Katër ekipe për një vend në Champions, luftë e “çmendur” në Itali
Në fundin e një sezoni të gjatë e të ndërlikuar, Seria A ka hyrë në një sprint final për një nga objektivat më të rëndësishëm për klubet e mëdha, një vend në Ligën e Kampioneve.
E diela e fundit na la me disa verdikte të pjesshme, por mjaft domethënëse. Atalanta është shumë pranë sigurimit të pjesëmarrjes në kompeticionin më prestigjioz europian, ndërsa Fiorentina duket se është jashtë loje. Por gara më e fortë dhe më emocionuese zhvillohet për vendin e katërt, i cili po ndahet mes katër ekipeve që kanë të gjitha arsye për të besuar, por edhe për t’u trembur.
BARASPESHË- Tri skuadra, Juventusi, Roma dhe Lacio, ndajnë aktualisht vendin e katërt me pikë të barabarta. Bolonja është vetëm një pikë më poshtë, duke i dhënë kësaj gare një tension dhe intensitet, që rrallëherë është parë në dekadat e fundit. Çdo ndeshje është një finale, çdo gabim mund të kushtojë pjesëmarrjen në turneun më prestigjioz të klubeve në Europë. Në teori, kalendari favorizon Juventusin. Bardhezinjtë kanë përballje me Udinezen dhe Venecian pas transfertës së vështirë ndaj Lacios. Lacio, nga ana tjetër, ka dy ndeshje në shtëpi, një avantazh logjistik dhe psikologjik, por do të përballet edhe me Interin në “San Siro”, një sfidë që mbetet gjithmonë e paparashikueshme. Roma, ndonëse në formë të jashtëzakonshme, ka një kalendar të vështirë. Transferta në Bergamo ndaj Atalantës dhe në Torino ndaj “granatas”, si dhe një ndeshje me Milanin në mes.
SURPRIZA- Skuadra e Klaudio Ranierit i ka befasuar të gjithë. Pa zhurmë, pa spektakël, por me efikasitet të jashtëzakonshëm, Roma ka arritur të qëndrojë në garë dhe të ngjitet në pozita të larta. Në vitin 2025, verdhekuqtë janë skuadra me më shumë pikë në pesë ligat kryesore të Europës, 43 pikë në 17 ndeshje dhe janë në një seri prej 19 ndeshjesh pa humbje. Statistika që flasin vetë, por më shumë se kaq, është mënyra sesi po fiton kjo skuadër, me minimalizëm të frikshëm. Në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit, Roma ka shënuar vetëm tetë gola, një për ndeshje, por ka marrë 20 pikë, me gjashtë fitore (të gjitha 1-0) dhe dy barazime (1-1). Është një makinë rezultatesh. Ranieri nuk duhet ngatërruar me një trajner ultra-defensiv, ai po përdor skema të guximshme, me dy sulmues (Dovbyk-Shomurodov), me mesfushorë me prirje sulmuese si Pelegrini, dhe me lojtarë krahu që janë më shumë sulmues sesa mbrojtës (Soule dhe Anxhelino). Mbi të gjitha, është një mjeshtër i organizimit, i qetësisë dhe i racionalizimit të forcave.
JUVENTUSI- Për Juventusin, kualifikimi në Champions nuk është thjesht një objektiv sportiv, është një nevojë ekzistenciale. Për historinë që përfaqëson, për investimet e bëra, për pagat që paguan dhe për nevojën për të ndërtuar një skuadër konkurruese, pjesëmarrja në Champions është e panegociueshme. Pas largimit të Tiago Motës, u mendua se Igor Tudor do t’i jepte skuadrës freskinë dhe agresivitetin e munguar. Në fillim u duk kështu, por në javët e fundit ajo energji është shuar. Rezultatet flasin qartë. Vetëm tri fitore në gjashtë ndeshje, të gjitha në shtëpi ndaj skuadrave të renditura më poshtë, dhe dy barazime në transfertë, që tregojnë një ecuri të vakët. Edhe në sfidën e fundit ndaj Bolonjës, pavarësisht një fillimi të mirë, skuadra nuk arriti të ruajë ritmin, ndoshta për shkak të mungesave, por edhe për shkak të mungesës së ideve të qarta në fazat kyçe të lojës. Për më tepër, menaxhimi i lojtarëve ka ngritur pikëpyetje, si lënia në stol e Konseisaos për gati gjithë ndeshjen në një moment kur duhej fantazi dhe vendosmëri.
BOLONJA- Në këtë garë të ngjeshur, Bolonja është pa dyshim skuadra më e freskët dhe më argëtuese për t’u parë. Me një futboll të hapur, sulmues dhe të organizuar mirë, ata janë befasia më e këndshme e kampionatit. Por pikërisht kjo mungesë përvoje në luftën për objektiva kaq të mëdha, së bashku me finalen e afërt të Kupës së Italisë që mund të shpërqendrojë ekipin, mbeten faktorë që i bëjnë rrugën më të vështirë për ta.
DETAJET- Në këtë fazë të sezonit, më shumë se forma, taktikat apo emrat, do të bëjnë diferencën detajet. Përballjet direkte, diferenca e golave, aftësia për të përballuar presionin dhe për të ruajtur përqendrimin. Nga katër skuadrat, vetëm një do të kualifikohet. Për disa do të jetë një peng i hidhur, për të tjerë, sidomos për Juventusin, një dështim i madh. Ndërkohë, Atalanta, në mënyrë të qetë dhe të qëndrueshme, po ecën drejt një tjetër suksesi të madh nën drejtimin e Xhan Piero Gasperinit. Me pesë pikë avantazh nga vendi i pestë dhe tri ndeshje për të luajtur, duket se ata do të jenë të parët që do të shijojnë frytet e këtij sprinti të çmendur.