Durrës. Kryetarja e bashkisë deklaron: Investimet e huaja në Durrës janë 10-fishuar që nga 2013. Do të jemi gjithnjë në krah të sipërmarjes

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako deklaroi dje se numri i bizneseve të huaja në këtë qytet është 10-fishuar në 10 vitet e fundit. Në fjalën e saj, gjatë një vizite në fabrikën “Next Generation Perfumes”, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Sako bëri të ditur se ndërsa në vitin 2020 u dhanë vetëm 6 leje për ndërtim kapanonesh në Porto Romano, në vitin 2023, me mbylljen e venddepozitimit, kërkesa ishte për 66 objekte. Të gjitha, shtoi ajo, shtrihen kryesisht në këtë zonë.
“Po të kthehemi pas në kohë, askush nuk do ta kishte menduar që kjo zonë, e Sektorit Rinia mund të kishte një biznes tërësisht holandez, i cili prodhon tërësisht linjën e vet, këtu, dhe më tej e çon në vendin e tij për ta shitur. Është një zonë e cila është transformuar edhe falë projekteve madhore në bashkëpunim me qeverinë, duke nisur nga ndryshimi që i solli zonës mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos, te projekti i madh i ndërtimit të portit tregtar”, tha ajo. Sako po ashtu tha se kudo në aksin rrugor që lidh qytetin me Porto Romanon po shtohen kompani kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Në 2015, në Durrës kishte vetëm 151 subjekte të huaja, të cilat operonin në qytetin e Durrësit, sot ky numër është 10-fishuar. Kompani, që nga sektori i turizmit tek ai i industrisë, apo prodhimit, gjejnë vend në këtë qytet”, u shpreh Sako. Kryebashkiakja e Durrësit siguroi se bashkia do të jetë në krah të sipërmarrjes, duke siguruar për vijimin e përmirësimit të infrastrukturës për zonën, në mënyrë që biznesi të ketë një rritje dhe angazhim më të madh Durrës.