Si u shpërndanë protestuesit në Serbi. Sipas ekspertëve arma e përdorur është blerë në Izrael
Gjatë protestës masive të së shtunës në Beograd, disa video të postuara në rrjetet sociale treguan mijëra qytetarë që largoheshin me nxitim pas një zhurme të fortë. Ky moment ka shkaktuar reagime të shumta, me mijëra qytetarë serbë që kanë denoncuar probleme shëndetësore dhe kanë ngritur dyshime se policia ka përdorur një armë speciale për shpërndarjen e turmës.
Ish-kreu i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, në një intervistë televizive, ka deklaruar se Serbia ka përdorur një armë akustike të fuqishme, të njohur si “top zanor”, e cila sipas tij është blerë nga Izraeli dhe përdoret zakonisht nga regjime totalitare si Siria dhe Koreja e Veriut.

Sipas Kastratit, kjo armë shkakton pasoja serioze dhe të përhershme për shëndetin e njeriut, veçanërisht tek ata që kanë qenë më afër vendit të shpërthimit zanor. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet serbe mbi këto akuza, por ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha mes protestuesve dhe organizatave të të drejtave të njeriut.