Erdogan sot në Tiranë, inaugurohet xhamia e Namazgjasë! Pritet me ceremoni nga Begaj, takim kokë më kokë me Ramën

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan mbërrin zhvillon sot një vizitë në Tiranë, ku pritet edhe inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë. Agjenda e Erdogan në Tiranë parashikon takim me presidentin Bajram Begaj, si edhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të ketë edhe një konferencë për shtyp.
Në orën 11:30, presidenti turk do pritet në Presidencë me ceremoni, ndërkohë do zhvillojë edhe një takim kokë më kokë me Begajn. Më pas në 12:15 pritet takimi me kreun e qeverisë në ambientet e Kryeministrisë. Agjenda do të vijojë me mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve në orën 13:15.
Rreth orës 14:35 pritet konferenca për shtyp mes Ramës dhe Erdogan, ndërkohë që në orën 14:15 pritet të nënshkruhen 3 marrëveshje mes delegacioneve të dy vendeve. Ndërkohë, rreth orës 15:00, në Pallatin e Brigadave pritet të shtrohet një dregë në nder të presidentit Edogan.
Vizita e presidentit turk do të mbyllet me inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë, ku i pranishëm do të jetë edhe Rama. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, është lënë jashtë kësaj ceremonie, fakt i njoftuar publikisht nga vetë ai, ndërsa në emër të komunitetit, në inaugurim do të jetë Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili pritet të jetë edhe imami zyrtar i Xhamisë së Madhe.
Për menaxhimin e xhamisë së ndërtuar si një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, do të ngrihet një Fondacion, në krye të të cilit do të jetë imami i Xhamisë së Namazgjasë, në përbërje të të cilit mund të ketë edhe përfaqësues nga Turqia.
Më herët u përfol se imami i Xhamisë së Madhe do të jetë turk, por vetë Enes Bastur, i cili njoftoi në Facebook se do drejtojë xhaminë ne Tiranë, e fshiu postimin.
Agjenda
11:30- Ceremonia e pritjes në presidencë, takim kokë më kokë me presidentin Begaj
12:15- Takimi Tête-à-tête i Kryeministrit Edi Rama me Presidentin Erdoğan
13:15- Këshilli i Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi
14:25- Firmosja e marrëveshjeve respektive mes dy vendeve
14:35- Deklaratë e përbashkët e Kryeministrit Rama – Presidentit Erdoğan
15:00- Drekë në Pallatin e Brigadave
16:50- Ceremonia e inaugurimit të Xhamisë