Zbardhet lista e kandidatëve për deputet që po hetohen. Nga Berisha , Noka, Meta, Klosi, Xhaçka, Vengu , Balluku etj
Rigels Seliman
Plot 16 kandidatët për deputetë të legjislaturës së ardhshme janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për akuzat më të rënda, duke përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe shpërdorimin e detyrës. Nga lista e kandidatëve, 9 janë nga Partia Demokratike, 5 nga Partia Socialiste dhe 2 nga Partia e Lirisë, duke përfshirë figura të njohura si Sali Berisha, Ilir Meta, Olta Xhaçka, Belinda Balluku dhe Pirro Vengu. Hetimet përfshijnë skandale të mëdha si “Afera e Gërdecit”, tenderat abuzivë dhe pastrimi i parave, duke e bërë të qartë se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është i dëmshëm dhe i paqartë. Raporti i “Qëndresës Qytetare” thekson se këto lëvizje i dëmtojnë tërësisht besimin e qytetarëve në institucione dhe thekson rrezikun e krijimit të një kuvendi të mbushur me individë me probleme ligjore të rënda. Pra kjo panoramë tregon se partitë e tranzicionit, si PS, PD dhe PL, vazhdojnë të injorojnë proceset e hapura dhe demokratike, duke ruajtur dominimin e figurave të njohura, pa marrë parasysh pasojat që këto figura mund të kenë për vendin.
Konkretisht plot gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë për legjislaturën e ardhshme janë nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Kështu thotë raporti i Qëndresës Qytetare, i cili ka analizuar listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke evidentuar probleme serioze në procesin e përzgjedhjes së tyre. Sipas raportit, 9 kandidatë nga lista e Partisë Demokratike janë nën hetim nga SPAK-u duke vijuar me 5 të tjerë nga Partia Socialiste dhe 2 nga Partia e Lirisë. “Prania e figurave të akuzuara për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në listat e partive kryesore tregon se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve mbetet i dobët, jodemokratik dhe i papërgjegjshëm”, thekson raporti.
Sipas analizës së bërë në raport, një situatë e tillë dëshmon se partitë politike vazhdojnë të përsërisin gabimet e së shkuarës dhe nuk respektojnë organet e drejtësisë ku vihet re se kandidatët nën hetim i përkasin tre partive të tranzicionit, PS, PD dhe PL. “Institucioni ynë ligjvënës rrezikon të përbëhet nga individë me probleme serioze ligjore, duke dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe vetë funksionimin e shtetit të së drejtës”, vijon më tej raporti. Raporti vë në dukje se partitë e tranzicionit, si PS, PD dhe PL, ruajnë të njëjtën metodologji për përzgjedhjen e kandidatëve, duke favorizuar figura të njohura dhe duke injoruar proceset e hapura demokratike.
