Partia “Mundësia| takim elektoral në Durrës, Shehaj: Vota jonë nuk preket. Do kemi mbi 1 mijë vëzhgues që do filmojnë numërimin
Partia “Mundësia” ka zhvilluar një takim me mbështetësit në Durrës.
Gjatë fjalës së mbajtur, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj tha se partia e tij është e vetmja që vjen nga puna e ndershme.
Më tej Shehaj u shpreh se janë të vetmit që propozojnë një zgjidhje që askush më parë se ka propozuar në 34 vite.
Shehaj tha se qytetarët duan që dikush t’u heqi shtetin nga kurrizi dhe t’i lënë të punojnë.
“Po rritemi sepse ne dallojmë totalisht nga të tjerët. Ne jemi të vetmit që vijmë nga puna e ndershme. Jemi të vetëm që nuk gënjejmë broçkulla duke u thënë qytetarëve se kur të vimë ne në pushtet do jetë fushë me lule. Kemi zgjedhur të punojmë, kemi zgjedhur mos të përlyhemi. Dallojmë nga të tjerët sepse propozojmë një zgjidhje, që s’e ka bërë askush në këto 34 vite. Askush nuk u ka thënë shqiptarëve atë që duan të dëgjojnë. Ata duan që dikush t’u heqi shtetin nga kurrizi. Duan që kur kanë të bëjnë me shtetin, me zyrtarët, mos t’i shohin si pula për t’i rrjepur. Duan që t’i lëmë të punojnë”, tha Shehaj.
Gjithashtu Shehaj deklaroi se votat e Partisë Mundësia janë të mbrojtura nga çdo tentativë manipulimi.
Shehaj theksoi se mbi 1 mijë vëzhgues do të monitorojnë dhe filmojnë procesin e numërimit në çdo qendër, prandaj nuk ka shans që vota e Partisë Mundësia të tjetërsohet.
Sipas Shehajt, përpjekjet për të hedhur dyshime mbi rezultatin janë gënjeshtra të fundit para ndryshimit që po vjen në Shqipëri.
Ju e dini shumë mirë se këto janë gënjeshtra, sepse në procesin e numërimit nuk ka asnjë shans që votat e Partisë Mundësia të vidhen. Ne kemi mbi 1 mijë mbështetës të Partisë Mundësia, e kemi listën gati, që do monitorojnë gjithë procesin e numërimit. I gjithë procesi i numërimit do filmohet dhe nuk ka shans që vota e Partisë Mundësia të vidhet. Kjo është gënjeshtra e fundit para se të përballen me ndryshimin”, tha Shehaj.