Arlind Qori rrëfen lidhjet e errëta mes politikës dhe biznesit: Ja kush janë 5 ‘kokat’ e korrupsionit në Shqipëri dhe..
Arlind Qori rrëfen lidhjet e errëta mes politikës dhe biznesit: Ja kush janë 5 ‘kokat’ e korrupsionit në Shqipëri dhe 15 oligarkët që po pasurohen, grabisin, zhvatin dhe shkatërrojnë Shqipërinë.
Kreu i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori ka komentuar situatën politike dhe ekonomike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj politikanëve kryesorë dhe biznesmenëve të fuqishëm që tanimë etiketohen si “oligarkë”. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “SOT”, zoti Arlind Qori, ndriçon errësirën e lidhjeve të politikës dhe biznesit që kanë kapur Shqipërinë në një grusht të fortë korrupsioni dhe oligarkie. Me një zë të fuqishëm dhe të patrembur, Qori zbulon për herë të parë emrat dhe strategjitë e pasuruesve të paligjshëm që po shkatërrojnë ekonomi dhe shoqërinë në vendin tonë. Në këtë rrëfim të thellë dhe të detajuar, lider i Lëvizjes BASHKË, zbulon 5 nga “kokat” kryesore të korrupsionit dhe 15 oligarkët që po përdorin ndikimin e tyre për të grabitur dhe zhvatur burimet e Shqipërisë. Ndërkohë përmes kësaj interviste, ai ngre alarmin dhe mundohet të tregojë detaje nga sekretet e errëta mes politikës dhe biznesit për të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë thellësinë e krimeve të pushtetit dhe të kërkojnë një rrugëdalje nga ky sistem i korruptuar.
-Zoti Qori, shteti, krimi, oligarkët dhe korrupsioni duket se janë bërë bashkë në Shqipëri. Ju jeni ndër të pakët qe keni denoncuar këto lidhje dhe keni ngjallur frymë e shpresë tek qytetarët shqiptarë, pasi qasja dhe oferta juaj është pritur mirë. Madje shumë herë keni ngritur alarmin se për shkak se keni denoncuar korrupsionin, shumë media ju kanë censuruar dhe mbyllur duart. Mund të na jepni me shumë detaje dhe kush janë sipas jush “kokat” e korrupsionit dhe oligarkisë që po zhvatin shqiptarët?
Qëllimi i ekzistencës së Lëvizjes BASHKË është të thotë të vërtetën e plotë e me guxim dhe të përfaqësojë interesat e shumicës dërrmuese dhe të nëpërkëmbur të shoqërisë shqiptare. Prej vitesh Shqipëria nuk po arrin të bëjë hopin e mezipritur drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave ekonomiko-shoqërore për shkak se pushtetarët e korruptuar – të sotëm e të djeshëm – në bashkëpunim me oligarkinë ekonomike kanë zaptuar burimet ekonomike të vendit dhe po i keqpërdorin ato, duke e zhvatur popullin shqiptar jo vetëm nga natyra dhe pasuria e krijuar ndër dekada, por edhe nga potencialet e përparimit. Janë të njëjtët faktorë politikë dhe ekonomikë që kontrollojnë edhe pjesën më të madhe të mediave, sidomos të televizioneve. Prandaj mua dhe përfaqësuesit e tjerë të Lëvizjes BASHKË na gjeni shumë rrallë në emisionet televizive. Mesazhi ynë i vërtetë dhe interesat popullore që mbrojmë na bën të padëshirueshëm për pronarët e mediave, oligarkët dhe pushtetarët e korruptuar. Nëse flasim me emra, dhe unë di të flas vetëm troç, kokat e sistemit të korruptuar shqiptar sot e disa dekada rresht janë Edi Rama, Erion Veliaj, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, poshtë të cilëve shtrihet një zulmë pak mijëra vetësh që u kanë mundësuar dhe u mundësojnë të abuzojnë me popullin. Për sa u përket oligarkëve, ata janë të mirënjohur. Janë ndërtues, monopolistë, përfitues të statusit të investitorit strategjik, marrës të kontratave publike dhe pronarë televizionesh. Kryesorët ndër ta mbeten: Samir Mane, Pëllumb Salillari, Bashkim Ulaj, Rrok Gjoka, Artan Dulaku, Ram Geci, Vilma Nushi, Shkëlqim Fusha, Gjergj Luca, Klodjan Allajbeu, Aleksandër Frangaj, Vjollca Hoxha, Irfan Hysenbelliu, Theodhori Çami, Karlo Bolino, etj. (Të më falë lexuesi nëse kam harruar ndonjë emër.) Janë këta përfituesit kryesorë të ligjeve speciale, vendimeve të qeverisë, lejeve të ndërtimit të KKT dhe Bashkisë së Tiranës, si dhe monopolistët e disa sektorëve të ekonomisë.
