“Rregullat” e sherifit të ri. Rama armik i administratës Trump

0
image

Rigels Seliman

Erë e keqe duket se po fryn nga Perëndimi për Edi Ramën. Administrata e re në Uashington, e drejtuar nga “sherifi i ri”, sikundër cilësohet presidenti Donald Trump, ka vendosur rregulla të reja loje për ata që ishin mësuar të luanin në dy karrige, ndërkohë që nuk ka ndërmend të falë askënd që ka qenë në shërbim të Sorosit. Këtë po e kupton më së miri kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili, pasi shërbeu si një nga mbrojtësit më të flaktë të linjës Sorosiane dhe administratës Biden-Harris, tani gjendet përballë një realiteti të ri dhe të hidhur, pra në një kurth pa dalje.

Në Mynih, në Konferencën e Sigurisë, Rama pësoi një goditje që pak kush e priste. Ai u shpall i padëshiruar nga Shtëpia e Bardhë. Burime diplomatike konfirmojnë se SHBA refuzoi çdo mundësi takimi me të, duke i vendosur një vijë të kuqe të qartë. Kjo nuk ishte një lëvizje e rastësishme, por një sinjal i qartë se administrata e re, e udhëhequr nga presidenti Trump dhe ekipi i tij, nuk ka ndërmend të tolerojë më asnjë nga eksponentët politikë që kanë mbështetur Sorosin dhe agjendën e tij globale.

Nga aleat i Sorosit, te përpjekja për të rifituar besimin e administratës Trump

Pozicioni i Ramës në këtë situatë është shumë delikat. Ai është i vetëdijshëm që administrata Trump është shumë më e ashpër me aleatët e Sorosit, sidomos pas sinjalit të qartë që zv/presidenti amerikan J.D. Vance i dha presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky pak ditë më parë në Uashington (Dhomën Ovale). Duke e vënë përballë realitetit të ri politik në SHBA, Vance i kujtoi Zelenskyt fushatën që ai kishte bërë për demokratët në Pensilvani, një paralajmërim i qartë se mbështetësit e establishmentit të vjetër nuk do të gëzojnë më të njëjtin privilegj. Ky qëndrim nuk i shpëtoi Ramës, i cili menjëherë kuptoi se duhet të bënte një piruetë të shpejtë për të shpëtuar lëkurën e tij, duke qenë se më herët ka dalë kundër zgjedhjes së Trump si president i SHBA.

Në një përpjekje të dëshpëruar për të rikuperuar marrëdhëniet me administratën e re, ai nisi të fshinte nga rrjetet sociale çdo gjurmë të lidhjeve të tij me Aleks Sorosin, duke u përpjekur të shfaqej si një lider neutral. Por loja e tij u pa si një lëvizje e dëshpëruar dhe hipokrite. Nga ana tjetër, vetëm disa ditë pasi presidenti Trump kishte fituar zgjedhjet në SHBA, bashkëshortja e kryeministrit, zonja Linda Rama promovoi në Tiranë librin e Kamala Harris (rivales së presidentit Trump). Me këtë lëvizje Rama e tregoi qartë pozicionimin e tij pro-Kamala dhe anti-Trump, pasi kishin bërë gati botimin e librit, të cilin fatkeqësisht e promovoi pas humbjes së bashku me bashkëshorten e tij. Por tani, kur ekuilibrat kanë ndryshuar, Rama kërkon me çdo kusht të hyjë në orbitën e administratës Trump.

Dështimi në Mynih dhe urdhri i Shtëpisë së Bardhë: “Larg nga bufi i Sorosit”

Gjatë konferencës në Mynih, që u mbajt muajin që shkoi, Rama bëri gjithçka për të siguruar një takim me zv/presidentin Vance, shpresëplotë se mund të krijonte një rrugë të re komunikimi me administratën e re. Por plani i tij u shemb në mënyrë spektakolare. Burime të afërta me Departamentin e Shtetit konfirmuan se mesazhi i Shtëpisë së Bardhë ishte i prerë: “Larg nga bufi i Sorosit”. Për herë të parë në karrierën e tij, Edi Rama u trajtua si një figurë e padëshiruar nga SHBA. Ai nuk mori asnjë fotografi me liderët e administratës së re dhe nuk u lejua të afrohej në asnjë nga takimet kyçe.

