Berisha pret deputeten e Forza Italia” Rama goditi opozitën nëpërmjet gjyqësorit
Kreu i PD-së Berisha ka takuar këtë fundjavë deputeten e Forza Italia Rosaria Tassinari. Ligjvënësja italiane shoqërohej në këtë takim nga Bardhok Doda, Koordinator i përbashkët mes Forza Italia dhe Partisë Demokratike në Itali. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se bashkëpunimi mes dy forcave politike është traditë të konsoliduar ndërsa shkruan se përballë sfidave të narko-shtetit të parë në Europë, që përdor politikisht sistemin gjyqësor për të goditur opozitën e vendit dhe liderët e saj, PD ka bërë gjithçka për t’i mbetur besnike vlerave themeluese dhe karakterit të saj europian.
“I rikujtova deputetes Tassinari se kjo situatë shpaloset në kufijtë e të pabesueshmes, dhe rastet e shumta të përfaqësueseve socialistë të lidhur me krimin e organizuar në Itali dëshmojnë se narko-regjimi i Edi Ramës është një sfidë madhore për të dy vendet. Niveli i paprekshmërisë së pushtetarëve, krahasuar me dhunën e shtypjes së opozitës, gjen shembullin më të jashtëzakonshëm tek burgosja dhe dënimi politik i deputetit Salianji, dhe mbrojtja që Rama i bëri vëllait trafikant të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj”, shkruan Berisha.
Më tej kryedemokrati shton në fund se ai dhe deputetja italiane ndanë pikëpamjet se ndryshimi i orientimit politik në Shtetet e Bashkuara është një çast historik për t’i ofruar arenës ndërkombëtare një qasje krejt të re.
“Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet në respektimin e këtyre angazhimeve duke e kthyer Shqipërinë e madhërishme në një realitet të prekshëm për çdo bashkëkombas. Rikthimi i dinjitetit të ushtrisë dhe policisë përballë narko-pushtetarëve, garantimi i barazisë përballë ligjit, dhe mbrojtja e vlerave dhe buxhetit të familjes shqiptare, PD do të bëjë gjithçka që Shqipëria t’i kthehet shqiptarëve më e begatë, më e fortë dhe më pasur se kurrë”, mbyll shënimin Berisha.