– Si e vlerësoni ndikimin e oligarkëve në politikën shqiptare dhe si ndikon kjo në transparencën dhe ndershmërinë e qeverisjes?
Nëse sistemi politik në Shqipëri do të ishte demokratik, atëherë askush nuk do të kishte më shumë pushtet politik se qytetari i zakonshëm pasi hamendësohet se të gjithë jemi të barabartë për të ndikuar ligjvënien. Mirëpo në këtë sistem oligarkik dhe fasadë pluraliste, interesat e oligarkëve janë dominuese. Janë ata që paguajnë për ligje dhe vendime dhe u japin pushtetarëve të korruptuar pjesën e haraçit; janë ata që financojnë në mënyrë të paligjshme partitë kryesore politike; janë ata që përcaktojnë vijën editoriale të televizioneve dhe të ftuarit në debatet televizive.
– A mendoni se ekziston një lidhje të ngushtë mes oligarkëve dhe partive politike në Shqipëri? Si ndikon kjo në procesin demokratik?
Partitë e vjetra në Shqipëri nuk u kërkojnë para anëtarëve të tyre, siç ndodh kudo në botën demokratike ku kuotizacioni i anëtarësisë është shtylla kurrizore e vetëfinancimit të partisë. Ky vetëfinancim është praktika e përditshme e Lëvizjes BASHKË. Partitë e tjera u japin para anëtarëve dhe votuesve të tyre, duke blerë vota dhe ndikim. Bëjnë fushata jashtëzakonisht të shtrenjta, jo si ne në Lëvizjen BASHKË që u hipim autobusit dhe biçikletës. Blejnë po ashtu kohë televizive dhe mbajnë me rrogë aradhe të tëra analistësh. Ku mendoni se i gjejnë lekët? Nga buxheti i shtetit?! Jo, furnizohen në mënyrë periodike nga oligarkët, të cilët i shpërblejnë më pas me paratë dhe pasuritë e popullit, me leje ndërtimi, koncesione, toka në bregdet etj.
-Si e vlerësoni rolin e institucioneve shtetërore në luftën kundër korrupsionit? A ka ndonjë reformë të veçantë që mendoni se është e nevojshme?
Akti më qesharak i kohëve të fundit në “luftën” ndaj korrupsionit është komisioni parlamentar antikorrupsion që Edi Rama ia ka ngarkuar Fatmir Xhafajt. Ujqit i varin vetes mëlçitë në qafë! Nga ana tjetër, unë vërej që SPAK-u ka hedhur disa hapa përpara në hetimin e skandaleve korruptive. Gjithsesi këta hapa janë ende të pakët, të pamjaftueshëm dhe shumë të ngadaltë. E kam thënë edhe më parë: Nëse nuk hetohen Edi Rama dhe Erion Veliaj, si dhe nuk shkojnë deri në fund hetimet për Sali Berishën, Ilir Metën e Lulzim Bashën, reforma në drejtësi do të pësojë një fiasko të parikuperueshme.
– Cilat janë mekanizmat më të efektshëm për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, dhe si mund të përmirësohet zbatimi i ligjeve ekzistuese?
Duhet përmirësuar kuadri ligjor i luftës kundër korrupsionit. P.sh. duhen krijuar mekanizma më të mirë të shndërrimit të të akuzuarve për korrupsion në bashkëpunëtorë të drejtësisë. E keni vënë re se si ata që janë në burg sot për korrupsion vazhdojnë ta ruajnë omerta-në mafioze dhe të mos tregojnë të vërtetën për shefat e mëdhenj? Nga ana tjetër, na duhen ligje më të forta për të hetuar financimin e paligjshëm të partive dhe në përgjithësi për të forcuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe të administratës publike.
– Si e vlerësoni ndikimin e ndihmës ndërkombëtare në përpjekjet për të luftuar korrupsionin në Shqipëri? A është kjo ndihmë e mjaftueshme dhe e duhur?
Edhe kaq sa ka avancuar drejtësia në Shqipëri është meritë e disa prokurorëve e gjykatësve nga njëra anë, dhe e faktorëve ndërkombëtarë perëndimorë nga ana tjetër. Mirëpo në fund të fundit, çështja e drejtësisë duhet të jetë detyrë parësore e shoqërisë shqiptare. Jemi ne që vuajmë nga korrupsioni dhe po ne duhet të ngrihemi në këmbë kundër të korruptuarve. Nga ana tjetër, unë do të kërkoja prej faktorëve ndërkombëtarë perëndimorë që, për hir të interesave të tyre afatshkurtra, siç është p.sh. rasti me qeverinë italiane për kampet e refugjatëve, të mos mbyllin një sy për korrupsionin e qeverisë dhe të mos u ofrojnë legjitimitet ndërkombëtar të korruptuarve vendas.
– Çfarë roli luan media dhe shoqëria civile në mbikëqyrjen e qeverisë dhe luftën kundër korrupsionit?
Duhet të luanin një rol shumë të rëndësishëm. Po, fatkeqësisht, hiç pak ishuj integriteti profesional, pjesa më e madhe e mediave është bashkëpunëtore dhe përfituese e këtij sistemi korruptiv. Për sa i përket shoqërisë civile, edhe në këtë rast janë fare pak zëra që spikatin. Pjesa tjetër thuajse nuk ekziston në fushën e debatit publik.
– Si mund të forcohet angazhimi i qytetarëve në proceset e vendimmarrjes dhe si mund të kontribuojnë ata në përmirësimin e situatës?
Qytetarët duhet të vetëdijesohen se shpëtimi nuk do të vijë as nga jashtë, as nga lart. Janë ata vetë që mund ta sjellin ndryshimin duke u organizuar në vendin e punës, të shkollimit dhe të banimit, duke krijuar sindikata dhe shoqata, si dhe duke u bërë pjesë e një parti politike përparimtare si Lëvizja BASHKË. Ne ende kemi një jetë të varfër sociale, ku në çdo hap ndihet dihatja e kërcënimit të pushtetit dhe marrëdhënieve klienteliste. Mirëpo nuk ka rrugë tjetër: Çdokush mund të bëjë diçka më shumë për veten dhe shoqërinë. Nuk mund ta pësojmë pambarimisht kryeulur.
– Si e parashikoni evolucionin e situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri në vitet e ardhshme nëse problemi i oligarkëve dhe korrupsionit nuk adresohen siç duhet?
Problemi i pushtetit të korruptuar dhe oligarkisë korruptuese nuk do të zgjidhet vetiu, as mund të presim mrekulli. Këto pengesa ndaj zhvillimit të qëndrueshëm punës dhe jetës me dinjitet, do të mund të kalohen vetëm nëse ne organizohemi siç duhet dhe kemi ide të qarta se kah duhet të orientohen politikat në të ardhmen. Lëvizja BASHKË e ka këtë qartësi dhe gatishmëri. Përditë e më shumë qytetarë po na bashkohen. Rruga do të jetë e vështirë. Po qëllimet e mëdha dhe besimi i fortë tejkalojnë çdo vështirësi.
– Çfarë masash konkrete do të sugjeronit për të përmirësuar situatën dhe për të ndihmuar në krijimin e një ambienti më të ndershëm dhe më transparent?
Demokratizim rrënjësor të shtetit; nxitje të pjesëmarrjes dhe mbikëqyrjes qytetare; krijim të një modeli zhvillimi të qëndrueshëm; mëkëmbje të shërbimeve publike duke nisur nga shëndetësia dhe arsimi; luftë e paepur ndaj korrupsionit dhe klientelizmit; të drejta në punë; paga dhe pensione të dinjitetshme; konkurrencë e ndershme midis bizneseve me një shtet që është vërtet arbitër i paanshëm.