Në debatin se kush do të drejtojë Milanin përfshihet edhe Moxhi: Igli Tare do të ishte drejtori ideal për ta ngjitur Milanin aty ku i takon
Në një intervistë për gazetën “Libero”, Luçiano Moxhi, ish-drejtuesi i njohur i Juventusit, nuk i ka kursyer kritikat për situatën aktuale te Milani. Me një analizë të thelluar, ai ka theksuar mungesat strukturore dhe teknike që po e pengojnë progresin e kuqezinjve:
“Është një grup me solistë të mëdhenj, por që nuk lidhen mes tyre. Ky Milan mund të fitojë me këdo, por edhe të humbasë. Për më tepër, kuqezinjtë nuk dinë të hyjnë në lojë si një skuadër e madhe.
Sidomos në pjesët e para, shpesh gjenden në disavantazh, ndëshkohen shpejt nga kundërshtari, duke dhënë përshtypjen se nuk kanë hyrë në fushë me mendjen e duhur. Pastaj, kur goditen dhe fishkëllehen nga tifozët, reagojnë dhe arrijnë të paktën të mos humbasin, siç ndodhi në barazimin 2-2 kundër Fiorentinës”.
Në vijim, Moxhi ka komentuar edhe situatën në pankinë, duke vënë në dyshim përkushtimin e trajnerit portugez, i cili është paralajmëruar për largim në fund të sezonit: “Konseisao e ka mendjen diku tjetër qysh tani”.
“Big Luçiano” nuk i kurseu as drejtuesit aktualë të klubit, duke nënvizuar se mungon një figurë e fortë që të udhëheqë projektin kuqezi: “Milani nuk mbështetet nga një shoqëri e aftë. I mungon një drejtues me karizëm, që të jetë i besueshëm për ambientin falë të kaluarës së tij. Një klub i madh, dhe Milani padyshim që është i tillë, ka nevojë për drejtim të fortë.
Ishte Maldini, por u largua në mënyrë të pashpjegueshme. U përmend Paratiçi, por tani jo më… I vetmi drejtues që do të ishte ideal për Milanin, për shkak të së kaluarës së tij si lojtar dhe drejtor sportiv, është Igli Tare. Mjafton të shohësh si e ringjalli Lacion nga hiri dhe e riktheu mes të mëdhenjve”.
Me këtë deklaratë të fortë, Moxhi i ka dhënë jehonë edhe njëherë debatit për nevojën e një figure të fortë drejtuese në “Casa Milan”, duke përmendur Taren si profili më i përshtatshëm për të udhëhequr klubin kuqezi drejt lavdisë së dikurshme.