Simeone i tërbuar pas Atletico-Real: “Kush e pa, le të ngrejë dorën. Kush? Askush?”

0
image

Penalltia e Julián Álvarez, e anuluar nga VAR për shkak të prekjes së dyfishtë të topit në momentin e goditjes, e ka zemëruar jashtë mase teknikun Diego Simeone. Pas eliminimit të Atletico Madrid nga Real Madrid, trajneri argjentinas vendosi të sfidonte të gjithë gazetarët e pranishëm në sallën e konferencave pikërisht për këtë episod, i cili rezultoi fatal për “Colchoneros”. Ende nën efektin e tensionit të ndeshjes, Cholo e bëri të qartë se kishte një mendim ndryshe nga ai i arbitrave dhe nuk nguroi ta shprehte në mënyrën e tij karakteristike.

Simeone i tërbuar për penalltinë e anuluar me VAR

Pasi ftoi tifozët e Atleticos të mbanin kokën lart dhe të duartrokisnin lojtarët e tij, Diego Simeone shkoi përpara mikrofonëve. Ish-mesfushori, dukshëm i tensionuar, u shfaq i habitur kryesisht nga vendimi për të anuluar një penallti të ekzekutuar gjatë serisë së 11-metërshave:

“Mesa duket, arbitri thotë se Julián e prek topin dy herë, por topi nuk lëviz. Nuk kam parë kurrë që VAR-i të rishikojë një penallti gjatë një serie gjuajtjesh nga pika e bardhë”.

Simeone shpërthen në konferencë, sfidon gazetarët

Duke u rikthyer te episodi, një Simeone i papërmbajtshëm e ngriti edhe më tej tonin, duke i sfiduar të pranishmit për të diskutuar mbi penalltinë e Álvarez: “Kam një pyetje për ju, ndoshta e keni parë. E keni parë? Çfarë panë ata, çfarë? E preku dy herë apo jo? Çfarë keni parë dhe si u përplas topi?”

Këtë pyetje e përsëriti disa herë, duke u drejtuar drejtpërdrejt gazetarëve: “Mos kini frikë, po ju pyes juve, hajde: kush e pa që Julián e preku topin dy herë, le të ngrejë dorën. Kush e ngre? Forca, forca! Kush e ngre dorën? Hej, askush nuk e ngre?”

Pamjet filmike e kundërshtojnë: prekja e dyfishtë ka ndodhur

Në realitet, pamjet e rishikuara e kundërshtojnë teknikun Diego Simeone. Në video shihet qartë se Julián Álvarez, përpara se të humbiste ekuilibrin dhe të rrëshqiste, e preku fillimisht topin me këmbën e tij të majtë, sapo e kishte goditur me të djathtën. Pikërisht kjo bëri që topi të ndryshonte trajektoren dhe të bëhej i pandalshëm për Courtois.

Ceballos i përgjigjet teknikut Simeone në rrjetet sociale

Nëse në sallën e konferencave asnjë gazetar nuk iu përgjigj argjentinasit Simeone, dikush e bëri këtë në rrjetet sociale – dhe ai ishte një lojtar i Real Madrid. Dani Ceballos postoi një video të momentit kur trajneri i Atleticos sfidonte gazetarët, duke e shoqëruar me një emotikon të një dore të ngritur. Në këtë mënyrë, mesazhi ishte i qartë: dikush e kishte parë. Atletico-Real, mesa duket, është ende larg përfundimit…

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading