Dashuri e trembur – Poezi

Dashuri e trembur
Nuk di nëse ndonjëherë e ke kuptuar
ose të paktën e ke çuar ndonjëherë në mendje,
për frymën tënde kam nevojë dhe kur prej teje do jem larguar
dhe kur një ditë trokitjet t’i kem pushuar në derën tënde.
Kur të shohësh se pemët gjethet e shpirtit shkundin
mos nguro të kthehesh edhe pse ndoshta s’të thërras,
se mund të këndosh për ne të dy edhe një këngë të fundit.
dhe nëse aty s’do jem që për Ty të duartrokas.
Ndaj hidhe tej dyshimin siç zhubros e flak një letër
mos u dyzo të kthehesh dhe mos ki frikë ta bësh,
se ndoshta një ditë takohemi ku s’ kemi qenë herë tjetër
dhe nuk i dihet se si jam kur atje do të më gjesh.
Por nuk të bëj me faj megjithëse s’më vjen mirë
po qe se Ti nuk vjen se dyshon ende tek unë,
s’ka gjë se më fort më trembin njerëzit që hiqen se s’kanë frikë
se nuk zhvishen nga gënjeshtrat dhe nga të gjithë gënjjejnë më shumë.
Ndaj këndo se dashuria është e vetmja këngë që mbetet
që të më mbulosh me të dhe mua ashtu si me një shall,
mos më gjyko të lutem dhe flake frikën tej në det të tretet
se ku i dihet pse nuk jam? Ndoshta kam një tjetër hall.
Syrja Kurti