Durrës.Nafta kontrabandë lumë në Portin e Durrësit, anijet me karburant ilegal kanë qenë të përditshme, Erion Braçe ngre alarmin dhe denoncon institucionet në varësi të Ballukut, ja fija që zbërthen spiralen e një abuzimi ku përfshihen dhjetëra zyrtarë

Anijet me 600 ton karburant kontrabandë mund të jetë fija që zbërthen spiralen e një abuzimi, ku përfshihen dhjetëra zyrtarë të institucioneve në varësi të Belinda Ballukut dhe nuk përjashtohen me hetimet e thelluara as ish-drejtorët e Përgjithshëm, si Pirro Vengu që ka disa muaj që la detyrën për t’u emëruar si ministër i Mbrojtjes, apo edhe individë të tjerë të rëndësishëm e instanca të tjera shtetërore. Në këtë mes mund të fundosen edhe biznesmenë. Alarmin e ka dhënë ditën e djeshme zv/kryeministri Erion Braçe.
Ky i fundit në një video të postuar në rrjetet e tij sociale bën thirrje se organet hetimore duhet që të thellojnë investigimin se kush qëndron pas anijeve me 600 tonë naftë kontrabandë të kapura në Porto Romano në Durrës katër ditë më parë dhe madje thekson se ky aktivitet po bëhet ‘lumë’ nga Afrika Veriore dhe nuk është ky i vetmi rast. Sipas tij kontrabanda bëhet çdo ditë. Denoncimi i Braçes nënkupton se në këtë skandal është implikuar shteti. Deputeti socialist shpjegon se nuk është vetëm nga Tunizia dhe Libia, por nga e gjithë pjesa veriore e kontinenti afrikan. Ai thotë se pasi ka pritur për tre ditë, i duhet të ngrejë pyetjet nëse u hetua, kush e shiste, sa fitonte, kush e blinte dhe kush janë autorët që qëndrojnë pas mafias së kontrabandës së naftës. “Trafiku lum, gjithashtu dhe nafta lum. Sot është tre ditë pasi Policia e Shtetit zbuloi linjën e kontrabandës së naftës nga Tunizia.
Nuk është vetëm nga Tunizia, por nga e gjithë Afrika Veriore. Çudia më e madhe 3 ditë zgjat! Dita e tretë dhe pyetja që kam për hetuesit e naftës kontrabandë në Porto-Romano është: hetuat, mësuat, gjetët kush e blinte, kush e shiste, si e shiste, sa fitonte me naftën kontrabandë nga Afrika Veriore, Tunizia dhe Libia? Hetimet për këtë duhen, për këtë vlejnë. Jo thjesht për të kapur dy anije të linjës së kontrabandës, por për të kapur e ndëshkuar përfituesit. Jo vetëm për të kapur anijet që kanë qenë të përditshme me 400-500 tonë kontrabandë, kanë qenë të përditshme. Në Porto-Romano dhe në Vlorë. Nuk janë pikat e bardha që organizojnë rrjetin e kontrabandës. Ndiqni naftën, te kuptoni dhe kush është mafia e naftës kontrabandë nga Afrika Veriore! Kurajo, hetoni më tej!”, u shpreh Braçe.
Skandali në portin e Durrësit
Ky nuk është rasti i vetëm që përfshin në skandal dhe korrupsion Portin e Durrësit. Afera me mbetjet toksike të kompanisë “Kurum” akoma nuk është zbardhur, madje ka marrë një kthesë të bujshme, pasi gazeta tregoi disa ditë më parë se ka ndërhyrje të fuqishme politike që po frenojnë hetimet e Prokurorisë, duke i dhënë çështjes një trajtë të dorës së dytë. Gazetarja Klodiana Lala ka theksoi se ky skandal ka përfshirë jo vetëm kompaninë dhe zyrtarë të lartë, por edhe institucione të tjera shtetërore, si Ministria e Mjedisit dhe Porti i Durrësit, të cilët kishin dijeni për kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme. Pavarësisht sinjalizimeve të qarta dhe një vendimi të prokurorisë për sekuestrimin e anijes, asnjë hap konkret nuk u ndërmor dhe analizat e materialeve po tentohen të manipulohen. Të gjitha këto veprime janë një shkelje flagrante jo vetëm të ligjeve kombëtare, por edhe të atyre ndërkombëtare, duke i sjellë Shqipërisë pasoja të rënda.
Ndërkohë, gjithçka po bëhet që kjo çështje të harrohet, për të mbrojtur ata që qëndrojnë pas kësaj skeme kriminale. Konkretisht, gazetarja Klodiana Lala deklaroi se Prokuroria e Durrësit ishte bërë gati për arrestimin e disa personave të përfshirë në aferën me trafikun e mbetjeve të dyshuara si toksike të kompanisë Kurum, por ka patur ndërhyrje në momentet e fundit dhe ata nuk janë ndaluar. Pra si në kontrabandën me naftën, por edhe me mbetjet toksike shteti nuk mund të ngrejë supet dhe të mos marrë asnjë përgjegjësi. Këto çështje duhet të kalojnë në duart e SPAK, pasi emrat që janë të përfshirë në këto skandale sipas denoncimeve janë “pesha të rënda”.