Kjo ishte “shuplaka” e parë e madhe për të, një sinjal se dera e Shtëpisë së Bardhë ishte mbyllur përfundimisht për të. Në panik të plotë, Rama ndryshoi strategji. Nëse deri pak javë më parë ai sulmonte hapur SPAK-un dhe reformën në drejtësi, pas dështimit në Mynih, ai jo vetëm që ndaloi sulmet, por edhe la në baltë Erion Veliajn. Arrestimi i Veliajt ishte një tronditje për të gjithë, por sinjali ishte i qartë: Rama kishte vendosur të sakrifikonte një nga njerëzit e tij më të afërt për të shpëtuar veten, ndërsa dha urdhër të mos sulmohej më drejtësia.

SPAK-u, goditjet e SHBA-së dhe fundi i mbrojtjes për Berishën

Ndërkohë, një tjetër goditje e rëndë erdhi nga Departamenti Amerikan i Shtetit. DASH publikoi një raport të ashpër mbi pastrimin e parave, duke përmendur rastin e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, si shembull të korrupsionit dhe përfitimeve ilegale të miliona dollarëve. Ky raport ishte një mesazh i fortë se administrata e re në Uashington nuk ka ndërmend të tolerojë asnjë nga figurat politike të korruptuara, qoftë nga e majta apo e djathta. Duke parë këtë ndryshim drastik të kursit amerikan, Rama nuk kishte më asnjë dyshim: loja kishte ndryshuar rrënjësisht.

I izoluar nga SHBA, i tradhtuar nga aleatët dhe i ekspozuar ndaj hetimeve të SPAK-ut, ai u detyrua të tërhiqej dhe të ndryshonte strategji. Në këtë klimë të re politike, ai tashmë nuk ka asnjë mbështetje ndërkombëtare të fuqishme dhe po hyn në një fazë të pasigurt, ku çdo gabim mund ta çojë në humnerë. Me SPAK-un që po shtrëngon lakun dhe me administratën amerikane që e ka shpallur të “padëshiruar”, kryeministri Edi Rama është përballë dilemës më të madhe të karrierës së tij: A do të luftojë deri në fund, apo do të pranojë fundin e pashmangshëm të epokës së tij politike? Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.

Çfarë ndodhi ne Mynih?

Kujtojmë se delegacioni zyrtar amerikan mbërriti në Konferencën e Mynihut të premten e 17 shkurtit të muajit që shkoi dhe qëndroi atje më pak se 24 orë. Zv/Presidenti amerikan J.D Vance mbajti paradite një fjalim të pazakontë dhe përcolli mesazhe të papritura që nënkuptojnë ç’montimin në rrënjë të linjës liberale, sidomos asaj Soros.

Edi Rama nuk ishte në sallë kur u mbajt ky fjalim, por ai kishte ca pritshmëri të tjera. Rama e dinte se në mbrëmje do të organizohej një darkë e nivelit më të lartë, ku të pranishëm do ishin zv/presidenti J.D Vance, si dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndër të tjerë. Gjatë gjithë ditës së premte Rama luajti shumë fort për të marrë një ftesë te ajo darkë, personat që u futën në lojë nuk ishin dhe aq të parëndësishëm. Në krye të operacionit ishte Richard Grenell së bashku me dy biznesmenë shqiptarë.

Të tre ata bënë të mundur të fusnin në lojë një lobist nga Florida dhe…për pak ia arritën qëllimit. Zyra e J.D Vance po shqyrtonte me prioritet mundësinë e një takimi ndërmjet  Ramës dhe zv/Presidentit amerikan gjatë darkës. Vetëm se kishte një problem, të papritur, ishte një zonjë, e cila punon Shefe e Kabinetit të Presidentit Trump, quhet Susan Wiles. Zonja Wiles është një ndër mbështetëset më të forta të Trumpit prej vitesh, autoriteti dhe rangu i informimit të saj është i pazakontë.

Zonja Wiles, nëse do e përshkruanim figurativisht duket si një engjëll mbrojtës, pasi skanon me imtësi të gjitha rrymat që tentojnë të depërtojnë Presidencën. Ishte pikërisht ndërhyrja energjike dhe e prerë e kësaj zonje që nxori fiasko lobistin nga Florida dhe dështoi përpjekjet e Richard Grenell dhe dy biznesmenëve shqiptarë për të bërë këtë operacion, për të cilin duhet thënë se Edi Rama kishte shumë, po shumë fare nevojë në këtë moment.

