Sali Berisha përgatit “gijotinën” për grupin e Gazment Bardhit, “primaret” strategji për t’i lënë jashtë listave për deputet në zgjedhjet e 11 majit, Flamur Noka godet kreun e grupit dhe i kujton se disa mëri nuk janë harruar

Në Partinë Demokratike duket se gjakrat janë më të zjarrta se kurrë, teksa përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit po shoqërohen nga tensione të brendshme dhe përplasje interesash. Kryetari Sali Berisha, me lëvizjet e fundit, duket se po përgatit një “gijotinë” politike për grupin e Gazment Bardhit, duke përdorur si strategji procesin e primareve. Megjithëse Berisha ka premtuar një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, shumë e shohin këtë si një mjet për të mbajtur jashtë liste ata që kanë qenë kritikë ndaj tij.
Nga ana tjetër, Flamur Noka, një nga aleatët më të afërt të Berishës, ka lëshuar një goditje të hapur ndaj Gazment Bardhit, duke i kujtuar se mëritë brenda partisë nuk janë harruar. “Ka individë që nuk i harrojnë inatet dhe mëritë, por demokratët duhet të bashkohen për të mposhtur regjimin,” deklaroi Noka, duke theksuar rëndësinë e unitetit, ndërkohë që mbetet i hapur për kritikat ndaj rivalëve të brendshëm.
Skema
Megjithatë primaret, të cilat Berisha i ka quajtur “gur themeli për demokracinë e brendshme”, rrezikojnë të ndizen nga konfliktet e vjetra dhe skepticizmi për transparencën e procesit. Zërat kritikë brenda PD-së, përfshirë vetë Gazment Bardhin, paralajmërojnë se një proces i tillë mund të çojë në destabilizim dhe përçarje të mëtejshme. Përplasja mes dy krahëve të PD-së nuk është thjesht çështje strategjish, por një betejë mes grupeve me interesa të thella personale dhe politike. Berisha, nga ana e tij, ka ftuar gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, të marrin pjesë në primare, duke theksuar se lista e kandidatëve do të përfaqësojë më të mirën e partisë.
Por ndërsa grupi i tij përgatitet për këtë proces, ata që e kundërshtojnë e shohin këtë si një përpjekje për të zhbërë çdo zë opozitar brenda radhëve të demokratëve. Shqetësimet për mënyrën e realizimit të procesit, listat e anëtarësisë dhe frymën përçarëse janë tashmë evidente. Në prag të zgjedhjeve, Partia Demokratike jo vetëm që përballet me kundërshtarin politik, por duket se betejën më të vështirë e ka brenda vetes. Teksa mëritë e së shkuarës ende nuk janë shuar, Berisha dhe grupi i tij duket se po synojnë të riorganizojnë PD-në sipas linjës së tyre, duke lënë jashtë ata që shihen si pengesa për vizionin e ri politik.
Reagimi i Berishës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi dje një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale këtë të enjte, ku iu përgjigj disa pyetjeve të bëra nga ndjekësit e tij. Gjatë bisedës, kryedemokrati u ndal edhe te lista e kandidatëve për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit. Berisha theksoi se procesi i primareve do të hapet shumë shpejt dhe ftoi të gjithë shqiptarët, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, që të marrin pjesë në këtë proces. Ai siguroi shqiptarët jashtë vendit se PD do të bëjë gjithçka që vota e tyre të jetë e sigurtë.
“Primaret do të shpallen së shpejti, janë të hapura për shqiptarët kudo që banojnë, në Shqipëri, diasporë dhe kudo që ndodhen. Ne po bëjmë gjithçka për një proces transparent të votës së diasporës. Do të ketë një postë të paanshme dhe prestigjioze ndërkombëtare që do të transportojë këto vota, ndërkohë që do të ketë mekanizma kontrolli të dyanshëm gjatë numërimit të votave. Unë ftoj çdo qytetar jashtë vendit që të ushtrojë të drejtën e votës dhe të ndihet krenar, sepse me votën e tyre do të kenë mundësinë të firmosin rotacionin dhe ndryshimin. Primaret do të jenë të hapura për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Berisha.
Reagimi i Nokës
Para betejës elektorale me kundërshtarin politik, demokratët i pret një garë e brendshme për të përzgjedhur kandidatët për deputetë. Por, në Partinë Demokratike nuk ka ende një datë se kur do të zhvillohen primaret duke i vënë në pikëpyetje ato. “Akoma nuk është përcaktuar data, janë duke u diskutuar modalitetet. Ajo që është e rëndësishme është se çdo njeri, në forcën tonë politike dhe ne opozite duhet te shohë me shume përtej vetes”, tha Flamur Noka.
Primaret në Partinë Demokratike rrezikohen jo vetëm nga koha e pakët e mbetur, por edhe nga zërat skeptik te cilët mendojnë se një proces i tillë mund të prishë ekuilibrat e partisë në prag fushate, pasi plagët nga lufta e brendshme ende nuk janë shëruar. Flamur Noka pranon rrezikun, por beson se demokratët do dinë të hedhin pas krahëve inatet e së shkuarës. “Bashkimi ka dhënë rezultatin e vet ka krijuar frymën dhe besimin por ka individë që akoma brenda përbrenda nesh mërite dhe inatet nuk i harrojnë kaq lehtë, por demokratët kanë një gjë. Synimi i tyre është te përballemi me regjimin dhe ta mundim atë”, nënvizoi deputeti Noka këtë javë.
Reagimi i Bardhit
Bardhi foli edhe për zgjedhjet e 11 Majit dhe primaret e PD-së për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Demokrat tha se nëse institucionet e partisë së tij vendosin që primaret të mbahen, ai do të marrë pjesë. Ai theksoi se ky proces duhet të zhvillohet në atë mënyrë që mos të krijojnë destabilitet dhe përçarje brenda partisë. “Çdo lloj procesi i brendshëm duhet bërë në atë mënyrë që mos sjellë përçarje. Duhet të bëhen apo jo është përcaktim statutor”, tha demokrati.
“Nuk ka vendim të PD për të mos bërë zgjedhje primare. Nuk kemi një datë sepse PD ka qenë edhe në procese të tjera që vlerësohen shumë më prioritare se sa një proces i brendshëm. Vota brenda partisë tregon demokratizimin, por çdo lloj procesi i brendshëm duhet në një formë që të mos sjellë destabilizim apo përçarje. Procesi i primareve i pëlqen çdo anëtari të partisë, por mes kësaj dhe faktit që partia duhet të fitojë zgjedhjet, demokratët zgjedhin mundësinë më të mirë për të fituar zgjedhjet. Secili prej tyre ka kaluar një proces primar gjatë zgjedhjeve lokale dhe duhet thënë se në listën për deputetë është një proces shumë më i vështirë.
Për momentin mund të mos jetë zgjedhja më e mirë për të bërë një garë brenda partisë sipas mendimit të disa anëtarëve demokratë, ndërsa ka të tjerë që janë pro tyre me çdo kosto. Ne sot kemi probleme me listat e anëtarësisë, kur mbaron procesi kemi probleme kur kundërshtojnë listat e anëtarësisë dhe histori të kësaj natyre. Përplasja brenda partisë, ne demokratët e kemi inatin brenda vetes më të madh se me kundërshtarin politik. Kur je në opozitë dhe nuk ke një parti ushtri, padiskutim që ngjall pakënaqësi dhe sjellin largime, më pak vota rrjedhimisht. Duhet të ketë një kujdes maksimal nëse do të mbahen primaret për mënyrën si do të realizohen”, nënvizoi pak ditë më parë Bardhi.