Filmi “Pikë uji” nga Robert Budina do të ketë premierën e tij botërore në shtator në kinematë e territoreve shqipfolëse.
“Pikë uji” me një histori që prek realitetin së shpejti vjen premierë në ekranin e kinemasë. Filmi i regjisorit Robert Budina do të shënojë premierën e tij më 12 shtator në kinematë e territoreve shqipfolëse dhe në role ka një kast aktorësh të njohur. Në ngjarjet e filmit, Aida një grua e fortë 45-vjeçare, funksionare e rëndësishme në një qytet të vogël, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në një sistem që shpesh kërkon kompromise. Por çfarë ndodh kur sistemi të cilit i ka shërbyer, kthehet kundër saj? Kur Marku, djali i saj adoleshent, përballet me akuza të rënda që kërcënojnë gjithçka që ajo ka ndërtuar. Çfarë sakrificash është gati të bëjë për të mbrojtur të birin dhe pozicionin e saj në një botë privilegjesh që po lëkundet? Në materialin rreth “Pikë uji” thuhet se në filmin e tij të tretë, regjisori Robert Budina hulumton botën psikologjike të një nëne, e cila në kërkim të së drejtës duhet të përballet me një sistem të pamëshirshëm manipulimi, nga i cili kish përfituar deri më sot.
“Një triller emocionues që ngre një pyetje thelbësore: deri ku mund të mbërrijë një nënë, për të mbrojtur birin e saj? Me eksperiencën e regjisorit Budina dhe kastin e mrekullueshëm të aktorëve, do të zhyteni në një botë intriguese, të mbushur me mister dhe emocione të fuqishme. Ju ftojmë të bashkoheni me ne, për të përjetuar madhështinë e kinemasë bashkëkohore shqiptare”, thuhet në njoftimin mbi këtë prodhim kinematografik. Filmi “Pikë uji” do të ketë premierën e tij botërore në kinematë e territoreve shqipfolëse duke filluar nga data 12 shtator, për të vijuar shfaqjen më pas, në kinematë e të gjitha vendeve të Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë.
Aktorët në role
Skenari është shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja. Roli i Aidës vjen e interpretuar nga Gresa Pallaska një nga aktoret më të mira të brezit të saj dhe më të dashura jo vetëm për publikun mbarëshqiptar, por edhe atë ballkanik e më tej. Në materialin me të dhënat për aktorët në film thuhet se Arben Bajraktaraj vjen në rolin e Ilirit, një aktor shqiptar tashmë me famë botërore, i cili jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij teatral dhe filmik në Paris, Adem Karaga – Elvisi, aktori shqiptar shumëdimensional i teatrit dhe filmit nga Maqedonia e Veriut, Gerhard Koloneci – Beni, një aktor shqiptar që jeton në Itali, Klodjana Keco – Monda, tronditëse me rolin e saj në këtë film, një aktore shqiptare, e cila zhvillon aktivitetin e saj në New York, e deri tek talentet e reja si Paolo Iancu – Marku, i cili jeton në Bukuresht dhe Henri Topi- Denisi, një i ri pogradecar, i cili premton të jetë një nga zbulimet aktoriale shqiptare në të ardhmen. “Pikë uji” është një bashkëprodhim Erafilm Shqipëri, Avanpost Rumani, Redibis Film Itali, IliriaFilm Kosovë, Manufaktura Production Maqedoni e Veriut. Me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë/ Ministrisë Italiane të Kulturës – Drejtoria e Kinemasë/ Qendrës Kinematografike të Kosovës/ Agjencisë së Filmit në Maqedoninë e Veriut/ Evropës Krijuese, MEDIA/ Rrjeti i Kinemave të Evropës Juglindore.
Robert Budina dhe aktiviteti në kinema
Robert Budina, është regjisor dhe producent që iu dedikua botës së filmit, pasi mbaroi studimet për regji teatri, shkroi dhe vuri në skenë shumë pjesë teatrale. Shtysa kryesore në gjithë veprat filmike të tij, ka qenë trajtimi psikologjik i individit shqiptar në sfidat e tij përballë një realiteti social politik në tranzicion të vazhdueshëm. Realizimi mjeshtëror i këtyre veprave, ka bërë që ato të gjejnë dritat e projektorëve të festivaleve më të rëndësishëm në botë si Tallin, Varshavë, Chicago, New York, Shanghai, Fajr duke fituar shumë çmime të rëndësishme, marrë kritika pozitive nga portalet më të rëndësishëm botërorë të kinemasë si Rotten Tomatoes, Indire Wire, mbledhur një audiencë të lartë për filmin indipendent në kinematë e Shqipërisë, Austrisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe shfaqur në shumë televizione kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2014, filmi i tij “Agon” ishte përzgjedhja e Shqipërisë për çmimet “Oscar”.