Erion Braçe “heroi i fundit” i veteranëve të PS që bie nga lufta e Belinda Ballukut, pas Majkos largohet nga Qarku i Fierit dhe futet jashtë listave të sigurta për deputet

Lufta për kontrollin e strukturave brenda Partisë Socialiste po zbulon gjithnjë e më shumë prapaskenat dhe intrigat politike që po zhvillohen në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në fokus të këtij teatri të tensionuar politik është Erion Braçe, një nga figurat më të spikatura të PS-së dhe zëri i pakompromis i veteranëve të kësaj force politike, i cili duket se është “viktima” më e fundit në përplasjen mes interesave të brendshme dhe ambicieve të reja politike.
Pasi Pandeli Majko u zhvendos nga Kukësi në Kavajë, radha duket se i ka ardhur Braçes, i cili po largohet nga bastioni i tij tradicional, Qarku i Fierit, për t’u pozicionuar në Njësinë 5 të Tiranës. Burime pranë Partisë Socialiste raportojnë se ky vendim nuk është i rastësishëm, por i lidhur drejtpërdrejt me përplasjet e tij të ashpra me drejtuesen politike të Fierit, Belinda Balluku, një figurë e fuqishme dhe e besuar e kryeministrit Edi Rama. Balluku, që mban edhe postin e zëvendëskryeministres, duket se ka ndërmarrë hapa për të riformatuar hierarkinë në Fier, duke larguar zërat kritikë si Braçe.