Çmimet e sigurimit të makinave u rritën nga karteli i kompanive të sigurimit, Erion Braçe plas skandalin e madh dhe ngre alarmin

0
image

Një alarm i fuqishëm ka shpërthyer nga deputeti socialist, Erion Braçe, i cili ka denoncuar publikisht një skandal të madh që po trondit tregun e sigurimeve dhe portofolat e qytetarëve shqiptarë. Çmimet e sigurimeve të detyrueshme të makinave janë rritur me 30%, dhe sipas Braçes, kjo nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë ndryshimi ligjor, por për shkak të një manovre të kartelit të kompanive të sigurimeve, që ka për qëllim mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të padrejtë. Në një postim të ashpër në rrjetet sociale, deputeti ka zbuluar dje se ligji për sistemin bonus-malus, i cili duhej të kishte hyrë në fuqi që prej vitit 2021, nuk është zbatuar kurrë për shkak të marrëveshjeve të fshehta brenda kartelit.

Braçe e ka quajtur këtë lëvizje një “favor të ri për kartelin e sigurimeve”, ndërsa ka bërë thirrje urgjente për ndërhyrje institucionale. Ai ka kërkuar mbledhjen e parë të Komisionit të Ekonomisë për të trajtuar këtë çështje, duke ngritur alarmin për ndikimin e drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve. “Nuk ka asnjë justifikim për këtë rritje! Ky është abuzim dhe grabitje e pastër nga një grup i mirorganizuar”, ka deklaruar Braçe, duke shtuar se kjo situatë ka përkeqësuar më tej besimin e publikut tek institucionet dhe tregu. Skandali tashmë po trazon opinionin publik, ndërsa pritet që ky debat të ndezë një betejë të re në politikën shqiptare.

Konkretisht rritja me rreth 30% e çmimit të sigurimit të makinave ka sjellë edhe reagime zyrtare, përveç pakënaqësisë së pronarëve të mjeteve. Deputeti socialist, Erion Braçe ka reaguar dje, duke shpjeguar mes të tjerash se kjo rritje nuk ka ardhur për shkak të ligjit, por “të kartelit të kompanive të sigurimit”. Ligjvënësi socialist thekson në video-postimin e tij në Facebook se ligji ka hyrë në fuqi prej katër vitesh dhe nuk është zbatuar asnjë ditë, sepse “karteli në fushën e sigurimeve nuk lejoi zbatimin e tij”. Lëvizjen më të fundit deputeti e quan edhe si një “favor të ri për kartelin e sigurimeve”, që njëkohësisht “ka rritur çmimet dhe po mbledh para”. Braçe e mbyll reagimin e tij, duke u shprehur se i ka kërkuar Komisionit të Ekonomisë që në mbledhjen e parë të tij të shqyrtojë këtë çështje.

“Jooo, jo, joooooo! Çmimi i ri, i rritur i sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike-makinave, nuk ka shkak ligjin. Ligji është miratuar e ka hyrë në fuqi në 1 korrik 2021. Nuk është zbatuar asnjë ditë. Arsyeja? Karteli në fushën e sigurimeve nuk lejoi zbatimin e tij. Prishte marrëveshjen kartel mes tyre. Në 1 janar të këtij viti, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vënë në zbatim ligjin përmes një rregulloreje. Ligji referonte sistemin bonus-malus për policat e sigurimit, me ndikim mbi çmimin, për të favorizuar sjelljen e mirë e pa dëme në rrugë dhe për të ndëshkuar e demotivuar edhe me këtë element, aksidentbërësit në rrugë! Rregullorja nuk bën këtë; Rregullorja nuk ka lidhje me këtë, por është thjesht një favor i ri për kartelin e certifikuar e të pranuar të sigurimeve. Ky ka rritur çmimet, ky po mbledh para. I kam kërkuar Komisionit të Ekonomisë që në mbledhjen e parë të tij, të shqyrtojë këtë çështje”, shkroi dje Braçe.

Ja sa do të paguajnë shoferët për siguracionin e makinës

Ndërkohë bëjmë me dije se sigurimi i detyrueshëm i makinës do të bëhet më i kushtueshëm gjatë këtij viti. Me hyrjen në fuqi të rregullores së re kompanitë e sigurimeve e kanë të përcaktuar të vendosin për çmimin e primit mbi ato që quhen faktorë risku. Duke marrë shembullin e një makinë të zakonshme me fuqi cilindrike deri në 2000 cm3, që janë motorët 2-mijësh, siç quhen në gjuhën e përditshme, në rajonin e Tiranës me moshën e shoferit mbi 21 vjeç dhe eksperiencë mbi dy vite në drejtimin e mjeti si dhe me vjetërsi mjeti mbi 15 vite, atëherë primi do të rezultojë 20 705 lek apo thënë ndryshe gati 10% më shtrenjtë se një vit më parë.

Vlera e primit mund të jetë deri në 30% më e shtrenjtë nëse siguracioni do të blihet për një shofer të moshës 18 – 21 vjeç. Për të njëjtën model makine primi shkon automatikisht në 23 811 lek. Çmimi i siguracionit rritet në mënyrë të qenësishme nëse makina do të përdoret nga bizneset. Me rregullat e reja ka një koefiçent 20% rritje për bizneset pasi llogaritet që rreziku është më i lartë në rastet kur ka disa përdorues. Me sistemin e ri kompanitë e sigurimit ofrojnë edhe zbritje çmimi. Shoferët e qarkut Dibrës, Kukës dhe Berat përfitojnë një ulje minimale prej 500 lek sipas rregullave të reja. Ndërkohë ende nuk është aktivizuar sistemi Bonus Malus i përcaktuar sipas ligjit të ri për siguracionin e detyrueshëm, ku shoferët që janë të kujdesshëm dhe me historik të mirë përfitojnë ulje në pagesën e primit. Sipas rregullores ky sistem shpërblyes do të fillojë nga 2026-ta bazuar mbi historikun e 2025-ës.

Për shoferët që kanë historik të gjatë aksidentesh primi do të jetë më i shtrenjtë. Drejtoria e Transportit Rrugor bën me dije se janë 914 mijë mjete motorike të regjistruara në Shqipëri. 80.7% janë autovetura ndërsa 541 mijë prej tyre apo pothuajse 73% e tyre janë me vjetërsi mbi 15 vite. Tarifat e reja ende duhet të miratohen nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, që mund t’i kërkojë kompanive të rishikojnë çmimet nëse konstaton se arsyetimi për rritjen nuk qëndron.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading