Berisha, Visi, Gysi dhe Oerdi…
Berisha foli dy herë ditën e hënë për qarkun e Durrësit. Një herë nga Tirana dhe njëherë nga Durrësi duke përmendur Visin e Pojës; Ergys Agasin; Suel Çelën; Avdylajt; Vangjush Dakon dhe të tjerët me paralajmërimin “mos prekni votën!”
Në fakt, problemi i Berishës me Durrësin nuk është as Ergys Agasi , as Vangjushi dhe aq më pak akoma Visi Pojës , por PD-ja e tij dhe lista mizerabël që nxori në këtë qark.
Ergys Agasi, Vangjushi dhe Visi i Pojës dhe të tjerë personazhe të këtij kalibri kanë qenë në Durrës edhe në 2021. Madje, në ato kohë ata kanë qenë edhe më të fuqishëm pasi nuk ishin kaq të ekspozuar sa janë sot. Madje, në 2021 nuk ishte as skuadra e SPAK për krimet zgjedhore.
Megjithatë, PD në 2021 arrinte të konkurronte në Durrës madje në të gjithë Shqipërinë pavarësisht “deal-eve” poshtë dyshekut të Lulit me Ramën pas dashurisë së 17 majit.
Problemi i vërtetë i Berishës nuk janë personazhet e mësipërme, por nëse do të frymëzojë demokratët dhe t’i nxisë ata të dalin të votojnë. Problemi i tij nuk është mbrojtja e votës, por të mbledhë vota përtej demokratëve.
A mbledh dot vota përtej demokratëve Oerd Bylykbashi për shembull? Çfarë motivi ka për të kërkuar vota Artan Luku i Agron Dukës, kur e ka vendin e sigurt në listë?
Pse është vënë Igli Cara i pesti dhe jo i katërti apo i gjashti për shembull? Kush merr vesh një çikë nga këto punët e votave e kupton shumë mirë.
Duket se sa pret Berisha nga Durrësi këtë herë dhe kjo konfirmon dhe këtë që thamë më sipër, dhe se problemi i vërtetë i Berishës nuk është as Gysi, as Visi, as Sueli dhe as Vangjushi, por të nxjerrë demokratët të votojnë dhe këtë nuk e bën dot me Oerd Bylykbashin dhe Jolën.
PS: Presim tani nga ato komentet e tipit “ju ka paguar Ergys Agasi ose Visi” ![]()