Veliaj në burg, Soros në shënjestër

Së bashku me Grenellin, Edi Rama është përpjekur të tërheqë në Shqipëri dhëndrin e Trump, Jared Kushner duke i joshur ata me dhënien e ishullit të Sazanit për të ndërtuar vila. Problemi është se ata që kanë marrë pushtetin në Washington, nuk është se kanë ardhur në krye për t’u marrë me biznes real-estate, gjasat janë që projekti i tyre politik të jetë ç’montimi në rrënjë i tentakulave liberale, ku kuadrot e Sorosit janë të gjithë të skeduar në detaje anembanë botës. Ndoshta Richard Grenell nuk e kupton dot ende se sa shumë e ekspozon atë Edi Rama, apo se në çfarë telashesh e fut Grenellin fakti që përzien dhëndrin e Trumpit në budallallëqe që e bëjnë pis kot.

E vërteta që Rama nuk e di, por që ndoshta nuk e ka mësuar ende as Grenell, është se ata që kanë zyrat në Shtëpinë e Bardhë, Departament të Shtetit apo në USAID, kanë raporte të detajuara nga Tirana për nivelin e implikimeve të Edi Ramës. Fjala vjen, një raport që ka konsultuar Hashtag.al detajonte madje dhe momentin preciz se kur nisi çarja ndërmjet Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Çarja nisi në New York në vitin 2017 në vitin kur “Old Guy” George Soros vendosi të dorëzonte trashëgiminë te “New Guy”, Alex Soros. Kundërshtari kryesor i këtij plani ishte një gjeneral kyç i Sorosit i quajtur Jonas Rolett, ky nuk është gjë tjetër veçse truri i këtij fondacioni në Evropën Juglindore që prej vitit 1995 deri në vitin 2021 kur u zbyth përfundimisht.

Në vitin 2018, në Tiranë u zhvilluan protesta studentore, të cilat Rama i kuptoi si një lëvizje e fortë e klanit të Jonas Rolett për ta zëvendësuar atë me Veliajn. Nga kjo ditë, Edi Rama kuptoi se kishte dy shqiptarë të rrezikshëm për të që ishin nën ndikimet e klanit Rolett, Erion Veliaj dhe Albin Kurti. Që prej kësaj dite, Rama e ka dashur Veliajn me një këmbë në varr, të dobët, ndërsa Veliaj përpiqej të rikuperonte me shpejtësi marrëdhënien me Alex Soros, ky i fundit e ka patur të vështirë afrimin me Veliajn në momentet e para.

Fiks kështu siç shkruhen në këtë shkrim të dhënat e mësipërme janë shkruar dhe në raportin e detajuar që prej disa kohësh e kanë lexuar dhe shefat e Washingtonit, mes të cilave dhe zonja Susie Wiles, e cila ia bllokoi krejt përpjekjen Ramës për foto dhe takim historik me J.D Vance. Rama kishte shumë nevojë për këtë lëvizje, pasi ai aktualisht ndjen se partia e tij në Tiranë mund t’i kthehet kundër, për shkak të burgosjes fatale të Veliajt.

Njerëzit kyç në partinë e tij apo penat mediatike kryesore pranë tij dhe Veliajt, e dinë po aq mirë se si Rama organizoi prej afro 5 vitesh një skemë mediatike dhe publike të diskretitimit të Veliajt, madje dihet botërisht dhe cila është ministrja e fuqishme pranë tij që ndërtoi në detaje këto skema kundër Veliajt. Ndaj Rama e ndjen se partia e tij që kishte 5 vite që duartrokiste SPAK-un, pas arrestimit të Veliajt e ka krejt të vështirë të sulmojë papritur një ditë SPAK-un, ndërsa përgjegjësi kryesor i dobësimit të Veliajt ishte vetë Rama dhe lëvizja korrekte e shahut në këto momente do ishte që t’i kërkohej llogari Ramës dhe jo SPAK-ut.

Kjo frikë e ka bërë Ramën që të synojë një mbështetje surprizë e një foto me J.D Vance, përpjekje që zonja Wiles mësohet se ia shkërmoqi me një SMS: “He is a Soros buffon. Stay as far away as possible”. (Ai është një karagjoz-palaço i Sorosit. Qëndroni sa më larg të jetë e mundur.”

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading