Lulzim Basha çon në SPAK “bombën” e Ahmetajt për Ballukun, dosja me faktet përvëluese për tunelin e Llogarasë…

0
-4-ok

Lulzim Basha çon në SPAK “bombën” e Ahmetajt për Belinda Ballukun, dosja me faktet përvëluese për tunelin e Llogarasë që prej 1 gushtit në duart e prokurorëve, ja të pathënat nga pazaret e fshehta në Turqi, ministrja rrezikon deri në 10 vite burg.

Politikani demokrat Lulzim Basha ka kallëzuar që në datën 1 gusht në Prokurorinë e Posaçme ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, duke e akuzuar se ka kryer abuzime të mëdha me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Në dokumentin që disponon gazeta “SOT”, thuhet se shkak fillestar i këtij kallëzimi, është intervista e ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili denoncoi se tenderi i fituar nga kompania shqiptare me një vlerë 140 milionë euro u anulua pas presionit ndaj pronarit të kompanisë dhe pas takimeve në Ankara të Turqisë, i është dhënë tenderi një kompanie turke për 50 milionë euro më shumë, ndërkohë që punimet i bëri kompania shqiptare që fitoi tenderin në fillim. “Sipas ish zv. kryeministrit, një nga 6 operatorët ekonomikë që kanë marrë pjesë në garë ka qenë edhe shoqëria Gjoka Konstruksion shpk, e cila ka ofertuar 140 milionë euro ose 51 milionë euro më pak se fondi limit, ofertë e cila sipas tij është kualifikuar fituese. Sipas deklarimeve publike të ish zv. Kryeministrit, pas kualifikimit fitues të shoqërisë Gjoka Konstruksion shpk, pas presionit ndaj shoqërisë Gjoka Konstuksion shpk kjo procedurë është anuluar dhe është rishpallur pas një takimi të ministres Belinda Balluku dhe personave të tjerë në Ankara, Turqi”, thuhet në kallëzimin penal.

Faktet

Gjithashtu në provat që Z.Basha ka çuar në SPAK përmendet mënyra se si Balluku ka abuzuar në dhënien e tenderit. “Pas anulimit të parë, tenderi rishpallet me një tjetër numër reference dhe me fond limit gati 190 milionë euro me kursin e sotëm të këmbimit. Nga 5 operatorë pjesëmarrës në garë, kualifikohet fituese bashkimi i operatorëve ekonomikë Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi and ASL Insaat Taahhut Ve Sanayi Ticaret Limited Sirketi. Sërish sipas deklarimeve publike në emisionin Çim Peka Live në Syri Tv të ish zv. kryeministrit Arben Ahmetaj, pas presionit nga ana e qeverisë, shoqëria Gjoka Konstruksion shpk nuk ka marrë pjesë në tender, gjë që faktohet edhe nga Formulari i Njoftimit të Fituesit datë 04.10.2021, por është shoqëria nënkontraktore e zbatimit të këtij tenderi por faktikisht është zbatuesja reale e këtij projekti. E gjithë procedura është zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, e cila drejtohet nga Ministrja dhe njëkohësisht Zv. Kryeministrja Znj. Belinda Balluku dhe ka fakte të pakundërshtueshme sipas tij që ky tender përbën një aferë korruptive të zbatuar drejtpërsëdrejti nga Znj. Balluku”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Akuzat mbi Ballukun

Në kallëzimin penal, Basha kërkon që SPAK të marrë nën hetim Ballukun me akuzën për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Nëse Ballukut i hapen hetime dhe në fund e gjejnë fajtore, ajo rrezikon deri në 10 vite burg. “Kështu pra, rezulton se mbi Ministren e Transporteve dhe te Energjisë, në cilësinë e organit publik të ngarkuar nga ligji si autoritet kontraktor, rëndon detyrimi për zbatimin e procedurave të tenderimit konformë ligjit për të siguruar mirëpërdorimin e fondeve publike, të ulë shpenzimet procedurale, të nxisë konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë, të sigurojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik si dhe të sigurojë integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik. Në kushtet të moszbatimit të detyrimeve që burojnë nga ligji në cilësinë e autoritetit kontraktor, po Ju parashtrojmë këtë kallëzim penal për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, të cilat vlerësojmë se janë konsumuar nga znj. Belinda Balluku në cilësinë e Ministres së Transporteve dhe Energjisë”, thuhet në kallëzim penal.

