Si shkelet privatësia dhe si përgjohen shqiptarët nga kompanitë One dhe Vodafone

0
image

Përdorimi i pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) nga Vodafone Albania dhe One Albania, të instaluara në përputhje me një vendim të qeverisë të kryeministrit Edi Rama për të mbyllur Tik Tok, është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë, përfshirë të drejtat për lirinë e komunikimit dhe mbrojtjen e privatësisë, që janë të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni ndërkombëtar. AKSK ka ofruar ditën e djeshme në një reagim zyrtar për mediat justifikime për këto veprime. Pyetur në lidhje me bazën ligjore, mbi të cilën u vendosen këto pajisje, AKSK thotë se është referuar VKM-së së qeverisë për mbylljen e Tik Tok; ligjit për Sigurinë Kibernetike si edhe ligjit “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, ndërkohë që nuk ka asnjë referencë ligjore në lidhje që mbron të dhënat personale nga keqpërdorimi. Përdorimi i pajisjeve DPI të ardhura nga Izraeli që do të qëndrojnë për një vit në mënyrë të paqartë dhe pa bazë ligjore të mjaftueshme është një shembull i përpjekjeve për të justifikuar shkeljen e ligjit me një VKM të nxjerrë nga qeveria, e cila nuk prevalon mbi ligjin e privatësisë.

Ligji për privatësinë

Në Shqipëri, mbrojtja e privatësisë është e rregulluar në disa akte ligjore, përfshirë Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligje të tjera të miratuara për të mbrojtur të drejtat e individëve ndaj shkeljeve të mundshme, siç është Ligji Nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ky ligj garanton se çdo individ ka të drejtën që të kontrollojë dhe mbrojë të dhënat e tij personale nga përdorimi i paautorizuar. Nëse ndodhin përpunime të të dhënave personale, ato duhet të jenë në përputhje me parimet e legjislacionit të privatësisë dhe vetëm për qëllime të përcaktuara ligjërisht dhe të justifikuara. Veprime të tilla si monitorimi dhe analizimi i komunikimeve të individëve pa një urdhër ligjor ose një bazë të qartë ligjore janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të këtij ligji.

Shkelja e Kushtetutës

Në lidhje me përdorimin e pajisjeve DPI nga autoritetet shqiptare dhe kompanitë celulare, është e rëndësishme të theksohet se, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, neni 37 garanton se komunikimi është i paprekshëm dhe nuk mund të ndërhyhet pa një urdhër gjykate. Kjo do të thotë se përdorimi i pajisjeve që monitorojnë dhe mbledhin të dhëna nga komunikimet pa një të tillë, është një shkelje direkte e të drejtave të garantuara nga Kushtetuta. Në këtë kuadër, VKM-ja e qeverisë për mbylljen e TikTok dhe përdorimi i pajisjeve DPI si një mjet për të realizuar këtë qëllim nuk mund të konsiderohet si një bazë e ligjshme për shkeljen e privatësisë dhe të drejtave të qytetarëve. Ky veprim është në kundërshtim me parimet e përqendruara në mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë, dhe si i tillë është i papranueshëm, përderisa nuk ka një mbështetje të qartë ligjore që justifikon ndërhyrjen e tillë.

Justifikimet e AKSK-së dhe Mungesa e Transparencës

Përgjigja e AKSK-së në lidhje me instalimin e pajisjeve DPI, që argumenton se ato nuk mund të përgjojnë përmbajtjen e komunikimeve, është problematike dhe nuk e justifikon përdorimin e këtyre pajisjeve pa një mbikëqyrje të mjaftueshme. “Platforma DPI analizon VETËM kokën (headerin) e paketës së protokollit të internetit IP dhe e ka teknikisht të pamundur të deshifrojë/ç`kodojë dhe analizojë vetë përmbajtjen e paketës (payload-in). Komunikimet me përmbajtje që transmetohen në internet në vendin tonë, janë 100% të enkriptuara me çelësa të bazuar në algoritma asimetrik për shkëmbimin e tyre, si edhe simetrik për kodimin e përmbajtjes. Në këto kushte DPI NUK arrin të aksesojë dhe as të lexojë përmbajtjen e komunikimit. DPI sheh vetëm që “diçka po dërgohet diku”, por nuk mund të identifikojë dërguesin, marrësin dhe as përmbajtjen e informacionit”, shpjegon AKSK. Edhe pse pajisjet DPI mund të mos deshifrojnë përmbajtjen, ato janë të afta të krijojnë një profil të detajuar të veprimeve të individëve, duke mbledhur informacione të tilla si aplikacionet që ata përdorin, cilat faqe interneti vizitojnë, dhe llojin e mesazheve që dërgojnë. Ky profilizim është një shkelje tjetër e të drejtave të privatësisë dhe mund të përdoret për qëllime të ndryshme, përfshirë manipulimin e informacionit dhe ndjekjen e individëve. Ndërkohë, AKEP që është institucioni përgjegjës për komunikimet elektronike në Shqipëri nuk ka reaguar ende.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading