Berisha hap precedentin, Ilir Meta drejt lirimit nga burgu

0
image

Sali Berisha hap precedentin, Ilir Meta drejt lirimit nga burgu, ja si ish-presidenti mund të shpëtojë nga izolimi me argumentet me të cilat gjykata nxori kreun e PD

Një zhvillim i fundit në skenën politike dhe juridike shqiptare ka ngritur spekulime të forta mbi mundësinë që Ilir Meta, ish-presidenti i Shqipërisë dhe kreu i Partisë së Lirisë të lirohet nga burgu duke u mbështetur në një precedent të vendosur nga drejtësia për kreun e PD, Sali Berisha. Gjykata e Apelit të Posaçëm zbardhi dy ditë më parë argumentet në të cilat u bazua për të caktuar masë të re sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha, duke e nxjerrë nga izolimi në shtëpi. Në vendim argumentohet mes të tjerash, se për lirimin e kreut të PD u mor në konsideratë fakti që jemi përpara në periudhën para fushatës zgjedhore dhe Sali Berisha, edhe me vendim të Kushtetueses, është konsideruar si lideri i opozitës ose kryetar i partisë kryesore opozitare. Ndaj sipas tyre, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.

Kjo situatë mund të përsëritet me Ilir Metën, pasi ky i fundit i ka kërkuar dje Gjykatës së Lartë lirimin e tij nga qelia e paraburgimit. Përmes avokatit të tij, Genc Gjokutaj depozitoi rekurs pranë kësaj gjykate, ku ndër argumentet e përdorura është edhe aktiviteti politik për zgjedhjet e 11 majit. Sipas mbrojtësit të tij ligjor, Meta duhet t’a rifitojë lirinë në një kohë kur është lideri i dytë i opozitës, duke iu referuar kështu edhe zbardhjes së vendimit që nxori nga arresti shtëpiak, klientin tjetër të Gjokutajt, Sali Berishën. “E kemi bërë prezent këtë cilësi të tij, dhe kjo që thatë ju është një praktikë e shtuar, i referuar jurisprudencës së Strasburgut që ka një praktikë të uiniformizuar dhe në lidhje me subjekte të tilla, si Berisha e Meta. Arrestimi i tij është bërë për këtë shkak, pas 6 viteve që kanë pasur aktet nëpër duar që në kohën e gjykatës së krimeve të rënda, është paraqitur disa herë në Gjykatë dhe ka dhënë shpjegime.

Meta edhe herën e fundit ka dhënë shpjegime. E kemi ngritur këtë argument”, tha avokati. Gjokutaj mbron ende tezën se arrestimi i ish- presidentit Ilir Meta ishte i jashtëligjshëm. “Kam dorëzuar rekursin ndaj vendimit që ka caktuar masën arrest në burg për zotin Meta. Kemi paraqitur të gjitha argumentet që nga ndalimi kriminal, pastaj për secilin episod, si lobimin në SHBA, për të cilin Meta ka dhënë shpjegime në të cilën nuk ka asnjë penalitet. Është i sqaruar procesi për lobim kemi sqaruar deklarimin e pasurisë që e ka bërë atë, pastaj edhe për CEZ-DIA, çështje që është bazuar mbi kallëzues të rremë dhe prova të marra në kundërshtim me ligjin”, vijoi ai. Prej 21 tetorit, kreu i Partisë së Lirisë ndodhet ne qeli pasi u arrestua në autostradë teksa po kthehej nga Kosova. Të shumta kanë qenë kërkesat e tij për heqjen e masës së sigurisë arrest në burg, por deri tani janë rrëzuar. Meta akuzohet për tre vepra penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Kandidimi i Metës

Pak ditë më parë Ilir Meta përpara Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha se nuk do të refuzojë thirret që do t’i bëhen nga SPAK dhe deklaroi se nuk e imagjinon të arratiset nga vendi, madje kërkoi dhe bllokimin e pasaportës. “Unë asnjëherë nuk i kam refuzuar ftesat e SPAK-ut. Unë nuk kam asnjë pozitë, mundësi të prish provat, sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve. Unë as e imagjinoj të arratisem dhe nëse ekziston ky shqetësim ju mund të vendosni të bllokoni pasaportën time. Por unë jam ish-President, gëzoj këtë status ende dhe juridikisht dhe President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe Partia e tretë prej 20 vitesh. Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani”, tha ai.

Zgjedhjet

Meta konfirmoi në një intervistë të fundit se do të kandidojë për zgjedhjet e majit. “Lidhur me kandidimin tim, si mund t’ju shkojë mendja se unë mund t’i vendos vetes kufizime në kundërshtim me Kushtetutën, aq më tepër që risitë më shtojnë adrenalinën”, tha ai. Madje ish-presidenti është i bindur se do të zgjidhet deputet. “Padiskutim dhe kjo do të jetë një nga arritjet e mia më të mëdha personale por në interesin e publikut të gjerë sepse e gjithë kjo poshtërsi e projektuar prej dy dekadash nuk ka të bëjë thjesht me Ilir Metën, por me shndërrimin e Shqipërisë në tokën e askujt. Dhe për këtë duhen zhdukur nga skena politike, politikanë patriot dhe të pashantazhueshëm nga askush. Ata duan të zhdukin çdo ndjenjë kombëtare e patriotike. Atyre u intereson vetëm territori ynë dhe pasuritë e vendit tonë por aspak populli ynë e sidomos rinia e jonë. Ata nuk duan të ketë më politikanë me bindje, por papagaj e kukulla”, tha Meta.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading