Zgjedhjet e 2025, Edi Rama mbledh qeverinë në Dajt të dielën dhe Asamblenë në 8 shtator, pritet konfigurimi i…

0
8

Zgjedhjet e 2025, Edi Rama mbledh qeverinë në Dajt të dielën dhe Asamblenë në 8 shtator, pritet konfigurimi i Kryesisë, Sekretariateve dhe drejtuesve politikë të qarqeve.

Përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po marrin formë tejet të qartë në radhët e Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama ka ftuar mbledhjen e qeverisë në Dajt këtë të dielë, një hap i rëndësishëm për të adresuar strategjitë dhe prioritetet e ardhshme. Pas kësaj, më 8 Shtator, do të zhvillohet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të bëhet një riparim i thellë i strukturave të partisë, duke përfshirë konfigurimin e Kryesisë së PS, Sekretariateve dhe drejtuesve politikë socialistë të qarqeve. Ky proces do të përcaktojë planin e aksionit të partisë për vitet në vazhdim dhe do të japë një pamje më të qartë për strategjitë zgjedhore dhe organizimin e brendshëm të PS-së.

Detajet

Ndërkohë mësohet se takimit do t’i bashkohen edhe drejtues të organeve të varësisë përfshi kryesinë e grupit parlamentar socialist. Po ashtu, mësohet se nuk përjashtohet mundësia edhe e pjesëmarrjes të kryebashkiakëve të vendit, të cilëve qeveria i ka angazhuar në procesin e identifikimin të objekteve ende të palegalizuara. Ky takim synon analizimin e asaj çfarë qeveria ka prodhuar deri më tani, objektivat për muajt në vazhdim, duke marrë në konsideratë, faktin se shumica socialiste po shkon drejt vitit zgjedhor dhe i ka vendosur vetes objektivin e fitores të një mandati të katër qeverisës.

Paralajmërimi

Por këto ndryshime deri diku janë paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, i cili pak ditë më parë nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste ka sulmuar dhe kritikuar deputetët e PS që janë dembelë, interesaxhinj dhe dalin në bazë sa për të bërë foto që ta hedhin në rrjetet sociale. Me tej kryeministri theksoi se nuk na duhen deputetë të tillë. Ndër të tjera Rama theksoj se “Dua ti kërkoj ndjesë sot atyre që deputetë nuk janë, por që kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre, që një grusht njerëzish të PS të jenë këtu sot si deputetë. Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë të ulur mes nesh që nuk e kanë përmbushur as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë në detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve shumë më mirë as sa shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua, apo që shkojnë në organizatat e partisë për të bërë një foto prezence. Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri kur trokasin nëpër zyrat e shteti për punët e tyre dhe familjes së tyre. Apo edhe për ata deputetë që kur kanë zbritur në sallë duken vetëm njëherë në hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga hëna. Ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë me njëri tjetrin. Një ndjesë të veçantë edhe për disa që u është bërë ves që të bëjnë komentatorin e kolegëve”, deklaroi Rama. Me tej kryeministri foli për drejtësinë dhe SPAK. Ai tha se ai ose ajo që nuk ka mizën nën kësulë, të shkojë drejt SPAK ku e thërrasin për të dëshmuar. Kush ka futur duart në buxhet le ta mbajë vetë përgjegjësinë. Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Edi Rama shtoi se PS do të marrë 1 milion vota nga 800 mijë që kemi deri tani

Çfarë ka ndodhur?

Nga ana tjetër, duhet theksuar se Asambleja përbëhet nga anëtarë të rinj, që u zgjodhën në Kongresin e korrikut. Nga listat me emra, spikasin disa që janë të njohur. Në Tiranë janë Joleza Koka dhe Romina Kuko, të dyja me poste të dhëna nga kjo qeveri. Romina është zv/ministre dhe kryetare e Këshillit Bashkiak Tiranë. Në Durrës bie në sy një emër, Albora Rraja. Nga një verifikim në faqen e KQZ dhe ILDKP, rezulton se zonja në fjalë është vajza e Rrahman Rrajës, deputetit që dha dorëheqjen pas sherrit që ndodhi në Fushë Krujë, ku u masakruan dy qytetarë të thjeshtë. Në Elbasan bie në sy një tjetër emër, Imelda Sejdini.

Ajo është vajza e ish-kryebashkiakut të ndjerë Qazim Sejdini. Ky i fundit ndërroi jetë pak kohë më parë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Mes 157 anëtarëve të rinj të zgjedhur është edhe emri i Helena Kaçes, e cila mbajti fjalimin hapës në Kongresin e 28 korrikut, të cilën kryeministri Rama e bekoi si pasardhësen e tij në parti. Deri në nisjen e fushatës duket se do të ketë një betejë të fortë brenda PS. Rama paralajmëroi në Kongresin e Korrikut se do të ketë shumë ndryshime në radhët e listave të kandidatëve. Për këtë arsye pritet që të ketë një betejë të fortë brenda partisë, pasi shumë deputetë aktualë duan të sigurojnë dhe një mandat tjetër.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading