Drejtësia para provës së vërtetë sot. Veliaj kërkon lirinë, Gjykata e Lartë vendos nëse Salianji lirohet nga burgu.

0

Sot, pritet të jetë një ditë plot tensione dhe vëmendje, pasi drejtësia shqiptare do të vihet përballë disa provave të rëndësishme, që mund të ndryshojnë kursin e hetimeve të disa prej figurave më të njohura të politikës dhe biznesit. Në Gjykatën e Posaçme të Apelit, kryebashkiaku Erion Veliaj kërkon lirinë e tij, duke apeluar ndaj masës së sigurisë “arrest me burg”, ndërkohë që hetimet ndaj tij dhe bashkëshortes, Ajola Xoxa, për korrupsion dhe pastrim parash janë ende në zhvillim e sipër.

Gjyqtari Engert Pëllumbi do të shqyrtojë seancën, ndërsa çdo vendim mund të ndikojë në një zhvillim të mundshëm përfundimtar të procesit. Po ashtu, Gjykata e Lartë do të vendosë për fate të një tjetër figure, ish-deputetin Ervin Salianji, i cili kërkon lirinë pas dënimit të tij për çështjen “Babale”. Ndërkohë dje, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e nënës së Xoxës për heqjen e sekuestros mbi vilën në Qerret, duke shtuar edhe më shumë tensionin në këtë histori të mbushur me përplasje ligjore. Por të gjitha këto zhvillime po mbajnë në ankth opinionin publik, pasi vendimet që do të dalin sot mund të kenë pasoja të mëdha për politikanët dhe aktorët që janë nën hetim.

Konkretisht sot do të mbahet në Gjykatën e Posaçme të Apelit, seanca për ankimimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për masën e sigurisë arrest me burg, mbi hetimet që SPAK ka nisur ndaj tij, bashkëshortes dhe 6 biznesmenëve. Seanca do të zhvillohet në orën 10:00. Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës i cili u arrestua më 10 shkurt, do ta shqyrtojë gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërkohë, Xoxa nuk ka bërë ankim të masës së sigurisë që iu lehtësua nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje.

Në të njëjtën seancë pritet të shqyrtohet edhe ankimi i katër biznesmenëve, Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi. Abule ndodhet në qeli, ndërsa 3 të tjerët kanë masën detyrim paraqitjeje. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua me 10 shkurt i akuzuar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas vendimit për masën e sigurisë, Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa kishte krijuar një skemë korruptive komplekse për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës apo kontraktorë të saj në drejtim të një grupi OJF-sh apo personash fizikë, që sipas SPAK kontrolloheshin nga Xoxa.

Detaje nga hetimet për Ajola Xoxën

Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxës, për heqjen e sekuestros ndaj vilës në Qerret të Kavajës, e vendosur nga ana e SPAK. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili la në fuqi vendimin e shkallës së parë të GJKKO-së, të datës 10 shkurt të këtij viti. “Për çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në vendim. GJKKO e shtyu për të mërkurën (12 mars) vendimin për ankimimin e Ajola Xoxës. Seanca do mbahet në orën 09:30. Xoxa gjithashtu ka bërë ankimim të vendimit të shkallës së parë, për sekuestron e llogarive bankare nga SPAK-u. Në seancë ishte i pranishëm vetëm prokurori Olsi Dado, i cili ditën e sotme ka paraqitur disa akte shtesë. Ndërkohë gjyqtar është Engert Pëllumbi. Për këtë çështje ndodhet i paraburgosur që prej 10 shkurtit kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili nesër ka edhe masën e sigurisë në Apel, pasi e ka ankimuar “arrestin me burg”. Nën hetim janë bashkëshortja e tij, i vëllai dhe 6 biznesmenë. Gjyqtari Erjon Bani dhe prokurori Olsi Dado nuk kanë pranuar kërkesat e avokatëve në shkallën e parë për zbutje mase.

Gjyqi i Salianjit

Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë cakton datën për rekursin e ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burgim të formës së prerë nga Apeli i Tiranës, për dosjen “Babale”, izolim që po e vuan prej 27 shtatorit 2024 në Fier. Seanca është caktuar për sot, 11 Mars. Vendimi pritet që të jepet nesër në orën 10:00. Salianji ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër dënimit me 1 vit burg. Më datë 15 tetor 2024, Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën e Salianjit për pezullimin e dënimit me 1 vit burg nga Apeli. Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rremë, në lidhje me një denoncim me audio-regjistrim që ka bërë për vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike, por kjo audio rezultoi e montuar.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading