Edi Rama “shkund” qeverinë dhe drejtorët, pranon dështimin e 1.6 miliardë euro investime për 2023 dhe paralajmëron

0

Edi Rama “shkund” qeverinë dhe drejtorët, pranon dështimin e 1.6 miliardë euro investime për 2023 dhe paralajmëron tjetër goditje

Rigels Seliman

Ashtu siç e kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka mbledhur dje në Dajt anëtarët e kabinetit qeveritar. Takimi nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe u mbyll pas më shumë se 8 orësh në 18:30. Kreu i qeverisë mbërriti në orët e para të mëngjesit, rreth orës 08:30. Të pranishëm në mbledhje ishin, ministrat, kryetaret e komisioneve, kryetarja e kuvendit, nënkryetari i Kuvendit, kryetari grupit parlamentar në PS, si dhe drejtorët e institucioneve në varësi të kryeministrit, ndërsa nuk ishin të pranishëm kryebashkiakët. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se Rama ka “shkundur” qeverinë duke kërkuar angazhime 24/7. Kryeministri kërkon që socialistët të jenë aktivë këto muaj pasi zgjedhjet e 2025 janë shumë afër. Rama iu ka thënë se objektivi i PS është 84 mandate. Ai ka kërkuar që të gjithë të vendosen në lëvizje për të thithur sa më shumë vota duke marrë njerëz në punë dhe duke rekrutuar njerëz të rinj. Kryesocialisti iu ka kërkuar edhe prezencë më të madhe në rrjetet sociale.

Po ashtu Edi Rama ka pranuar gjatë mbledhjes edhe dështimin e 1.6 miliardë euro investime për 2023. Sipas tij, nuk duhet të përsëritet më ky gabim. Po ashtu mësohet se Rama ka dhënë sinjale se do të ketë të tjera lëvizje në 8 shtator, ku do të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste. Mund të ketë edhe lëvizje drejtorësh. Të gjitha këto ndryshime do bëhen për të krijuar ekipin që Edi Rama do ta udhëzojë për të arritur objektivin që shpalosi në mbledhjen në Dajt për të marrë 84 mandate. Ashtu si në zgjedhje të kaluara që ka pasur lëvizje të drejtuesve politikë të PS në qarqe të vendit, edhe kësaj here gjatë punimeve të Asamblesë pritet që Rama të bëjë publike lëvizjet e reja. Deri më tani ka patur disa spekulime lidhur me ndryshimet e reja, por 8 shtatori do të jetë ajo që do zbulojë drejtuesit e rinj në qarqe të ndryshme të vendit dhe nëse do të kemi apo jo lëvizje në qeveri.

Detajet e tjera nga takimi në Dajt

Një nga çështjet kryesore të këtij ‘retreati’ në Dajt ka qenë strategjia e komunikimit që mazhoranca socialiste do të ndjekë në vazhdimësi deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, komunikimi me publikun dhe institucionet. Gjithashtu gjatë mbledhjes, “komunikimit” i është dedikuar një sesion i posaçëm diskutimesh që drejtohej nga Endri Fuga, ndërsa fokus të veçantë ka marrë edhe çështja e integrimit europian për të cilën ka raportuar kryenegociatorja Majlinda Dhuka. Përveç këtyre dy blloqeve, mbledhja retreat ishte e ndarë edhe në dy blloqe të tjera, atë të sigurisë dhe çështjeve sociale të referuara nga ministret Balluku dhe Manastirliu. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Fatmir Xhafaj kryetari i Komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin, puna e të cilit lidhet drejtëpëdrejtë me procesin e integrimit. Secili prej ministrave ka prezantuar objektivat e punës për sezonin e ri në dikasterin që mbulon.

Po ashtu në fokus ishte edhe vendosja e objektivave për muajt në vazhdim. Ndryshe nga herët e tjera, kur Rama ka zhvilluar mbledhje të tilla me kabinetin në prag të nisjes së sezonit politik, këtë herë kryeministri nuk preferoi të prononcohej për gazetarët të cilët qëndruan jashtë perimetrit të rezidencës qeveritare ku u zhvillua takimi për më shumë se 8 orë. Gjithashtu edhe ministrat u larguan së bashku me Ramën në mbarim të mbledhjes. Takimi në Dajt shërbeu edhe për analizën e progresit dhe përgatitjet për sesionin e ri parlamentar. Burime pranë mazhorancës e konsiderojnë mbledhjen e kësaj të diele një hap i rëndësishëm për të adresuar strategjitë dhe prioritetet e ardhshme. Kjo do të jetë një mundësi për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e kaluara, por edhe për të diskutuar strategjitë për vitin zgjedhor që po afron.

Rama kritika deputetëve

Ndërkohë kujtojmë se kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e PS-së më 28 korrik të këtij viti nuk i ka kursyer kritikat për një pjesë të deputetëve të tij. Rama tha se ata nuk kanë përmbushur as minimumin e paraqitjes në detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve. Më tej kreu i socialistëve shtoi se ata dalin në popull vetëm për ta shoqëruar atë, apo se marrin pjesë në evente vetëm për një foto, teksa trokasin në zyrat e shtetit për të punësuar familjarët e tyre. Rama tha më tej se ata edhe flasin në Kuvend vetëm një herë në hënë. “Dua ti kërkoj ndjesë sot atyre që deputetë nuk janë, por që kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre, që një grusht njerëzish të PS të jenë këtu sot si deputetë. Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë të ulur mes nesh që nuk e kanë përmbushur as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë në detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve shumë më mirë as sa shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalien në popull vetëm për të më shoqëruar mua, apo që shkojnë në organizatat e partisë për të bërë një foto prezence. Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri kur trokasin nëpër zyrat e shteti për punët e tyre dhe familjes së tyre. Apo edhe për ata deputetë që kur kanë zbritur në sallë duken vetëm njëherë në hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga hëna. Ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë me njëri tjetrin. Një ndjesë të veçantë edhe për disa që u është bërë ves që të bëjnë komentatorin e kolegëve”, deklaroi Rama.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading