Çfarë po ndodh në Korenë e Veriut? Të arratisurit krijojnë faqe në internet, ja çfarë synojnë të arrijnë.

0
640-0-31cb6229a5e

Një grup të arratisurish nga Koreja e Veriut kanë çelur në Seul një faqe lajmesh në internet që synon të ekspozojë abuzimin me të drejtat e njeriut. Siç njofton nga Seuli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, ata synojnë gjithashtu të ofrojnë një këndvështrim ndryshe për atdheun e tyre.
Kur Koreja e Veriut përmendet në lajmet ndërkombëtare, dominojnë përgjithësisht pamjet e udhëheqësit të këtij vendi, Kim Jong Un, duke mbikëqyrur provat e armëve.

Por këto lloj pamjesh luftarake lënë në hije atë çfarë ndodh vërtet në pjesën më të madhe të vendit, thotë i arratisuri nga Koreja e Veriut, Lee Seong-min.
“Koreja e Veriut nuk është vetëm armët bërthamore dhe Kim Jong Uni. Ka shumë njerëz me perspektiva të ndryshme, shpresa dhe aspirata për të ardhmen e vendit të tyre”, thotë zoti Lee.

Ai u arratis nga Koreja e Veriut në vitin 2012 dhe tashmë ndihmon me faqen në internet “NK Insider”, që synon t’u ofrojë një platformë zërave të koranoveriorëve.
“Shumë njerëz flasin për Korenë e Veriut, studiues dhe ekspertë, por ka dallime kur dëgjon zërat e koreanoveriorëve që jetonin brenda atij sistemi”, thotë zoti Lee.

Rreth tetë të arratisur nga Koreja e Veriut shkruajnë për faqen e internetit që filloi funksionimin këtë vit. Ata komunikojnë fshehurazi me persona brenda Koresë së Veriut dhe disa prej tyre nuk dëshirojnë të shfaqen në kamera.
Zane Han, ish-banor në Phenian, u arratis nga Koreja e Veriut dy vite më parë.
“Askush nuk mundet ta imagjinojë si është situata brenda Koresë së Veriut, ajo çfarë përjetojnë njerëzit brenda Koresë së Veriut – realisht si skllevër në atë vend. Por, unë isha atje dhe e di”, thotë zoti Han.

Ai është një ndër koreanoveriorët e paktë që kanë arritur të largohen drejt Koresë së Jugut. Që nga pandemia, Koreja e Veriut shtrëngoi masat për sigurinë kufitare.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë arratisja nga Koreja e Veriut. Kjo është diçka e re. Shanset për koreanoveriorët e zakonshëm janë pothuajse zero”, thotë Lee Shin-wha, ish-ambasadore e Koresë së Jugut për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut. Lee Seong-min thotë se një ndër qëllimet e tij është që të flasë në emër të koreanoveriorëve që nuk kanë të drejtën të shprehen dhe që nuk largohen dot.
“Për t’u ofruar një platformë të arratisurve nga Koreja e Veriut dhe rrjedhimisht atyre që ende jetojnë atje”, thotë ai, ndërsa përpiqet të ofrojë një perspektivë të ndryshme për vendin e tij.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading