ngarkuar me mbetje të dala nga rafinimi hidrometalurgjik i metaleve jo hekur, që përmbanin nivele të larta të plumbit dhe ndotësve të tjerë. Rezultatet e analizave e kanë klasifikuar ngarkesën si mbetje, ndryshe nga sa deklarohej në dokumentet shoqëruese të eksportit.

Mirëpo i gjithë ky skandal dyshohet se është bërë pas pazarit të qeverisë me kompaninë “Kurum”. Kjo e fundit ka pasur deri pak vite më parë koncesionin e terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit, paditi Shqipërinë në arbitrazhin ndërkombëtar.

Padia u regjistrua më 23 Shtator 2020 në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investime në Uashington, nga shoqëria “Durrës Kurum Shipping”, “Durrës Container Terminal” dhe dy investitorë të tjerë të këtij terminali. Ajo kërkonte dëmshpërblim 100 mln euro për prishje kontrate nga Ministria e Infrastrukturës. “Kurum” ka humbur gjyqin në Shqipëri dhe iu drejtua arbitrazhit. Kompania “Kurum” nënshkroi kontratën në 2011 me Ministrinë e Transporteve dhe e kishte për 35 vite të drejtën e operimit.

Në 2016 Ministria kërkoi prishje të kontratës me argumentin që kompania nuk kishte përmbushur kushtet. Por së fundmi mësohet se Shqipëria ka fituar një tjetër çështje në arbitrazhin ndërkombëtar ICSID, kësaj radhe me kompaninë Durres Kurum Shipping SH.P.K. Pretendimet e Kompanive Durrës Container Terminal SH.A, Metal Commodities Foreign Trade Corp. dhe Altberg Developments LP, lidheshin me ndërprerjen e koncesionit mbi terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Ndërkohë dyshohet se pas këtij vendimi, “Kurum” dhe qeveria kanë arritur një marrëveshje, ku kompania është lejuar që të transportojë lëndë toksike dhe madje ka zëra se ajo po mbështet nga ekzekutivi, pasi do të prodhojë hekur, që nevojitet për të ndërtuar Portin e Durrësit nga sheiku arab Alabbar. Pra kjo do të thotë se edhe pse bëjnë sikur zihen, “Kurum” dhe qeveria kanë pazar me njëra-tjetrën.

Skandali me mbetjet toksike, kompania turke nxjerr në rrugë 500 punonjës
Ndërkaq duket se skandali me mbetjet toksike që e ka vënë shtetin shqiptar para një përgjegjësie madhore, me sa duket ka sjellë pasojat e para. Kompania “Kurum” u fajësua drejtëpëdrejtë nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, duke ia faturuar 816 ton mbetje toksike të dala nga fabrika e tyre. Dhe në këto kushte, turqit kanë bërë lëvizjen befasuese. Edhe pse u distancuan nga ngjarja përmes një reagimi zyrtar, mësohet se fabrika është mbyllur përkohësisht.

Pa një njoftim paraprak, por me një “fletë-rrufe”, drejtuesit turq kanë njoftuar 500 punonjës për prishje të njëanshme të kontratës pa dhënë arsye të detajuara. 500 punonjës të fabrikës së përpunimit të çelikut kanë dalë në rrugë pikërisht në momentin kur u trumbetua me të madhe skandali i 816 ton mbetje toksike. Duhet theksuar dhe evidentuar fakti se nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e tyre, por kjo lëvizje ka ardhur pikërisht në momentin kur i gjithë aparati shtetëror bashkë me pushtetin gjyqësor po hetojnë çështjen.

Gjithashtu në ndihmë kanë ardhur edhe autoritetet e huaja siç është OLAF i BE për të zbardhur të vërtetën me 100 kontejnerët e nisur drejt Tajlandës, por edhe për 115 të tjerët që janë ndalur në portin e Kinës nga autoritetet kineze. Megjithëse dogana e Kosovës dhe e Shqipërisë janë shprehur se mbetjet e prodhuara nga pluhuri i filtrave të fabrikave të çelikut nuk është i dëmshëm, nga ana e ndërkombëtare është aluduar e kundërta. Mirëpo në një përfundim konkret dhe zyrtar do të dilet vetëm pas analizave laboratike nga kompanitë e licencuara.

Reagon Braçe
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar në rrjetet sociale për kontejnerët me mbetje drejt Tajlandës dhe Kinës. Ai shprehet se Kurum s’mund të marrë peng punëtorët dhe të shantazhojë qeverinë. Ai thekson se kjo kompani duhet të përballet me ligjin dhe autoritetet. “Kurum nuk mund të marrë peng punëtorët! Kurum nuk mund të shantazhojë edhe një herë qeverinë me pengje njerëzore! Kurum duhet t’i nënshtrohet ligjit, t’i përgjigjet autoriteteve sipas ligjit, të çlirohet apo mbajë përgjegjësi në përputhje me ligjin! Asgjë më pak e asgjë më shumë!

Punëtorët nuk hyjnë në këtë mes; madje me punëtorët Kurum po bën krim-edhe ky duhet hetuar! E ka bërë edhe një herë më parë këtë shantazh kur shpalli falimentin për t’i ikur hetimeve për evazion fiskal; jo më! Kurrë më! Nuk mundet një kompani të marrë peng punëtorët e të shantazhojë qeverinë me ta! Nuk duhet toleruar! po, ka qenë e privilegjuar e ka përfituar në mënyrë klienteliste-për mua të padrejtë, në energji, porte e metalurgji deri në kufijtë e monopolit, por ajo kohë ka mbaruar!

Në anë tjetër, qeveria ka marrë vendimin e duhur për të mos pranuar këtu, mbetjet e dyshuara si të rrezikshme! qeveria i ka dhënë prioritet hetimeve dhe analizave dhe kjo është rruga! Përgjigje për ata që siç me një lodër kineze që nuk bën analize biologjike e kimike të produktit damkosen frutat e perimet, po njësoj kanë shpallur mbetje të rrezikshme duke shërbyer vetë si laborator, përgjigje dhe për gjithë radhën e politiqenëve që deri dje ulërinin për importin e mbetjeve që nuk ekzistonte, sot ulërijnë për eksportin e mbetjeve që duhet provuar në janë të rrezikshme apo jo”, ka shkruar dje deputeti Braçe.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading