Denoncimi i fortë, ja si Blendian Dalipi ka shpërngulur gjithë stafin e OSHEE në Fier që të bëjnë fushatë për Ballukun, si po blihen votat me 30 milionë euro para të shqiptarëve që janë grabitur në mënyrë abuzive nga tenderat

Blendian Dalipi mund të duket në pamje të parë si një person i parëndësishëm, i fokusuar diku në një cep e duke u marrë me punët e mërzitshme të OSSH, por sipas denoncimeve tashmë edhe në Prokurorinë e Posaçme në fakt po rezulton ditë pas ditë si njëri ndër shpërdoruesit më të mëdhenj të fondeve publike në Shqipëri. Drejtori Dalipi dyshohet se nëpërmjet kompanisë së tij familjare IDK Konstruksion dhe kompanisë së tij personale ABNID, ka përfituar tendera publikë e kontrata konçensionare, vlera e të cilave i kalon 30 milionë eurot. Së fundmi gazetarja Ambrozia Meta publikoi një foto të drejtorit të OSSH-së, Dalipi, i cili ndodhej në një takim të kryeministrit Edi Rama me gazetarët, ku njoftoi kockën e radhës elektorale për shqiptarët, uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lek.
Sipas saj, Dalipi ka shpërngulur gjithë stafin e OSHEE- së në Fier, që të bëjnë fushatë për ministren Belinda Balluku, e cila është dhe drejtuese politike në këtë qark. Gazetarja thotë se një pjesë e 30 milionë euro tendera publikë që ka përfituar drejtori do shkojnë për blerje votash. “Ndërsa Edi Rama doli për t’ju hedhur një kockë elektorale shqiptarëve, në rresht të parë të sallës qëndronte drejtori i OSSH, Blendian Dalipi. Megjithëse disa muaj më parë, u publikua me dokumente dhe fakte, skandali që tregonte se Dalipi ka përfituar 30 milionë euro tendera publikë përmes kompanisë së tij dhe të familjarëve, ai qëndronte për shtatë palë qejfe në vijë të parë, ndërsa pret radhën për SPAK, i kallëzuar për këtë çështje nga opozita. Në një shtet normal Dalipi do ishte zhveshur nga funksioni që mban por në shtetin europian që po ndërton Edi Rama, ai është ende në detyrë sepse ato 30 milionë euro para të shqiptarëve nuk i fut të gjitha në xhepin e xhaketës së tij nude.
Një pjesë e konsiderueshme janë taksë qe paguhen për Partinë Socialiste dhe për blerjen e votave, prandaj Dalipi ka shpërngulur gjithë stafin e OSHEE- së në Fier, që të bëjnë fushatë për tortën “Belinda”. Në qeverisjen e “liderit” që ecën krah për krah me Ismail Qemalin, drejtorët e kanë kriter emërimi, krijimin e një kompanie private, për të marrë tendera publikë. Se nuk mund të jenë rastësi edhe drejtorët e lalit edhe ish-kreu i ARRSH edhe Blendiani që shumë shpejt do bashkohet me shokët biznesmenë”, thuhet në denoncimin e gazetares, e cila e ka shoqëruar me foton e mëposhtme.