Zbardhen diskutimet në Këshillin e Mandateve, Balla: Në rastin e rrugës Durrës-Kukës u morën 75 ditë kohë
Zbardhen detaje nga mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku u diskutua mbi kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.
Mësohet se kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka sjellë sot në vëmendje një precedent të mëparshëm.
Balla i është referuar rastit të Lulzim Bashës, kur ky i fundit mbante detyrën e ministrit të Transporteve, dhe ndaj tij ishte depozituar një kërkesë për hetim lidhur me çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Ai tha se kjo kërkesë kishte mbërritur në Kuvend më 15 tetor 2007, por u shqyrtua dhe u votua në seancë plenare vetëm më 27 dhjetor, pra pas 75 ditësh.
Sipas Ballës, kjo tregon se Kuvendi ka historikisht hapësirë për vlerësim të thelluar dhe nuk është i detyruar të veprojë brenda pak ditësh, siç kërkon sot opozita dhe SPAK.
Nga ana tjetër mësohet se kru i grupit të PD, Gazment Bardhi ka propozuar që provat e USB për Belinda Ballukun të merren të sigluara në çdo faqe nga SPAK, ndërkohë që prokurorët në përfundim të mbledhjes u kanë thënë se nuk bëhet. Pas kësaj përgjigjeje, Balla ka ripropozuar që ta siglonte Kuvendi.
Por, si përfundim, anëtarët e Këshillit provat i kanë marrë të pasigluara.