Rakordimi i të dhënave të tenderimit me deklarimet e Arben Ahmetaj

Në kallëzim penal thuhet se: Nga të dhënat zyrtare dhe publike të Agjencisë së Prokurimit Publik, institucion në varësi të Kryeministrisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila drejtohet nga Ministrja, Znj. Belina Balluku, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor ka shpallur në datën 14.12.2020, kontratën e tenderit me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” (në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë)”, me numur reference REF-81916-12-11-2020 dhe vlerë të fondit limit 19.180.880.463 lekë (ose 191.8 milionë euro me kursin e sotëm të këmbimit), data e mbylljes të së cilit ishte parashikuar 01.03.2021. Po sipas të dhënave zyrtare, në këtë tender kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomikë por tenderi është anuluar me motivacionin “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”, publikuar në Buletinin Nr. 58 datë 19 Prill 2021. Një nga 6 operatorët ekonomikë që kanë marrë pjesë në garë ka qenë edhe shoqëria Gjoka Konstruksion shpk me NIPT J91815014U, e cila ka ofertuar 140 milionë euro ose 51 milionë euro më pak se fondi limit, ofertë e cila është kualifikuar edhe fituese.

Por tenderi është anulluar pas presionit ndaj shoqërisë Gjoka Konstuksion shpk dhe është rishpallur në një procedurë të dytë. Pas anulimit të parë, tenderi rishpallet me një tjetër numër reference, konkretisht REF-98814-06-22-2021 dhe me fond limit 18.967.810.952 lekë (ose 189.6 milionë euro me kursin e sotëm të këmbimit), shpallur në datën 24.06.2021, data e mbylljes të së cilit ishte parashikuar data 07.09.2021. Në datën 04.10.2021, nga 5 operatorë pjesëmarrës në garë, kualifikohet fituese bashkimi i operatorëve ekonomikë Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi and ASL Insaat Taahhut Ve Sanayi Ticaret Limited Sirketi me NIPT 4780437420 dhe NIPT 0860072787 me ofertë 17.036.526.000 lekë pa TVSH (ose 170.3 milionë euro me kursin e sotëm të këmbimit), me diferencë me ofertën më të ulët 1.187.717.702 lekë ose 11.8 milionë euro.

Nga sa më sipër rezulton se:

Së pari, shpallja dhe anullimi i parë i tenderit nga MIE, e drejtuar nga Znj. Belinda Balluku, për të cilën është kualifikuar fituese shoqëria Gjoka Konstruksion shpk, me vlerë 140 milionë euro ose gati 50 milionë euro më pak se fondi limit, procedurë e cila falë presionit anullohet dhe rishpallet me një fond limit më të ulët por vlera (pa TVSH) e kualifikuar fituese është të paktën 30 milionë euro më e lartë se oferat e shoqërisë Gjoka Konstruksion shpk, kualifikuar fituese në tenderin e parë. Së dyti, MIE ka dhënë pëlqimin që nënkontraktor i tenderit të dytë të jetë Gjoka Konstruksion shpk ose shoqëia që u kualifikua fituese në tenderin e parë, me vlerë 140 milionë euro ose 30 milionë euro më pak se oferta e fituesit të tenderit të dytë, në të cilin nuk pavarësisht shprehjes së interesit dhe pjesëmarrjes në tenderin e parë, pas presionit nuk ka dorësuar dokumentacion dhe nuk ka marrë pjesë në garë në tenderin e dytë pavarësisht se plotësonte të gjitha kriteret për kualifikimin fitues.

Së treti, ish zv. kryeministit Arben Ahmetaj, bazuar në analizën e tij të detajuar të bilanceve të shoqërive turke të shpallura fituese pas një takimi të Ministres Belinda Balluku në Turqi, kjo kompani nuk ka sjellë asnjë pajisje apo makineri dhe të gjitha punimet janë kryer nga shoqëria Gjoka Konstruksion shpk, e shpallur fituese në tenderin e parë për 140 milionë euro ose 30 milionë euro më pak se bashkimi i shoqërive turke, e cila është jo vetëm nënkontraktore por ndërtuesi real i këtij projekti. Sipas tij, kjo faktohet nga bilancet e bashkimit të shoqërive turke, të cilat për paga kanë deklaruar 2 milionë euro dhe për analogji ish zv. kryeministri ka sjellë rastin Bechtel, i cili koston për paga e kishte 50 milionë euro, gjë që sipas përveç mungesës së pajisjeve dhe makinave, mungesa edhe e pagave sipas bilanceve fakton që ndërtuesi real ka qenë shoqëria Gjoka Konstruksion shpk. Së fundmi, bashkimi i operatorëve turk ka përfituar edhe një pas taksash, bazuar në përllogaritjen në referencë të bilanceve kontabël të analizuara nga vet ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj, ku sipas deklarimeve të tij bashkimi i operatorëve turq ka përfituar edhe 32 milionë euro.”

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading