Alfred Cako: Konfliktet, ndryshimet e territoreve politike në Bosnjë, Jugosllavi dhe Kosovë do t’i dhurojnë Ramës…
Alfred Cako: Konfliktet, ndryshimet e territoreve politike në Bosnjë, Jugosllavi dhe Kosovë do t’i dhurojnë Ramës një mandat tjetër qeverisës, ja si Berisha do të lëshojë opozitën në këmbim të lirisë së djalit të tij dhe pse shtresat e pasura nga vendet e huaja do të dynden të jetojnë në Tiranë dhe Durrës për të shpëtuar “kokat” e tyre.
Teoricieni dhe konspiracionisti i njohur, Alfred Cako ka komentuar situatën politike në Shqipëri, rajon dhe botë. Në një analizë të thellë dhe provokative, teoricieni Alfred Cako ofron parashikime tronditëse për të ardhmen e politikës shqiptare dhe rajonale.
Sipas tij, nga tensionet dhe ndryshimet territoriale të pritshme në Ballkan, përfshirë Bosnjën, Jugosllavinë dhe Kosovën, mund të përfitojë kryeministri Edi Rama, duke i siguruar atij një mandat të ri qeverisës. Çako gjithashtu përshkruan një skenar të mundshëm, ku Sali Berisha mund të bëjë kompromis me pushtetet e jashtme në këmbim të lirisë së djalit të tij, duke ndikuar kështu në dinamikën e opozitës shqiptare.
Përveç kësaj, ai parashikon që shtresat e pasura nga vendet e huaja do të kërkojnë azil në qytete shqiptare si Tiranë, Durrës, Lezhë, Vlorë, Elbasan, Berat dhe Lushnjë, për të shpëtuar nga pasiguria dhe krizat ndërkombëtare që po përhapen.
Ndërkohë gjatë intervistës për gazetën “SOT”, zoti Çako eksploron arsyet e ndjenjave të frikës dhe kërcënimeve të Ilir Metës ndaj SPAK, duke e krahasuar me figura historike dhe duke theksuar nevojën për imunitet ligjor në politikën shqiptare.
-Zoti Çako, si e shihni situatën politike, disa muaj para zgjedhjeve të 2025? Kush ka premisa më shumë të fitojë, Rama apo opozita?
Mendoj që nuk do të ndërrohen kuajt e qeverisjes për shkak të ngjarjeve ballkanike të pritshme: konflikt, ndryshime territoresh politike në Bosnjë, Jugosllavi dhe Kosovë. Pritet të krijohet Federata Myslimane e Ballkanit ose ajo që unë e kam quajtur (sipas emërtimit në korridoret e CIA) prej 14 vjetësh, Hark Shigjeta Myslimane Ballkanike.
-Si e shihni situatën e Sali Berishës me goditjen që i ka bërë SPAK, duke e lënë në arrest shtëpie? A mund të ngelet ai jashtë zgjedhjeve të 2025?
Sali Berisha do të negociojë me të gjitha fuqitë e njohjet e tij për të lëshuar opozitën në këmbim të lirisë së djalit të tij që është nën shënjestër nga vegla e Deep State-t ndërkombëtar, SPAK-ut. Dihet se Deep State do t’i kërkojë Sali Berishës që PD ta marrin njerëz nga grupet e LGTB siç është sot tendenca kudo në botë për të shkatërruar vlerat e familjes dhe synimi është që shteti dhe jo familja të jetë drejtuesi dhe protektori i çdo individi, nga fëmija tek plaku.
-Pse Ilir Meta së fundmi është trembur dhe filloi sërish kërcënimet e forta ndaj SPAK. Madje ai tha se Altin Dumani po i bllokon llogaritë bankare? A po paralajmëron ish-presidenti sekuestrimin e pasurive të tij korruptive?
Në ndryshim nga Sali Berisha (që vazhdon të jetë servil i Deep State dhe bëhet sikur nuk e di që ky e ka futur në kafaz duke bërë teatër dhe akuzuar Edi Ramën për situatën e tij), Ilir Meta si bektashi që është, është treguar më trim. Sali Berisha më ngjan me Beqir Ballukun që shkoi në pushkatim me foton e Enver Hoxhës, Ilir Meta më ngjan me Kadri Hazbiun, ose dhe më i avancuar se ky, në reagimet ndaj Deep State dhe globalistëve.
Në fakt unë e kam thënë se që shqiptarët të kenë pak fuqi në tokën e stërgjyshërve të tyre që po ua marrin nga viti në vit globalistët, duhet që presidentët, kryeministrat, drejtuesit e institucioneve të pavarura duhet të kenë imunitet të fortë dhe mos goditen nga Deep State. Ky i fundit duhet konsideruar si zjarri, as shumë larg se ftohesh dhe as shumë afër se digjesh. Por klasa politike shqiptare është e parritur dhe e paaftë që të krijojë mekanizma imunitarë ligjorë për elitën politike shqiptare.
-Duke parë se lufta Rusi-Ukraine ende vazhdon, mendoni se do te shpërthejnë të tjera vatra? Është e mundur që të plasë sërish një lufte në Ballkan?
Ku shkon shefi i CIA ka konflikte. Dihet se Deep State merr vendime dhe Shërbimet Inteligjente, ushtria, financat janë 3 faktorët që ndikojnë në të ardhmen e një territori ku ka konflikt. Do të ketë luftë në vendet e ish Lindjes Komuniste, Poloni, Bullgari, Rumani, vendet Baltike, Azi e Largët.
Mendoj se Tirana, Durrësi, Lezha, Vlora, Elbasani, Berati, Lushnja, por sidomos dy të parat do të jenë si Porto dhe qytetet e Zvicrës gjatë luftës së Dytë Botërore, pra një oaz sigurie për shtresat e pasura dhe të mesme të këtyre vendeve. Çmimet do të rriten për shkak të mungesave dhe uljes së ofertës por pronarët shqiptarë të ndërtimeve që duken të shumta, do të pasurohen shumë, por pjesa tjetër e popullsisë do të jetojë në varfëri.