Dodona, Tomorri dhe spekulimet mbi Kamnikun neolitik

0
image

Rron S. Shkambori

Historia nuk është një enigmë që zgjidhet me dëshira apo hipoteza të pabazuara. Është një mozaik i ndërlikuar faktesh, burimesh dhe logjike shkencore. Kur flasim për Dodonën, orakullin e shenjtë të pellazgëve dhe më vonë të grekëve të lashtë, nuk mund ta zhvendosim atë sipas qejfit, siç bëjnë disa (pseudo) studiues dhe disa të tjerë që përpiqen ta vendosin atë në Kamnikun Neolitik të Kolonjës, në Janinë apo Dëshnicë, e gjetkë. Këto pretendime nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të shpikur një realitet të ri, duke injoruar burimet historike dhe arkeologjinë serioze.

Disa studiues si Z. Sami Dake argumenton se Kamniku, si një vendbanim neolitik, mund të jetë djepi i Dodonës dhe se qendra e këtij orakulli nuk ndodhet në malin e Tomorrit, apo në Janinë e Dëshnicë të Përmetit, sikundër thonë disa studiues të tjera. Unë i lexoj pingul të gjitha opinionet dhe studimet e Z. Dake, dhe e vlerësoj për punën. Gazeta “SOT” është një media dhe dritare e madhe, ku çdo kush mund të promovohet.

Por për t’u kthyer tek tema dhe debati, unë pyes Z. Sami se mbi ç’baza mund të ngrihet ky pretendim? A mjafton fakti që Kamniku është një vendbanim i hershëm për ta shpallur atë Dodonën e humbur? Po atëherë, përse të mos e vendosim Dodonën në Devoll, ku është zbuluar një nga vendbanimet më të hershme neolitike në Ballkan? Apo në çdo zonë tjetër ku ka mbetje prehistorike? Realiteti është ky: Dodona përshkruhet nga burime historike të besueshme si një vend i shenjtë ku pemët e lisit pëshpëritnin profeci.

Mali i Tomorrit, i cili ka qenë qendër e kultit që nga lashtësia dhe ku ende sot zhvillohet një pelegrinazh i fuqishëm, i përshtatet përshkrimit të Dodonës shumë më tepër se Kamniku. Po në Kamnik, ku janë lisat e shenjtë? Në dijenin tim aty ka vetëm një vend që quhet Lis i mirë dhe është vend pelegrinazhi, ku çdo muaj gusht banorët shkojnë atje, duke ngrënë dhe pjekur mish. Por ku është vazhdimësia kultike? Ku janë burimet antike që e përmendin Kamnikun, si qendër orakullore?

Sami Dake dhe të tjerë që ndjekin këtë linjë, duket se nuk kanë ndonjë provë konkrete përveç një dëshire për ta parë Kamnikun si qendër të qytetërimit të lashtë. Por historia nuk funksionon kështu. Nuk mund të shpallim një teori thjesht sepse na pëlqen. Ajo duhet të mbështetet në burime të shkruara, në arkeologji dhe në vazhdimësi kultike. Tomorri i ka të gjitha këto, ndërsa Kamniku mbetet një vendbanim i rëndësishëm, por asnjëherë një qendër e shenjtë pellazge apo ilire. Pse nuk flasin arkeologët, peleologët, historianët për Kamnikun Neolitik dhe që Dodona, pra nëna e madhe ndodhet aty?

Për më tepër, të thuash që Dodona ndodhet në Kamnik do të thotë të kundërshtosh të gjithë autorët antikë që e vendosin atë në një zonë ku kultohej Zeusi i Dodonës. Herodoti, Straboni dhe Plutarku flasin për Dodonën në një kontekst të qartë gjeografik, dhe asnjë prej tyre nuk e përmend Kamnikun. Pse atëherë duhet të besojmë më shumë spekulimet moderne sesa historianët e kohës?

Pra, pyetja që u drejtohet këtyre studiuesve është e thjeshtë: A kanë ata ndonjë provë të mirëfilltë për pretendimet e tyre? A ka ndonjë burim antik që e vendos Dodonën në Kamnik? Ku janë mbetjet e një orakulli? Ku është vazhdimësia kultike?

Në mungesë të këtyre përgjigjeve, këto teori mbeten thjesht spekulime pa vlerë. Dodona nuk është një “qendër mistike” që mund të zhvendoset sipas dëshirës. Ajo është një vend i dokumentuar historikisht, dhe të gjitha faktet e çojnë në malin e Tomorrit. Ndaj, për të gjithë ata që duan të rishkruajnë historinë, le t’i kujtojmë një parim të thjeshtë: historia nuk është dëshirë, por dëshmi.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading